Të premten zjarri përfshiu një pjesë të oborrit të shkollës "Lidhja e Prizrenit" në Deçan

Të premten në mbrëmje zjarri ka përfshirë një pjesë të oborrit të shkollës "Lidhja e Prizrenit", në Deçan.
Lidhur me rastin, drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Besnik Hulaj, ka shkruar se zjarri është shuar shpejt, dhe se ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale, transmeton Telegrafi.
"Shpresojmë që të mos jetë zjarrvënie e qëllimshme. Pas njoftimit se një zjarr ka përfshirë një pjesë të oborrit të shkollës “Lidhja e Prizrenit”, menjëherë kemi lajmëruar Policinë dhe Njësinë e Zjarrfikësve, të cilët i falënderojmë për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale. Dolëm menjëherë në vendngjarje, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, z. Bashkim Ramosaj, edhe pse në orët e vona të mbrëmjes. Për fat të mirë, zjarri u lokalizua dhe u shua shpejt, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale", ka pohuar ai në postimin e tij në Facebook.
Ai mes tjerash ka shkruar që shpreson që kjo të mos jetë zjarrvënie e qëllimshme, sidomos kur bëhet fjalë për institucionet edukativo arsimore.
"Rasti tashmë është në duart e Policisë së Kosovës, dhe besojmë se shumë shpejt do të zbardhen rrethanat e plota të ngjarjes"./Telegrafi/


















































