Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike do të mbahet javën e ardhshme, fushata zgjedhore nis më 13 shtator

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pritet që të bëhet javën e ardhshme.
Kështu ka deklaruar për Telegrafin, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
“Sipas planit të KQZ-së, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të bëhet më 3 ose 4 shtator 2025”, ka thënë Elezi, duke shtuar se për ditën dhe orën e saktë, do të njoftojnë me kohë.
Ai ka theksuar se për datën dhe orën e saktë do të njoftohet me kohë dhe se ky aktivitet do të zhvillohet në mënyrë të plotë transparente dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara.
“Ky aktivitet do të zhvillohet në transparencë të plotë si dhe në prezencë të përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje,” ka thënë Elezi.
Elezi ka bërë të ditur gjithashtu periudhën e fushatës zgjedhore, e cila do të fillojë më 13 shtator.
“Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë më 12 tetor, në orën 06:59,” ka shtuar Elezi.
Ndryshe, më 23 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte hapur afatin për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas afatit të përcaktuar nga KQZ-ja, periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka zgjatur 38 ditë, deri më 29 gusht 2025.
Sipas afateve të vendosura nga KQZ-ja, periudha e votimit jashtë Kosovës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025. Kjo periudhë do të vlejë për votim vetëm për shtetasit që do të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 38-ditore të regjistrimit.
Për dallim nga zgjedhjet e përgjithshme në të cilat qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, kanë pasur mundësi të votojnë edhe në përfaqësitë diplomatike, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kjo mundësi nuk do të ekzistojë, por vetëm përmes postës. /Telegrafi/





















































