Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas aktit terrorist të së premtes, kur me eksploziv u dëmtua kanali i Ibër – Lepencit, policia ka arrestuar tetë persona të dyshuar në veri të vendit dhe ka konfiskuar arsenal të armatimit.

Sveçla thotë se sulmi i fundit ndaj infrastrukturës jetike është më i rëndi në Kosovë që nga paslufta.


"Janë sulme të cilat dirigjohen nga Serbia. Sulmi më kritik, më i rëndë pas përfundimit të luftës. Ne për këtë mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar. Ky sulm terrorist është i mirë organizuar, i organizuar nga grupe apo organizata që janë profesioniste, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ai.

462580032 1126044508951921 8292036933605598065 n

Sveçla thotë se institucionet tashmë kanë bashkërenduar aktivitetet për të zbardhur ngjarjen.

“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit”, ka deklaruar Sveçla.

acbcd8c8 1d7f 49e9 b97d 692ac61ffa76 2

Sveçla tha se institucionet e Kosovës do të parandalojnë aktet e tilla terroriste në të ardhmen dhe të zbardhet ky rast dhe përgjegjësitë të marrin dënimin e merituar.

“Policia do të merr masa për parandalimin e sulmeve të tjera terroriste dhe t’iu del në ndihmë qytetarëve pa asnjë dallim. Ftoj të gjithë t’iu referohen vetëm informacioneve zyrtare”, ka thënë Sveçla.

467481623 8561675697264779 7754465474526267229 n

Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar se shumica e pajisjeve janë të prodhimit serb, por që disa pajisje janë ekskluzive ushtarake që nuk gjenden as në tregun e zi.

“Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që vështirë që gjendet, pos që furnizimet janë nga magazinat e ushtrisë. Ne besojmë se ato kanë dalë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Policia e Kosovës do ta verifikojë këtë”, ka shtuar Sveçla.

468525117 1100995752036075 3557334807937160254 n

Komandanti i PK-së, Gazmend Goxha, ka thënë se janë konfiskuar 200 uniforma ushtarake, raketahedhës e pajisje të tjera, që dyshohet se lidhen me sulmin e djeshëm terrorist dhe raste të mëhershme.

Ndryshe, në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj./Telegrafi/

465964579 1115168349970374 4851366612923629617 n