Trazirë në Anfield: Tifozët e Liverpoolit marrin vendim radikal përpara ndeshjes kthyese me PSG-në

Tifozët e Liverpoolit kanë publikuar një deklaratë zyrtare ku deklarojnë se pas ndeshjes kundër Paris Saint-Germain nuk do të shfaqin më flamujt e tyre të famshëm në tribunën ikonike të Kop. Arsyeja kryesore për këtë veprim drastik është rritja e paralajmëruar e çmimeve të biletave.
Një nga grupet më të famshme të tifozëve, Spion Kop 1906, ka vendosur t'i japë fund komercializimit në rritje të klubit, duke theksuar se tifozët e zakonshëm nuk mund të përballojnë më kostot në rritje.
“Pas konsultimeve të gjera, asnjë flamur nga grupi Spion Kop 1906 nuk do të jetë i pranishëm në Anfield për ndeshjet e mbetura. Ne mendojmë se nuk kemi zgjidhje tjetër pasi vit pas viti kostot në rritje po i largojnë gjithnjë e më shumë tifozë nga futbolli. Tifozët e futbollit po arrijnë gjithnjë e më shumë në pikën e kulmit ndërsa sporti bëhet i papërballueshëm".
Në letrën e tyre, tifozët i drejtohen drejtpërdrejt pronarëve të klubit, FSG (Fenëay Sports Group), duke u kujtuar atyre vlerat e vërteta të klubit:
“Ne duhet të mbajmë qëndrim kundër rritjes së çmimeve në futboll, ne besojmë se ka vlerë në të qenit i vlerësuar. Kultura dhe traditat, të trashëguara nga brezat e mëparshëm, duhet të ruhen dhe futbolli duhet të mbetet i arritshëm për brezat e ardhshëm”.
🚨 𝗕𝗥𝗘𝗔𝗞𝗜𝗡𝗚: Liverpool fans have released a statement in which they say that after the PSG game, they will NO LONGER show their flags on the Kop.
This is due to the ticket price increase. pic.twitter.com/gIYd6R5QZ9
— The Touchline | 𝐓 (@TouchlineX) April 9, 2026
Ata gjithashtu kritikuan ashpër mënyrën se si klubi përdor atmosferën e tifozëve për promovimin dhe fitimin e vet.
“Ne, tifozët, jemi zemra që rreh e këtij klubi futbolli; është e njëjta zemër nga e cila përfiton Klubi i Futbollit Liverpool në marketing. I bëjmë thirrje FSG-së të kujtojë se klubi ynë duhet të mishërojë identitetin e komunitetit të tij dhe të jetë në përputhje me vlerat e zonës lokale”.
“Çfarë është Anfield pa zemrën e tij? Bëni gjënë e duhur për të ardhmen e lojës sonë. Dëgjoni zemrën tuaj. Asnjë rritje në çmimet e biletave!”, thuhet në letrën e tifozëve.
Ky veprim përfaqëson një goditje serioze për atmosferën në Anfield, e cila për dekada të tëra është dalluar nga numri i flamujve dhe shalleve në tribunën e Kop, dhe mbetet për t'u parë se si do të reagojë menaxhmenti i klubit ndaj këtij bojkoti. /Telegrafi/





















































