Komuna e Junikut ka njoftuar tatimpaguesit se janë lëshuar faturat e tatimit në pronë për vitin tatimor 2026, të cilat tashmë janë në dispozicion për pagesë.

Sipas njoftimit nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa, përkatësisht Zyra e Tatimit në Pronë, qytetarët obligohen që të kryejnë pagesat brenda afateve të përcaktuara me ligj.


Pagesa e tatimit në pronë do të realizohet në dy këste. Kësti i parë duhet të paguhet deri më 30 qershor 2026, ndërsa kësti i dytë deri më 30 shtator 2026.

Për të kryer pagesën, tatimpaguesit mund të tërheqin faturën në Zyrën e Tatimit në Pronë në Komunën e Junikut ose përmes platformës online e-Kosova.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë afatet e përcaktuara, në mënyrë që të shmangen penalitetet e mundshme për vonesat në pagesë. /Telegrafi/