Teatri i Gjilanit nis provat për shfaqjen “Gënjeshtra” - një dramë mes dashurisë dhe dyshimit
Teatri i Qytetit të Gjilanit ka njoftuar se kanë filluar provat për shfaqjen më të re “Gënjeshtra”, një vepër e dramaturgut të njohur francez Florian Zeller.
Drama sjell një tekst të mprehtë dhe të thellë, që trajton kufijtë delikatë mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, dashurisë dhe dyshimit, duke prekur tema universale që prekin secilin.
Shfaqja do të vijë nën regjinë e Ekrem Sopit, dhe pritet të ketë premierën gjatë muajit qershor. Në rolet kryesore do të interpretojnë aktorët Gani Rrahmani, Qendresa Jashari, Alban Shahiqi dhe Safete Mustafa-Baftiu.
Për skenografinë është angazhuar Dhurim Ismajli, ndërsa kostumografia i është besuar Leudita Hysenit.
Nga Teatri i Qytetit theksojnë se kjo shfaqja “Gënjeshtra”, vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të shfaqjes “E vërteta”, gjithashtu e autorit Florian Zeller, dhe premton të jetë një ngjarje artistike e veçantë, që do të sjellë emocione të fuqishme për publikun artdashës. /Telegrafi/






























