Të metat aktuale të Zoon Politikonit shqiptar
Që nga kohët e lashta, në periudhat e hershme të civilizimeve, atëherë kur normat e funksionimit grupor zëvendësuan veprimet instinktive të kopesë primitive, njerëzit, në një formë apo tjetrën janë marrë me politikën. Kështu, politika si praktikë dhe formë e rregullimit shoqëror ekziston shumë para konceptimit dhe elaborimit të saj teorik, dhe gjithnjë ka luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e gjithëmbarshëm njerëzor. Veçmas nga koha e civilizimit të Greqisë së vjetër, politika, jo vetëm si praktikë, por tashmë edhe si teori, filloi të shtojë çdo herë e më shumë impaktin e vet mbi njerëzit.
Që nga ajo kohë, teoria ndihmoi avancimin e praktikës, por edhe ngjarjet praktike shërbenin si shtytës të novacioneve teorike. Aristoteli e quante njeriun “kafshë politike” (Zoon Politikon). Sipas tij, nuk ka njeri që mund t’i mjaftoj vetëm vetvetja. Në qoftë se do të ekzistonte ndonjë i tillë, sipas Aristotelit, ai do të mund të ishte bishë ose perëndi, por assesi njëri.
Edhe sot e kësaj dite, secili nga ne është Zoon Politikon. Madje, edhe qytetari më i veçuar, që ndoshta me vite të tëra jeton i izoluar në bjeshkën e lartë, larg kontakteve me njerëz të tjerë, larg çdo informacioni. Edhe ato pak vegla që përdorë për t’u veshur e ushqyer janë direkt ose indirekt të ndërlidhura me politikën. Nëse personi në atë rast jeton në një pronë private, atëherë vet privatizimi është çështje politike, ndërkaq, nëse shfrytëzon një pronë publike, ajo pronë është përcaktuar si e tillë nga një formë e caktuar e funksionimit politik.
Nëse i shikojmë shqetësimet e bujqve të Rahovecit, përkatësisht vreshtarëve, në këto vitet e fundit, ato më shumë kanë qenë të ndërlidhura me politikën sesa me kushtet klimatike. Kemi parë revolta të bujqve në shenjë pakënaqësie, dhe rrahje fizike e tyre nga policët special të shtetit, mirëpo, kemi parë edhe subvencionime të bujqve nga ana e po të njëjtit organizim shtetëror. Kjo tregon që edhe jeta e bujkut është e lidhur ngushtë me politikën.
Pra, marrja me politikë jo vetëm që është e nevojshme, por është edhe e domosdoshme. Ajo, që nga kohët më të lashta e deri më sot ka qenë pjesë e pandashme e njerëzimit. Natyrisht, flasim për politikën si angazhim njerëzor për krijimin e të mirave të përgjithshme, të mira këto që më pas do të gëzoheshin edhe nga të përveçmit, dhe jo për politikën si tendencë për dëmtimin e përgjithshmes në favor të përveçmes. Ndonëse, fatkeqësisht, gjatë gjithë historisë së zhvillimit, por edhe sot, kjo e dyta gjithnjë e ka shoqëruar të parën, e herë-herë, në periudha të caktuara historike, madje, edhe ka dominuar atë.
Ndonëse themelet e para të ndërtimit, por edhe muret e forta të avancimit politik janë mbështetur në vullnetin e individit për të sakrifikuar një pjesë të egoizmit të tij në favor të krijimit të të mirave të përbashkëta, me qëllim që këto të mira më pas t’i gëzoj edhe vet ai (subjekti), vazhdimisht, jo vetëm ne praktikë, por edhe në teori është theksuar interesi i pashpirt egoist, në dëm të një të mire të përbashkët, më të sigurt dhe më afatgjate. Pas një evolucioni të gjatë socio-politik, demokracia si formë e qeverisjes politike e shoqëruar me kapitalizmin si mënyrë e funksionimit ekonomik u treguan si më të përshtatshmet dhe më funksionale prej të gjithave. Kjo formë e qeverisjes dhe rregullimit shoqëror po zgjerohet çdo ditë e më shumë, jo vetëm në aspektin horizontal (territorial), por edhe në atë vertikal (avancues). Demokracia u tregua si forma më e suksesshme, jo ndoshta edhe aq për shkak të qeverisjes së “demos” - popullit, siç rendomë thuhet, por, më shumë, në radhë të parë për shkak të konkurrencës së lirë të ideve mes njerëzve dhe partive, dhe në radhë të dytë për shkak te decentralizimit te pushtetit që bëri kjo formë e qeverisjes.
Në format tjera, ku pushteti mbetet në duart e një apo shumë pak individëve, atëherë edhe keqpërdorimet janë të prira të jenë më të mëdha. “Pushteti korrupton. Pushteti absolut, korrupton absolutisht” (Dalberg-Acton, 1887). Ndërkaq, sa i përket konkurrencës së lirë të ideve, sistemi shumëpartiak, përkatësisht gara mes partive, ka mundësuar që të rritet cilësia e programeve politike dhe realizimit të tyre, dhe jo vetëm kaq, në kuadër të garës së brendshme, nxjerrët më e mira e mundshme nga vet grupet partiake. Këto e kanë bërë demokracinë më të hijshme dhe më funksionale.
Tani, nëse kjo formë e rregullimit shoqëror (Demokracia) do të jetë kulminacioni i avancimit politik; e thënë ndryshe si fund i historisë (Fukuyama, 1992); apo do të ketë përplasje tjera të reja mes qytetërimeve (Huntington, 1993), kjo mbetet të shihet. Një parashikim i tillë nuk është synim i këtij opinioni, madje as edhe ambicie aktuale e autorit. Më shumë, shkrimi merr shkas gjendjen e rëndë të politikës në vend, që për problem bazë ka mënyrën e konceptimit të saj ndër ne.
Dinamika politike në vend, nga një vështrim i thjeshtë, të bënë të kuptosh se mbështetet në improvizime dhe interesa oportuniste të çastit. Ajo të kujton vazhdimisht thëniet: “politika është art i së mundshmes” (Otto Von Bismark, 1971), apo edhe “qëllim që arsyeton mjetin” (Nikolla Makiavelli, 1532). Premisën e parë e tregon niveli i lartë i korrupsionit në vend, ndërkaq premisën e dytë niveli i lartë i krimit dhe kontrabandës. Si do që të jetë, të dyja këto, edhe krimi edhe korrupsioni, nuk janë të metat kryesore në radhët e tërë qenies politike në vend. Realisht, korrupsioni nuk është i pranishëm vetëm në strukturat politike, ai është i pranishëm, shumë madje, edhe në shoqëri, ndonëse dëmi direkt i korrupsionit në politikë është shumë më i madh se sa ai në shoqëri.
Ndryshe, sa i përket pranisë së korrupsionit në shoqëri, nëse një student pranon të përfitoj një notë në forma të ndryshme jo ligjore, me ryshfet apo mënyra të tjera, ai është i korruptuar. Po ashtu, nëse një profesor pranon t’i fal një studenti notën për arsye dhe forma të ndryshme të përfitimit, edhe ky është i korruptuar. Mbi bazën e kësaj, secili person që lëshohet në veprime të këtilla është i korruptuar, dhe parimisht, moralisht nuk ka asnjë të drejtë që t’i akuzoj të tjerët për korrupsion. Ai që korruptohet për një përfitim të vogël, pa dyshim se do të ishte korruptuar edhe në tenderë milionash. Natyrisht, rreziku dhe përgjegjësia do të ishin më të mëdha në atë rast, por edhe lakmia do të ishte shumë më e madhe po ashtu.
Sipas filozofit gjerman, Friedrich Nietzsche (1885), nëse ndokush thotë se nuk ka bërë kurrë ndonjë të keqe, atëherë ai duhet pyetur se sa herë e ka pasur një mundësi të tillë, dhe po njashtu, nëse thotë se ka bërë disa herë mirë, duhet pyetur se sa herë ka pasur mundësi të bëjë mirë. Si do që të jetë, gjersa krimi dhe korrupsioni duket të jenë problem më i theksuar dhe më me pasoja të mëdha në radhët e udhëheqësve të shtetit, gjegjësisht në të zgjedhurit e popullit, ekziston një fenomen tjetër, i shtrirë në pjesën tjetër të Zoon Politikonit tonë, tek zgjedhësit pra, e kjo është marrja e tepërt me partinë, por mos marrja me politikën dhe politikat.
Nuk është aspak i vërtetë gjykimi se njerëzit në Kosovë merren shumë me politikë. Në nivelin qytetar, qenia politike duket të jetë transformuar në qenie partiake, duke bërë kështu që Zoon Politikoni të mos jetë më Zoon Politikon që merret me politikat e krijimit të të mirave të përbashkëta, por Zoon Partiakum që merret me përfitimet e pjesshme të grupeve përkatëse, siç tregon edhe vet epistemologjia e fjalës parti - “partus” (e pjesshme).
E drejta demokratike për të pasur parti, me qëllim që të garohet në krijimin e politikave të mira e gjithëpërfshirëse, është shndërruar në të drejtën për të përfituar pjesshëm dhe padrejtësisht. Në këtë mënyrë, në vend që partia të ishte në funksion të demokracisë, demokracia është ven në funksion të partisë. Për rrjedhojë, nuk sakrifikohet interesi i veçantë për hir të interesit të përgjithshëm, por në kurriz të së përgjithshmes gëzon jetë ajo e veçanta e pjesshme.
Fakti se njerëzit janë shumë të lidhur me partinë, e jo aq me politikën dhe politikat, mund të vërehet shumë lehtë në biseda të thjeshta me ta. Kur diskutohen problemet politike, të marrim çështjen e veriut të Kosovës për shembull, biseda sillet rreth asaj se nëse partia në pushtet po bënë mirë që po negocion, apo opozita po bënë mirë që po e kundërshton ose mbështet. Madje, edhe opinionet e këtij lloji, nuk janë të mbështetura fare në gjykime të pavarura të subjekteve, por në emocionet e tyre për grupet përkatëse. Nëse një person i caktuar favorizon një grup, ai është i prirë të vlerësoj pozitivisht çdo veprim të tyre, dhe automatikisht negativisht çdo veprim të kahut tjetër.
Vërehet qartë se partia është shndërruar në identitet primar tek njerëzit. Mungesa e punësimit dhe angazhimeve të ndryshme sociale, e ka shndërruar partinë në vatër kryesore të strehimit social e psikologjik. Dikur ka qenë e rrezikshme nëse ndonjë shqiptari i keni sharë fisin (për shkak se është identifikuar dukshëm me të), sot është po aq e rrezikshme t’ia shash partinë. Pra, partia dhe individi janë aq shumë të lidhura njëra me tjetrën, sa që personi, ndaj çdo lloj sulmi që i bëhet partisë që ai preferon, reagon sikurse të jetë sulm i drejtpërdrejtë ndaj tij personalisht. Ndërkaq, fatkeqësisht, njeriu, aq më shumë që të jetë i lidhur me partinë, aq më pak do të mund të jetë i lidhur me shoqërinë dhe vendin e tij, e për rrjedhojë aq edhe më pak humanist do të mund të jetë. Kështu që lidhja e tepërt me partinë, jo vetëm që është e panevojshme, por ajo shpesh here mund të jetë edhe e dëmshme.
Natyrisht, e drejta për t’u marr me politikën nëpërmjet partisë është e drejtë e pakontestueshme në demokraci, këtë nuk mund ta mohoj askush. Mirëpo, është partia ajo e cila duhet të jetë në funksion të demokracisë, e demokracia në funksion të shoqërisë, e jo demokracia në funksion të partisë, e partia në funksion të disa partiakeve. Në të kundërtën, gjersa të ekzistoj kjo lloj mendësie politike, përparimi jo vetëm që është shumë më i vështirë, por ndoshta edhe fare i pamundshëm. Qytetarët do të duhej të shqetësoheshin më shumë për politikat që ndërlidhen me jetën e tyre, e më pak për fatin e partisë dhe liderëve që ata preferojnë. Ndërkaq, politikanët, do të duhej të shqetësoheshin më shumë për të mirën e përgjithshme dhe afatgjate, se sa për privilegjet e veçanta dhe afatshkurtra.
Politika mund të konsiderohet si “art i së mundshmes”, por i mundësisë për të mirën së përgjithshme, sepse aq më e konsoliduar që të jetë e mira e përgjithshme, aq më mirë dhe më sigurt do ta ketë edhe e veçanta. Ky është parimi mbi të cilën janë mbështetur arritjet e gjertanishme, dhe as ne nuk mund të bëjmë përjashtim. Herët ose vonë kjo ka për të ndodhur, shqetësimi qëndron vetëm në vonesën e saj.




















































