Tjetër trofe për Ilir Dajën te Dinamo, mposhtin Egnatian në Superkupën e Shqipërisë

Dinamo është fituesja e Superkupës së Shqipërisë, pasi ka mposhtur Egnatian me rezultat 3-1.
Sfida nisi më mirë për rrogozhinasit, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e 9-të me golin e Ruçit. Sulmuesi përfitoi nga një gabim i prapavijës së Dinamos dhe u tregua i saktë përballë portierit Teqja, duke dërguar topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi fuqishëm dhe përmbysi gjithçka brenda pak minutash. Në intervalin 54’–59’, fillimisht Bregu dhe më pas Nani realizuan dy gola të shpejtë, duke e kthyer rezultatin në favor të skuadrës blu.
Fitorja u vulos nga Qefalija, i cili shënoi golin e tretë dhe të qetësisë, duke i dhënë fund çdo shprese për rikthim Egnatias.
Të besuarit e Ilir Dajës arrijnë kështu të fitojnë trofeun e parë të sezonit, duke e mbyllur vitin 2025 në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke nisur me ambicie të larta pjesën tjetër të garave./Telegrafi







































