Të paktën 67 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 150 janë plagosur ndërsa prisnin për ndihmë në Gaza.

Vdekjet e fundit ndodhën në al Sudaniya në Gazën veriore, ku ndihma po hynte përmes pikës kalimtare Zikim me Izraelin, njoftoi drejtori i spitalit al Shifa.


Më shumë se 150 persona u plagosën, disa në gjendje kritike, sipas spitaleve në zonë.

Bëhet e ditur se në javët e fundit, qindra palestinezë janë vrarë ndërsa prisnin ushqim dhe ndihmë, shkruan skynews.

Të shtunën, trupat izraelite u akuzuan për vrasjen e të paktën 32 personave në dy incidente, në zonën Teina të Rripit të Gazës dhe në qytetin më jugor të Gazës, Rafah, pranë qendrave të shpërndarjes të operuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Vrasjet e fundit nuk ndodhën pranë pikave të shpërndarjes të lidhura me GHF, i cili filloi shpërndarjen e pakove ushqimore në Gaza në fund të majit, pasi Izraeli lehtësoi bllokadën 11-javore të ndihmës në territor.

Ndërsa ushtria izraelite ende nuk ka dhënë asnjë koment mbi vdekjet e së dielës.

Disa dëshmitarë thanë se ushtria izraelite qëlloi mbi turmën, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë nëse ata u vranë nga ushtria izraelite, bandat e armatosura apo nga të dyja.

Ndryshe, ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi në zonat e Gazës qendrore të mbushura me palestinezë të zhvendosur ku nuk ka vepruar deri më tani në luftën e saj me Hamasin.

Kërkesa për evakuim ushtarak, e cila mund të sinjalizojë një sulm të afërt në lagjet në Deir al Balah, alarmoi familjet e pengjeve izraelite, të cilët kanë frikë se të afërmit e tyre po mbahen atje. /Telegrafi/