Nga: Simon Jenkins / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Teksa lufta në Ukrainë dalëngadalë po largohet nga titujt kryesorë, ajo po arrin në pikën e rrezikut maksimal. A mund të udhëhiqen palët drejt kompromisit dhe zgjidhjes, apo dëshpërimi i tyre, i shoqëruar me ethet e luftës nga ata që nuk marrin pjesë, do ta çojë konfliktin në një përshkallëzim më të gjerë dhe në rrezik katastrofe?

Qeveria britanike ia ka ofruar Kievit atë që ajo e quan mbështetje e palëkundur. Kështu, Boris Johnsoni ia ka deleguar politikën për Ukrainën, presidentit të Kievit, Volodymyr Zelenskiy. Kjo përfshin ambicien për t’i dëbuar trupat ruse nga gjithë toka ukrainase, përfshirë Krimenë dhe Donbasin. Përparësia e Rusisë në numra, po e bën gjithnjë e më pak të besueshme fitoren e tillë totale dhe kthimin në kufijtë para vitit 2014. Kjo do të kërkonte gjithashtu ngritje masive të ndihmës perëndimore, për një periudhë të gjatë kohore. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e ka quajtur tashmë si luftë prokure e ShBA-së kundër Rusisë.


Në këtë moment të luftës, bixhozi është i një natyre tjetër. Kur Ukraina e ktheu mbrapsht përparimin fillestar rus, ndihma perëndimore ishte edhe vendimtare dhe e lavdishme. Në muajt e fundit, bilanci i fuqisë ushtarake është zhvendosur në një rrugë qorre. Franca dhe Gjermania tashmë po tregojnë kujdes. Ashtu si shumica e NATO-s, po i japin Kievit ndihmë ushtarake dhe humanitare, por me të drejtë e konsiderojnë luftën si luftë të ekspansionit rus. Ata nuk e përdorin gjuhën e Joe Bidenit dhe të Johnsonit për një konflikt të madh që përfshin gjithë Perëndimin.

Teksa armët "mbrojtëse" gjithnjë e më vdekjeprurëse po dorëzohen në Ukrainë nga fuqitë perëndimore, ankesa e Rusisë për luftën prokure duket gjithnjë e më e besueshme dhe Vladimir Putin do të vazhdojë të rrapëllojë arsenalin e vet bërthamor. Nëse mund të rrafshojë me bomba qytetet e tëra ukrainase, pse jo me obus bërthamor? Politikanët e ashpër perëndimorë e kanë kaluar jetën duke u praktikuar për një përballje të tillë. Mund të kuptoni se ata janë të etshëm për ta sprovuar aftësinë e Putinit - në një distancë të sigurt, nga shtëpia. Ata duhet ta dinë se ai nuk do të tërhiqet nga gjithë Ukraina. Pra, pse të mos shohim deri ku mund të quhet blof kërcënimi i tij bërthamor?

Teksa luftërat e sotme po zvarriten, efekti i tyre në emocionet e publikut zbehet dhe zvogëlohet, ndërsa interesat personale tregojnë forcën. Kur sovjetikët e pushtuan Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore, disiplina e Perëndimit ishte absolute. E ndoqi doktrinën e frenimit të George Kennanit, jo të rikthimit. Shtypja sovjetike e Hungarisë më 1956 dhe e Çekosllovakisë më 1968, nuk u kundërshtua. Kishte pajtim se konfrontimi bërthamor është i paimagjinueshëm. Kriza kubane e raketave e  vitit 1962 dhe momenti i çmendurisë së Andropovit të mplakur më 1983 (kur Kremlini, i trembur nga një stërvitje e NATO-s, pothuajse nisi një sulm bërthamor) i gjeti shefat ushtarakë në një eksitim të paralizuar. Studimet e fundit kanë treguar se sa iu afrua bota katastrofës, gjë që u shmang vetëm nga kanalet e frikës, kompromiset e fshehta dhe vendimet e sekondave.

Nëse Lufta e Falklandit e vitit 1982 do të zgjidhej nga kujdestaria e OKB-së përpara zbarkimit në San Karlos - siç ishte pothuajse situata, pas fundosjes së luftanijes HMS Sheffield - qindra jetë do të mund të ishin shpëtuar, për të mos i përmendur 60 milionë funtet në vit që ende shpenzohen për “Kalanë” e Falklandeve. Në Afganistan, në vitin 2001, sekretari i atëhershëm i mbrojtjes i ShBA-së, Donald Rumsfeld, e këshilloi Presidentin Xhorxh W Bush që të futej në luftë, të ndëshkonte regjimin dhe që menjëherë të largohej. U injorua nga "krerët e kombit", të cilët vazhduan ta impononin një aparat të madh perandorak në Afganistan dhe që ta shkatërronin atë. Këto pika kritike kthese, janë harruar në historitë e luftës.

Që nga momenti kur konflikti nxehet, ethet e luftës përmes emocioneve e shtrembërojnë arsyen. E nxitur nga mediat, ajo e helmon çdo përpjekje për paqen me thirrjen, "shumë njerëz vdiqën për ta lejuar kompromisin". Strategjia është gjithashtu e shtrembëruar. Ashtu siç na u tha në vitin 2003, se Iraku po planifikonte një sulm me raketa ndaj Britanisë, kështu tani duhet të besojmë se Putini është kërcënim i ngjashëm për sigurinë tonë.

Doktrina e frenimit të Luftës së Ftohtë, që në heshtje u pajtua nga Moska dhe nga Uashingtoni, u ruajt për shmangien e ndërgjegjshme të konfrontimit Lindje-Perëndim, mes fuqive të mëdha. Gjithçka tjetër varej nga kjo. Pikërisht tani jemi në një pikë të tillë kthese.

Çfarëdo zgjidhje të arrihet në Ukrainën lindore, do të jetë e kompromisit. Johnsoni dhe Britania e kanë kryer detyrën e vet ndaj vuajtjeve njerëzore, për ta ndihmuar një shtet të huaj, jo një aleat, që t'i rezistojë agresionit të egër rus. Putini pak ka përparuar në inkursionin e tij të vitit 2014, megjithëse ka avancuar. Këtu duhet të shtrihet sfera e kompromisit. Nëse Johnsoni ndihet i paaftë për të kërkuar paqe, ai të paktën duhet të ndalojë së thirruri për luftë. Kapitulli tjetër në marrëdhëniet e Rusisë me Ukrainën duhet të jetë ai që për këtë të vendosin këto dy shtete. /Telegrafi/