Lagjja e Boshnjakëve, Mitrovicë e Veriut: Rrezet e diellit i shijojnë të ulur jashtë lokaleve të tyre disa pronarë biznesesh, teksa ndjekin me sy njerëzit që kalojnë para tyre. Shqiptarë, serbë, romë, ashkalinj, boshnjakë, egjiptianë, turq e goranë e quajnë këtë lagje shtëpi.
Por, ndër vite, e njohur si Lagje e Boshnjakëve, ajo e ka humbur një masë të multietnicitetit të saj.
“S’po di ku të të drejtoj, krejt çka po i shoh janë shqiptarë dhe serbë”, thotë njëri nga pronarët, i pyetur nëse e njeh ndonjë boshnjak që jeton aty pranë.
Disa nga boshnjakët që nuk janë larguar nga ky vend, hezitojnë të flasin, duke insistuar se nuk “duan të përzihen në politikë”.
Duke shitur rroba, ushqim, pajisje shtëpiake e shumëçka tjetër, ata flasin herë shqip e herë serbisht, varësisht nga kombësia e klientit që iu afrohet.
Brenda njërit prej lokaleve, i drejtuar nga një boshnjak, katër nga gjashtë tavolinat janë të zëna. Në secilën prej tyre ha e pi vetëm nga një person. Pronari i lokalit është i gatshëm të qerasë, por jo edhe të flasë për vështirësitë që ia sjell jetesa në një lagje multietnike përplot tension ndëretnik.
“Shkoni të flisni me …”, thotë ai, duke e përmendur një tjetër boshnjak të asaj lagjeje. Por, as ai nuk dëshiron të flasë.
Ky hezitim nuk e befason Nexhat Uglaninin, kryetarin e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Uglanin, boshnjak, ka jetuar gjithë jetën e tij në Lagjen e Boshnjakëve dhe ka parë vendlindjen e tij duke ndryshuar ndër vite.
“Qytetarët janë ende në njëfarë frike. Ju po e shihni që njerëzit hezitojnë të japin intervista, sepse po ndikon frika që e kanë. Kemi kapërcyer faza të ndryshme të eskalimit të situatës”, thotë ai.
Teksa Nexhati fliste për vështirësitë e jetesës në këtë lagje, rrezet e diellit vazhdonin të reflektoheshin nga xhamat e veturave të shumta: taksi me targa 02 (shifra për Mitrovicën e Veriut), vetura me targa me letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të Serbisë, si dhe vetura policie.
Disa patrulla policore kalonin e ndaleshin nëpër këtë lagje të njërës prej katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Banorët e këtyre zonave janë përballur shpeshherë me tensione dhe kërcënime sigurie. Ndër vite – në këtë zonë pranë kufirit të gjatë të Kosovës me Serbinë – janë vrarë e lënduar zyrtarë policorë, politikanë e të tjerë.
Pasi që serbët lokalë kundërshtojnë institucionet e Kosovës, që duan ta shtrijnë kontrollin e shtetit atje, vendime të ndryshme të Qeverisë së Kosovës janë pritur shpeshherë edhe me ngritje barrikadash dhe protesta.
Vendosja dhe largimi i barrikadave në veri ndër vite
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, grupe të serbëve lokalë në veri të vendit kanë ngritur disa herë barrikada për të kundërshtuar aksione policore dhe vendime të Qeverisë së Kosovës.
Në njërin prej rasteve kur gjendja ishte e tensionuar – në korrik të vitit 2010, kur serbë lokalë protestuan kundër hapjes së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve – shkaku i një shpërthimi, kishte humbur jetën mjeku boshnjak, Mesud Gjekoviq. Emrin e tij tani e mban një rrugë në Lagjen e Boshnjakëve.
Por, Uglanin thotë se qytetarët e komuniteteve të ndryshme etnike, nuk e ndiejnë frikën vetëm kur ka tensione të tilla.
“Çdo ditë është njëjtë. Ne kemi komshinj nga çdo komunitet dhe e kapërcejmë njëfarë lloji bashkëjetese të mirë. Por, është interesant se kur vjen puna te përshkallëzimi i situatës, krejt mbyllen dhe presin një javë derisa të kthehet paksa normaliteti”, thotë Uglanin.
Ai thotë se, para luftës së vitit 1999, në veri të Kosovës jetonin rreth 7.500 boshnjakë, ndërsa tani kanë mbetur vetëm rreth 500. Ai thotë se ata u larguan për shkaqe sigurie, sepse “nuk duan të jetojnë në një vend ku ka vazhdimisht eskalime dhe sirena”.
Shifra të sakta zyrtare lidhur me popullsinë në Mitrovicën e Veriut nuk ka, pasi që serbët lokalë e kanë bojkotuar regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011.
Përshkallëzimi i fundit i gjendjes së sigurisë ndodhi më 24 shtator, kur një rreshter i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra në fshatin Banjskë të Zveçanit, pas një sulmi të një grupi të armatosur kundër patrullës policore.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që është i kërkuar nga Policia e Kosovës dhe në listën e zezë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Kjo ngjarje ka bërë që në Lagjen e Boshnjakëve të ketë më pak shëtitje dhe më pak “ndeja mes komuniteteve”, thotë Uglanin.
Nëpër rrugicat e këtij vendbanimi nuk shihen as shumë fëmijë, përveç disave që përcjellin vetura me patina me rrota e biçikleta nëpër rrugët e asfaltuara.
Fëmijët e komuniteteve joserbe të kësaj komune shpeshherë drejtohen në Mitrovicë të Jugut për të ndjekur shkollimin. Disa ndjekin arsimin në shkollat e strukturave paralele serbe në veri, që funksionojnë nën dirigjimin e Beogradit zyrtar.
Banorët e kësaj komune përballen edhe me probleme të tjera, përveç atyre të sigurisë.
Në Mitrovicën e Veriut, 1.541 persona kanë marrë ndihma sociale gjatë periudhës kohore janar-korrik 2023, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Problemet lidhur me kushtet e jetesës i pamundësuan Muharrem Spasolit, nga komuniteti ashkali, ta shijonte atë ditë dielli në gjysmë të tetorit.
I veshur në mëngë të gjata e jelek, Muharremi qëndronte pranë shtëpisë së familjes, që një natë më parë ishte djegur. Arsyet e djegies, familja nuk i dinte ende, por i dinte pasojat: të mbetur pa shtëpi, me një anëtar të familjes të djegur dhe shumë të shqetësuar nga ngjarja e një nate më parë.
Spasoli thotë se familja e tij banon në Mitrovicë të Veriut që 70 vjet. Ata kanë qëndruar atje edhe gjatë luftës në Kosovë, e edhe në kohë tensionesh pas luftës. Gjithmonë, thotë ai, ata kanë tentuar t’u ikin problemeve.
“Nuk kemi pasur probleme kurrë me askënd, as me shqiptarë e as me serbë. Nuk përzihemi kah politika. Ne nuk mund të ikim kurrkund, po këqyrim veç të jemi rehat. Të jemi të gjithë njëjtë, të mos kemi probleme askush”, thotë Spasoli.
Ai mban mend kur më 27 dhjetor të vitit të kaluar ishin ngritur barrikada edhe në Lagjen e Boshnjakëve. Gjërat e tilla nuk e bëjnë të lehtë “ikjen prej problemeve”, thotë Spasoli.
“Është pak vështirë… Në krejt anët ka probleme, gjithkah. Po kemi pak frikë. Por, po rrimë, po e mbyllim gojën, po rrimë. Çfarë të bëjmë?!”, thotë ai.
Një tjetër banore e kësaj lagjeje, e cila nuk donte të identifikohej, tha se sa herë që “dëgjon krismat, asaj i duket sikur luftë”.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i incidenteve ndëretnike gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti është rritur për 45 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Por, përkundër problemeve të shumta në të cilat hasin banorët e kësaj zone, shumë prej tyre nuk do të largoheshin asnjëherë.
“Jeta është shumë interesante në pjesën veriore. Ndoshta është e vështirë, por është edhe interesant”, thotë Uglanin./REL
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A