LAJMI I FUNDIT:

Tiranë, mbahen Dita Arbëreshe dhe Samiti i Tretë i Diasporës

Tiranë, mbahen Dita Arbëreshe dhe Samiti i Tretë i Diasporës
LSA

Në Tiranë po zhvillohet aktiviteti dy-ditorë Dita Arbëreshe dhe Samiti i Tretë i Diasporës, me pjesëmarrje të shumë studiuesve të albanologjisë dhe personalitete shqiptare.

Autoritetet më të larta të shtetit shqiptar dhanë mesazhet e tyre për bashkëpunimin kulturor dhe zhvillimin e vlerave kombëtare në dy anët e Adriatikut dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.

Dita Arbëreshe u zhvillua paradite me disa sesione shkencore, ku studiues të njohur të Shqipërisë dhe të komunitetit arbëresh shpalosën kërkimet e tyre mbi traditat, kulturën, artet dhe gjuhën arbëreshe sot dhe në histori.


Në hollin e veprimtarive u çel një ekspozitë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me botimet e hershme arbëreshe si dhe publikime të fundit në fjalorë dhe studime nga Qendra e Studimeve Arbëreshe.

Autoritetet më të larta të shtetit shqiptar përshëndetën tubimin gjatë një ceremonie të posaçme në mbrëmje.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se arbëreshët ruajtën gjuhën dhe kulturën kombëtare në shumë shekuj pa kërkuar dhe pa marrë asgjë në këmbi, ndaj duhen mbështetur në mbajtjen gjallë të vlerave kombëtare, si dhe duke vizituar më shpesh nga Shqipëria në vendbanimet e tyre në Itali.

“Veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm dhe me përgjegjësi historike, sepse pasojat e mosveprimit do të prekin edhe brezat e ardhshëm. Ai duhet të orientohet në ruajtjen e arbërishtes dhe lëvrimin e saj nga brezat e rinj. Arbërishtja ka vite që renditet nga UNESCO si një gjuhë qartësisht e rrezikuar na Atlasin e gjuhëve të rrezikuara të botës. Kjo do të thotë, mes të tjerash, se fëmijët arbëreshë në shtëpi nuk e mësojnë më arbërishten si gjuhën e nënës. Jetesa e arbërishtes nuk është për ne thjesht çështje shkencore. Për ne shqiptarët, ajo është thelbësisht një çështje identitare dhe si e tillë ajo ka rëndësi për interesat e kombit shqiptar”, tha presidenti Begaj.

Kryeministri Edi Rama foli për një muze të arbëreshve në Krujë, si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik me rajonet ku jetojnë arbëreshët në Itali.

“Arbëreshët janë integruar plotësisht në bashkësinë e madhe italiane, por nuk e kanë tretur amanetin, i cili sot po sfidohet nga koha, e cila po sjell shumë furtuna të natyrës demografike për të gjithë dhe po sjell të reja të paimagjinueshme deri dje për fëmijët. Kemi një sërë idesh që i japin jetë kësaj marrëdhënie njerëzore, nga ditët e verës, duke çuar disa nga prodhuesit e verave në Arbëri, deri te programi i marrjes së fëmijëve nga komunat arbëreshe në bashkitë tona dhe e kundërta. Kështu i japim jetë krijimit të një shtrese të re marrëdhëniesh mes fëmijëve që njohin njëri-tjetrin dhe historinë e përbashkët, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë”, tha zoti Rama.

Ndërsa ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi faktin se takimi po mbahet në ditën e Alfabetit shqip të miratuar në Kongresin e Manastirit.

Ai tha se arbëreshët kanë bërë përpjekje të mëdha në ruajtjen e gjuhës e kujtesës kombëtare të shqiptarëve, përpjekje të cilat vazhdojnë me përkushtim në katedra të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali.

“Mbështetja dhe investimi tek lidhjet e gjithanshme njerëzore, institucionale, ekonomike, akademike e të shoqërisë civile, është garancia më e mirë e ruajtjes të gjuhës dhe kulturës arbëreshe për brezat që do të vijnë. Breza që nuk do të na e falnin nëse ne nuk veprojmë sot me ide e projekte të qarta për të ruajtur këtë thesar me të cilin krenohemi kudo që jemi. Shqipëria ka sot mundësi reale të bëjë atë që për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij nuk ka pasur mundësinë ta bëjë: t’ju mbështesë me forma e mënyra konkrete”, tha zoti Hasani.

Në mjediset e tubimit është vendosur një ekspozitë fotografike me kostume arbëreshe në hollin e mbushur me qindra pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe shumë nga shumë shtete në kontinente të ndryshme.

Pas ditës Arbëreshe, Samiti i Tretë i Diasporës zhvillohet me pjesëmarrjen e mbi dy mijë shqiptarëve të regjistruar nga të gjithë shtetet ku ata jetojnë, ku pritet të diskutohet mes të tjerash edhe mbi raportet e diasporës me politikën e jashtme të Shqipërisë.

Diaspora shqiptare vlerësohet si një nga më të mëdhatë dhe më aktivet sa i takon marrëdhënieve me vendin e origjinës, si në pikëpmaje ekonomike, sociale dhe nxitjen e investimeve.

Ndërsa shumë zyrtarë dhe analistë besojnë se ende ka shumë mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin si për zhvillimin e kulturës dhe gjuhës shqipe kudo ku jetojnë shqiptarët, ashtu edhe për thellimin e shkëmbimeve ekonomike. /VoA