Ministria e Kulturës të martën ka ndaluar punimet në rrugën "Qamil Hoxha" në Prishtinë.

Sokol Havolli, drejtor i Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar se ndalimi i punimeve është bërë me urdhër politik, transmeton Telegrafi.


"Nga shteti ligjor në shtet policor! Sot, inspektorët e Ministrisë së Kulturës, e me urdhëra politik, pa asnjë bazë ligjore, bllokuan edhe një punishte në Kryeqytet, në rrugën Qamil Hoxha. Kënaqësinë të jashtëzakonshme përjetoi ky inspektori në realizimin e dëshirës së shefit të tij, i rrethuar me mbrojtje policore", ka pohuar Havolli.

Ai ka shtuar tutje se me kujdes dhe në prezencë të zyrtarëve policorë i ka kërkuar inspektorit që të paraqes dokumentet si në vijim:

1. Vendimin e Ministrit për asetet në mbrojtje (nuk ekziston fare vendimi, kontrolloni vet web-faqen e Ministrisë). 2. Kërkova po ashtu përgjigje se pse asetet, sikur që e kërkon ligji nuk janë të regjistruara në sistemet adekuate me të cilat funksionojnë Komunat dhe institucionet qendrore? Natyrisht, s’ka përgjigje, por ka akuza politike nga inspektori, sepse po zbaton urdhra politike. Një përgjigje veç ua dha qytetarëve të Prishtinës ky person: i ndali punimet sepse muj! Mundet sepse e keqpërdorin Policinë. E kështu, e kthejnë shtetin ligjor në shtet policor. /Telegrafi/