Site icon Telegrafi

U suspenduan për rastin e vrasjes së Hamide Magashit – zyrtarët policorë kthehen në punë

Katër zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Lipjan, cilët janë suspenduar nga puna lidhur me rastin e vrasjes së Hamide Magashit, janë kthyer në vendin e tyre të punës.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një përgjigjeje me shkrim ku thuhet se e kanë njoftuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës se shkaqet e suspendimit të këtyre zyrtarëve policorë kanë pushuar.

Të njëjtit janë suspenduar me pagesë në dhjetor të vitit të kaluar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Lexo po ashtu Rasti i gruas shtatzënë - IPK rekomandon suspendimin e komandantit të Stacionit policor të Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve

“Duke ju referuar kërkesës suaj, Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se ka hetuar rastin penal ndaj katër zyrtareve policor te Stacionit Policor Lipjan nen dyshimin se te njëjtin kane kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe për këtë shkak ndaj tyre është rekomanduar suspendimi me pagesë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Telegrafin.

Pas mbledhjes së dëshmive, IPK-ja ka bërë të ditur se në konsultim me Prokurorin e Prokurorisë Themelore Prishtinë ka ngritur Kallëzim penal ndaj tre të dyshuarve (një rreshteri dhe dy hetuesve të Stacionit Policor Lipjan për veprën penale penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ndërsa ndaj komandantit të Stacionit Policor-Lipjan ka bërë kërkesë për inicim të procedurës disiplinore në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës-Policia e Kosovës.

“Pas përfundimit ë veprimeve hetimore, dorëzimit të kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore në Prishtine dhe kërkesës për hetim disiplinor në PK, IPK ka njoftuar Drejtorin e Përgjithshëm të PK-së, se shkaqet e suspendimit të katër zyrtarëve policor të Stacionit Policor në Lipjan kanë pushuar”, thuhet tutje në përgjigjen e inspektoratit.

Hamide Magashi u vra mbrëmjen e 30 nëntorit të vitit të kaluar nga bashkëshorti i saj Sokol Halili, në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Halili për disa ditë ishte në arrati dhe më pas në shtëpinë e tij u vetëvra.

Ndaj 35-vjeçares kishte pasur një udhër-mbrojtje prej datës 13 shtator 2022 deri më 13 mars 2023, pas kërkesës që vetë viktima e kishte parashtruar më 8 shtator dhe për zbatimin e tij kishte qenë i ngarkuar Stacioni Policor në Shtime dhe Lipjan.

Katër zyrtarët policorë nga Stacioni Policor i Lipjanit ishin suspenduar lidhur me këto veprime hetimore. /Telegrafi/

Exit mobile version