LAJMI I FUNDIT:

Tesla zgjedh TSMC në vend të Samsung për porositë e çipave të saj me kapacitet 4-nanometër

Tesla zgjedh TSMC në vend të Samsung për porositë e çipave të saj me kapacitet 4-nanometër

Mediat aziatike raportojnë se Tesla ka arritur një marrëveshje të madhe me TSMC për prodhimin e çipave me kapacitet 4-nanometër.

Kjo marrëveshje e re tani e vendos Teslën në 7 klientët më të mëdhenj të TSMC, prodhuesit tajvanez të çipave.

Çipat në fjalë do të përdoren për harduerin e ardhshëm vetë-drejtues të Tesla-s dhe prodhimi në shkallë më të gjerë do të fillojë në vitin 2024 nga fabrika e re e TSMC në Arizona, shkruan Arena EV, transmeton Telegrafi.


Fabrika e njëjtë pritet që në vitin 2026 gjithashtu të prodhojë çipa me kapacitet 3-nanometër dhe që me ato çipa do ta furnizojë edhe gjigantin amerikan të telefonave Apple.

Pasi të përfundojë ndërtimi i saj, fabrika e TSMC në Arizona për kompaninë tajvaneze do të gjenerojë 9,3 miliardë euro (10 miliardë dollarë) të ardhura.

Si rezultat i kësaj, hendeku midis biznesit të prodhimit të çipave të Samsung dhe TSMC do të rritet edhe më shumë.

Samsung, kompania koreane për prodhimin e telefonave, kohët e fundit humbi edhe Qualcomm-in si klient për çipat e saj kryesorë. /Telegrafi/