Totaj miraton parcializimin e tokës për ndërtimin e Qendrës së Autizmit në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj përmes një vendimi ka miratuar kërkesën e Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me parcializimin e pronës komunale për ndërtimin e Qendrës së Autizmit.
Në bazë të vendimit të nënshkruar nga kryetari Totaj dhe të publikuar në ueb faqen e Komunës së Prizrenit, parashihet fillimi i procedurave ligjore nga Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër, për parcializimin e pronës respektivisht copëtimi i parcelës me numër të ngastrës kadastrore 11048-16 ZK-Prizren, sipas gjendjes faktike në terren.
"Parcializimi (copëtimi i parcelës) bëhet me qëllim të realizimit të projektit: "Ndërtimi i objektit Qendra e Autizmit"", thuhet në vendimin e kryetarit Totaj.
Për zbatimin e këtij vendimi ai ka obliguar Drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër.
Drejtori i DPMS-së në Komunën e Prizrenit, Rasim Demiri ka konfirmuar për Telegrafin se Qendra e Autizmit planifikohet që të ndërtohet afër ndërtesës së Qendrës për Punë Sociale 2.
"Së shpejti do të iniciohen procedurat e prokurimit për këtë projekt", ka thënë Demiri. /Telegrafi/


















































