LAJMI I FUNDIT:

Ukraina kap një ushtar të plagosur të Koresë së Veriut

Ukraina kap një ushtar të plagosur të Koresë së Veriut

Forcat ukrainase kanë kapur një ushtar të plagosur të Koresë së Veriut, ka konfirmuar agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut.

Ushtari besohet të jetë i burgosuri i parë i luftës i Koresë së Veriut i kapur që nga dhjetori, kur Pheniani dërgoi forca për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë.

Bëhet e ditur se konfirmimi vjen pas një fotoje që pretendohet të tregojë ushtarin e plagosur, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.


Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10,000 ushtarë për të ndihmuar Rusinë, sipas Kievit dhe Seulit – megjithëse Moska dhe Pheniani nuk e kanë konfirmuar dhe as mohuar praninë e tyre.

“Kjo është e para në një varg kapjesh dhe vrasjesh”, tha Yang Uk, studiues në Institutin Asan për Studime Politike.

“Për ukrainasit, është më e dobishme të kapin këto trupa të Koresë së Veriut dhe të përpiqen t’i shkëmbejnë ato me rusët me robër lufte ukrainas”, shtoi ai.

Forcat ukrainase njoftuan se ushtarëve të Koresë së Veriut u janë lëshuar ID false ruse, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky postoi pamjet javën e kaluar, të cilat ai tha se tregonin trupat ruse duke djegur fytyrat e koreano-veriorëve të vrarë për të fshehur identitetin e tyre.

Ndryshe, mbi 3,000 trupa të Koresë së Veriut kanë vdekur ose janë plagosur gjatë luftimeve në rajonin Kursk të Rusisë, sipas Zelenskyt.

Ai shtoi se bashkëpunimi midis Moskës dhe Phenianit rrit “rrezikun e destabilizimit” rreth gadishullit Korean. /Telegrafi/