Emigrimi jashtë shtetit nuk ka të ndalur!

Këtë më së miri po e dëshmojnë klasat gjithnjë e më të zbrazëta nëpër shkollat e Tetovës.


Vetëm për 5 muaj, 100 nxënës më pak.

Shumë nxënës kanë marrë fletëshpërngulje nga shkollat, për t’u larguar me familjet jashtë shtetit.

Në qytet më e prekur nga fenomeni i ikjeve është shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”.

Drejtoresha Sihana Kaba-Kasami na tregon se tani shkolla ka thuajse një klasë më pak.

“Ky është një fenomen që kohëve të fundit ka marr përmasa shumë të mëdha. Po të shohim në nivel të komunës me 12 shkolla fillore është një fakt shqetësues sepse kemi një shpërngulje me të madhe, zakonisht nxënësit na shpërngulen në Evropë por më së shumti i kemi në Itali dhe Gjermani dhe shumë pak kemi në shtet tjera. Sa i takon shkollës tonë ne fillim të vitit në fillim të vitit shkollor kishin 1048 nxënës në shtator , dhe nga shtatori deri në janar kur jemi tash na kanë shkuar 22 nxënës , dhe kjo është brengosëse se thuaj se një klasë na shpërngulet komplet për shkaqe familjare”, deklaroi Sihana Kaba Kasami – drejtoreshë e Shkollës “Kirili dhe Metodi”.

Në malësinë e Tetovës, më shumë fletëshpërngulje kanë marrë nxënësit e shkollës së Shipkovicës, “Rexhep Voka”.

“Duke filluar nga muaj shtator e deri në këto momente, ne kemi marr të dhëna nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të nxënësve që kanë marrë fletëshpërngulje për jashtë shtetit dhe nga të dhënat që kemi gjithsej nga shkollat fillore dhe të mesme të Tetovë fletëshpërngulje kanë marrë diku 100 nxënës, ku po potencojmë se pjesa më e madhe e nxënësve që kanë marrë fletëshpërngulje janë nga shkolla fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë, shkolla fillore “Kirili dhe Metodi” në qytetin e Tetovës, ndërsa nga shkollat e mesme që kanë marr fletëshpërngulje më shumë jashtë shtetit është shkolla e mesme “8 shtatori”, u shpreh Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim – Komuna e Tetovës.

Trendi i shpërnguljes është i përvitshëm. Të dhënat tregojnë se në shkollat e Tetovës çdo vit shkollor ka thuajse 100 nxënës më pak. Kjo në shkollat e qytetit nuk vërehet edhe aq shumë, sepse shpërnguljet ndodhin edhe nga fshati në qytet, por kjo bën që shkollat e vendeve rurale të mbeten pa nxënës, ose të bashkohen, ose edhe më e keqja, të mbyllen, fat të cilin e kishte shkolla e Veshallës. /tv21