U bënë dy vjet e gjysmë që kur filloi ndërtimi i Bit Pazarit, por ekskavatorët ende po punojnë. Tani ndërtimi i këtij tregu gjendet në fazën e fundit, por punimet janë larg përfundimit.
Pjesa dërmuese e tregtarëve janë vendosur në pjesën tashmë të ndërtuar dhe hapësira në mes është zbrazur. Po përgatitet terreni për nisjen e ndërtimit të parkingut.
Zvarritja e punimeve tregtarëve u ka shkaktuar dëm, por thonë se e mira është se tregu po ndërtohet.
Janë të kënaqur me kushtet në të cilat tani punojnë, ndërkaq nga investitori i cili është “Tregu i Shkupit” kanë marrë premtimin se objekti do të jetë gati për dy muaj.
Se punimet janë zvarritur dhe afatet janë shkelur 100 herë, deklaroi edhe kryetari i Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolek. Por ndryshe nga tregtarët, ai premton se Pazari do të jetë gati për 5 muaj.
Vendimi për ndërtimin e Bit Pazarit është thënë që para 10 vjetësh. Ka qenë premtim i çdo cikli zgjedhor. Ndërtimi i tij pritet të finalizohet me ndërtimin e parkingut i cili do të ketë 230 vende për parkim. Hyrja e parkingut ishte kërkuar të jetë nga ana e bulevardit, por për shkak të kushteve të komunikacionit, ai do të jetë nga ana e Teatrit Shqiptar. /TV21/