Më herët ishte raportuar se disa raketa ruse shkatërruan një ndërtesë pesëkatëshe në qytetin lindor të Ukrainës, Chasiv Yar.

Tani të paktën 15 persona kanë mbetur të vrarë nga ky sulm – ndërsa Pavlo Kyrylenko, guvernator i rajonit të Donetsk thotë se të paktën 20 persona të tjerë mund të jenë të bllokuar nën rrënoja.


Sulmi raketor është i fundit në zinxhirin e sulmeve me viktima të shumta ndaj ndërtesave civile, përcjell Telegrafi.

Chasiv Yar gjendet rreth 20 kilometra në jug-lindje të Kramatorsk, qytet i cili pritet të jetë një shënjestër kryesore e forcave ruse të cilët kanë filluar të lëvizin drejt pjesës perëndimore.

Rajoni i Donetsk është një nga dy provincat që bashkë me Luhansk përbëjnë rajonin e Donbas, ku rebelët separatist kanë luftuar forcat ukrainase nga viti 2014.

Javën e kaluar, Rusia kishte pushtuar qytetin e Lysychansk, i cili ishte bastioni i fundit ukrainas i rezistencës ushtarake në Luhansk. /Telegrafi/