Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës. Mbledhja e Kryesisë ku do të konfirmohet rendi i ditës për seancën e re plenare pritet të mbahet nga ora 11:00.

Në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116.


Kujtojmë se javën e kaluar, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila bëri të ditur se në seancën që pritet të caktohet për këtë të enjte në diskutim do të vihet edhe shqyrtimi i projektligjit për Fondet Pensionale të Trustit.

“Seanca e re plenare e Kuvendit do të mbahet, javën e ardhshme të enjten, më 16 qershor. Me listën e pikave që kanë ardhur në kryesi por edhe gjithashtu ato të cilat janë plotësim i agjendës, varësisht nga agjenda e Komisioneve të  Funksioneve. Kurse përveç pikave të rendit të ditës, është edhe shqyrtimi i projektligjit për plotësim ndryshimin e ligjit për heqjen e akcizës së duhanit, shqyrtimi i parë i projektligjit për Fondet Pensionale, të Kosovës dhe të tjera”, tha ajo.

Qytetarët që kërkojnë tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti. Ndryshe, deputeti Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.

Rendi i ditës i mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit:I. Miratimi i procesverbalit i mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit, II. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 22, 23, 24 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022: 14. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale. III. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 24, 25 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022: 11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. IV. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 7 dhe 14 prill 2022: 8. Zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, V. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 14, 19 prill, 11 dhe 19 maj 2022: 7. Votimi i mocionit nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend. VI. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 5, 11, 13 maj dhe 6 qershor 2022: 5. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, 6. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022, 7. Emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, 8. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar. VII. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 26 maj dhe 6 qershor 2022: 4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës, 5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, 6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pijet e Forta Alkoolike, 7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, 8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve, 9. Zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit, 10. Zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media. VIII. Konfirmimi i rendit të ditës për seancë plenare të radhës: 1. Deklarimet jashtë rendit të ditës, 2. Pyetjet parlamentare, 3. Miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme, 4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit, 5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, 6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Markat Tregtare, 7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja, 8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, 9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Pyjet, 10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara, 11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, 12. Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike për zgjatjen e mandatit, 13. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, 14. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, 15. Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionet Hetimore Parlamentare, 16. Emërimi i kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit, 17. Përzgjedhja e kandidatit për një anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, 18. Formimi i Komisionit Ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë, 19. Shqyrtimi i raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, 20. Shqyrtimi i raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021. IX. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave. /Telegrafi/