LAJMI I FUNDIT:

Tre ekspertët e IML-së tregojnë shkaqet që sollën vdekjen e të miturës – babai kishte vërejtje në punën e tyre

Tre ekspertët e IML-së tregojnë shkaqet që sollën vdekjen e të miturës – babai kishte vërejtje në punën e tyre

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë dëgjuar tre ekspertë të mjekësisë ligjore, në gjykimin ndaj dy mjekëve të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Ata treguan gjetjet e raportit hispo-patologjik dhe të autopsisë.

Në këtë rast, mjekët Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Ata ngarkohen se duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ka ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T.H..


Fillimisht, u dëgjua ekspertja Besa Kotorri, e cila është Specialiste e Kardiologjisë së Mjekësisë Ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku punon si patologe dhe bën ekzaminimin mikroskopik të mostrave.

Ajo tha që në rastin e të ndjerës T.H., janë ekzaminuar mostrat indore të marra nga organet vitale gjatë procedurës së autopsisë, ku sipas saj gjatë ekzaminimit të këtyre mostrave janë vërejtur edhe ndryshime, të cilat janë të shpjeguara në raport.

“Unë e kam hartuar raportin histo-patologjik, të mostrave të marra nga zemra dhe përveç tjerash me ekzaminim mikroskopik janë vërejtur edhe kardiomiocite, më ndryshe degjenerative, ndonjë fije muskulare e trashur, shumë prej tyre me bërthama hiperkromatike dhe me anizokariozë të theksuar, ndryshime këto karakteristike për kardio-miopati (sëmundje e muskulit të zemrës)”, tha Kotorri.

Ekspertja tha që gjatë ekzaminimit të mostrave të zemrës, në njërën mostër është vërejtur edhe një vatër me infitare të rralla limfocitare, të cilat vihen re edhe në një vatër në mes të fijeve muskulare nën endokart.

Sipas saj, kjo gjetje të bën të dyshosh që e ndjera T.H, më herët ka pasur mundësi që të ketë kaluar një inflamacion të muskulit të zemrës, mirëpo këto infiltrate inflamatore të rralla, nuk kanë mjaftuar për ta quajtur të tillë.

Ndërsa, sa i përket mushkërive, Kotorri tha që është vërejtur një kongjestion, që nënkupton ngecje e qarkullimit të gjakut në mushkëri.

Kurse për mëlqi, në shumicën e hepatociteve ajo tha që vihen re mikrovakuole në citoplazmë. Këto ndryshime, sipas saj, përpos tjerash në bazë të dhënave shkencore ka mundësi të jenë të shkaktuara nga terapia apo medikamentet afatgjate që i ka përdorur që nga mosha 1.5 vjeçare.

Babai i tani të ndjerës, A.H., e pyeti se a ka pasur ndërhyrje nga jashtë gjatë ekzaminimit të provave. E Kotorri tha se asnjëherë të vetme gjatë punës së saj nuk ka tentuar të ndërhyjë askush e aq më pak ajo t’i bindet ndërhyrjeve të tilla.

Më tej, babai i të ndjerës tha se vajza e tij nuk ka pasur asnjë raport të sëmundjeve të zemrës.

“Unë mendoj se raportet e tilla janë bërë për t’i shfajësuar këtu të akuzuarit, pasi fëmiu im nuk ka pasur asnjë raport të sëmundjeve të zemrës”, tha babai i së ndjerës.

Gjatë kësaj seance, është dëgjuar edhe eksperti Islam Kryeziu, i cili është patolog në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ai tha se bashkë me kolegen Kotorri, kanë përpiluar raportin histo-patologik në lidhje me rastin.

Eksperti Kryeziu tha që gjatë ekzaminimit të mostrave indore, janë pa ndryshime në qelizat e muskulit të zemrës.

“Ndryshimet gjenerative, fijet muskulare të trashura dhe shumë prej tyre bërthamat jo në formë të njëjtë edhe me ngjyrim të theksuar. Këto ndryshime janë karakteristike për kardiomiopati. Në bazë të raportit, mendimi është dhënë në përgjithësi”, tha Kryeziu.

Ai gjithashtu tha se kanë vërejtur akumulim të gjakut brenda indit mushkëror dhe në shpretkë, por assesi në asnjë raport nuk e shkruajnë shkaktarin e drejtpërdrejtë të vdekjes dhe se nuk janë kompetent ta shkruajnë atë.

“Mjeku ligjor merr obduksionin dhe merr mostrat ku dyshon dhe pastaj na jepen neve përmes xhamave ne i fusim në mikroskop dhe japim mendimet tona. Mandej, të gjeturat tona i merr mjeku ligjor dhe evidenton gjithçka”, tha Kryeziu.

Pjesa tjetër e seancës, vazhdoi me marrjen në pyetje të ekspertit të mjekësisë ligjore, Valon Hyseni, i cili kishte bërë ekzaminimin e të ndjerës, T.H.

Ai tha që gjatë procedurës së autopsisë, sidomos në rastet kur pacientët ose viktima ka qenë duke u trajtuar, kërkohet paraprakisht të shohin dokumentet mjekësore, ku e ndjera ose i ndjeri ka qenë duke u trajtuar, për ta pasur një pasqyrë të qartë.

I pyetur nga prokurorja Ardiana Veseli se cili ishte konstatimi i tij për vdekjen e T.H., Hyseni tha që vdekja e saj ka ardhur si pasojë e disa shkaqeve.

“Vdekja e së ndjerës ka ardhë si pasojë e fibrilacionit ventikular (dridhje të muskulit të zemrës), është rrahje e pakontrolluar në atë rast, me një substrat patoanatomik siç është kardiomiopatia pediatrike dhe epilepsia. Substrati patoanatomik flet për sëmundjen e muskulit të zemrës. Pastaj, në pikën 7, është e mundur që substancat anastetike të përdorura gjatë MRI-së, të kenë qenë shkëndija që kanë iniciuar këtë zinxhir kompleks që kanë të bëjnë me vdekjen”, tha eksperti Hyseni.

Më tej, ai përmendi edhe elementet tjera që kanë shkaktuar vdekjen T.H.

“Pastaj, pika 8, gjatë inspektimit, rastet e tilla konsiderohen si fatkeqësi mjekësore sepse është një përfundim jo i mirë i trajtimit që ka ardhë si pasojë e veçorive individuale të organizmit apo të tejndjeshmërisë në barnat e përdorura për të cilat nuk ka qenë e mundur të parashikohen pasojat”, tha Hyseni.

Ai tha që në këto konstatime kanë ardhur nga gjetjet makroskopike gjatë autopsisë, si dhe duke shërbyer nga raporti i histopatologjisë, ku veç ishte detektuar kardiomiopatia, si sëmundje e muskulit të zemrës.

Eksperti Hyseni gjithashtu tha që në krijimin e kardiomiopatisë si sëmundje, substancat anestetike të përdorura gjatë MRI-së, nuk kanë mundur të jenë shkaktarë të kardiomiopatisë, sepse kjo sëmundje nuk zhvillohet aty për aty, por kërkon kohë për t’u zhvilluar.

Po ashtu, ai tha që duke ditur se e njëjta ishte duke bërë MRI-në me anestezion të përgjithshëm, ku kishte marrë Fentanil dhe Propofol, kjo ka mundur që të jetë si shkëndijë që solli vdekjen e saj.

Hyseni theksoi se vdekja e tani të ndjerës, ka ndodhur si pasojë e aritmisë dhe fiberlacionit ventikular, me një substat patoanatomik, siç është Kardiomiopatia pediatrike dhe Epilepsia.

Ai u pyet se si është e mundur që në raportin toksikologjik të konstatohet prania e barnave që ndërlidhen me terapi antiepileptike, kurse nuk janë konstatuar asnjë gjetje për barnat anestetike, të cilat dyshohet se janë shkaktar të vdekjes.

Eksperti Hyseni u përgjigj se kjo pyetje i takon toksikologjisë dhe jo atij.

Në fund të seancës, babai i së ndjerës, A.H dha vërejtjet e tij në lidhje më ekspertizën.

“Jam konsultuar me ekspertë të fushës për këtë çështje edhe në Gjermani e në Shqipëri dhe Maqedoni dhe të gjithë më japin vlerësimin se këtu kemi të bëjmë me mbidozën që i kanë dhënë vajzës sime. Assesi nuk është dashur t’i jepet doza e dytë e anestezionit”, tha A.H.

Ai shtoi se as shkaku i vdekjes assesi nuk mund të jetë kardiomiopatia.

“Edhe më kanë theksuar se ata zakonisht do të sillen rreth saj për t’i shfajësuar të akuzuarit, pasi që janë kolegë. Pse në këtë rast nuk janë detektu substancat anestetike, por vetëm barnat. Bazuar në këtë kam vërejtje në punën e këtyre ekspertëve”, u shpreh A.H.

Për seancën e radhës, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Hysni Veseli propozoi që në cilësinë e dëshmitares të ftohet toksikologja, Flutura Goga-Bajrami.

Një propozim i tillë, u pranua nga kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci, gjatë punës së tyre si mjekë, me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, nuk i kanë zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ku si rezultat i këtyre veprimeve, ka ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T.H.

Në aktakuzë thuhet se më 4 tetor 2020, gjatë trajtimit mjekësor, kryerjes së rezonancës magnetike për pacienten, tani të ndjerën T.H., i pandehuri Arben Kutllovci është dakorduar me të dëmtuarën – dëshmitaren Lutfije Haxhiu që më 4 tetor 2020 të kryhet rezonanca magnetike  për vajzën e saj. Mirëpo, paraprakisht me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ka pranuar dhe udhëzuar ekzaminimin e “MRI ALL Body”, në kundërshtim më praktikat dhe legjislacionin në fuqi, duke kryer një intervenim të tillë pa qenë i pajisur me udhëzimin për ekzaminim si dhe nuk ka bërë evidentimin e personelit mjekësor  dhe dokumentacionit shëndetësor dhe dokumentacionit  shëndetësor.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Alban Gjonbalaj më 4 tetor 2020, rreth orës 9:15 në ambientin e Klinikës “CT SCANER” (Institucion Privat Shëndetësor), me rastin e ofrimeve shëndetësore, ka vlerësuar në mënyrë joprofesionale gjendjen e pacientes tani të ndjerës T.H, duke mos bërë matjen e peshës trupore.

Aty thuhet se ekzaminimi i të ndjerës është bërë pa udhëzime mjekësore si dhe incizimi i rezonancës magnetike të tërë trupit të pacientes është bërë pa prezencën e mjekut specialist të Radiologjisë, por në vend të mjekut ka qenë prezent Muhamet Berisha – Teknik i Radiologjisë pa licencë valide të punës.

Sipas aktakuzës, si pasojë e mostrajtimit të duhur nga specialistët përkatës, ku i pandehuri Gjonbalaj ia ka dhënë dozën e parë të anestezionit pacientes, ku pas 10 -15 minutash të njëjtës i është dhënë edhe doza e dytë, kështu duke iu përkeqësuar gjendja  gjatë procedurës së “MRI”. Dhe pas përkeqësimit përkundër të ndihmës së parë dhe dërgimit në urgjencën e QKUK-së, pacientja kishte ndërruar jetë.

Për këto veprime të kryer nga secili veç e veç, të lartcekurit ngarkohen  për  veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 254 par. 8 lidhur me par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së, raporton Betimiperdrejtesi.

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Kalo në kategori