Site icon Telegrafi

A do ta sjellin ndryshimin, protestat kundër hixhabit në Iran?

Një protestuese mban portretin e Mahsa Aminit, gjatë një marshimi në Stamboll, në shtator të vitit 2022 (foto: AFP / Getty Images)

Nga: Sanam Vakil / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Në shtator të vitit 2022, një valë e protestave u përhap në të gjithë Iranin, si reagim ndaj vdekjes – në duart e policisë morale të Iranit – të një vajze të re kurde të quajtur Mahsa Jina Amini. Gjatë disa muajve të ardhshëm, këto protesta morën vrull, duke përfshirë zona të ndryshme zgjedhore nga më shumë se 100 qytete dhe universitete në të gjithë Republikën Islamike – në ato që do të njihen si protestat “Gratë, jeta, liria”.

Vdekja e Mahsas frymëzoi kurdët, pakicën etnike baloçi të Iranit, studentët, nxënëset e shkollave, punëtorët, të famshmit, artistët, mësuesit – dhe veçanërisht gratë – të dilnin në rrugë kundër mbajtjes së detyrueshme të hixhabit, padrejtësisë dhe represionit të vazhdueshëm politik.

Përgjigja e establishmentit politik iranian, ndaj kësaj sfide të përhapur, ishte – siç ka qenë gjithmonë – goditja graduale dhe e dhunshme kundër protestuesve dhe shoqërisë në përgjithësi, duke fajësuar gjithashtu fuqitë perëndimore për nxitjen e trazirave.

Pasuan ndërprerjet e komunikimit dhe mbikëqyrja e shtuar. Më pas, mijëra u arrestuan, u mbajtën dhe u torturuan, shumë u gjymtuan dhe u sulmuan, më shumë se 550 njerëz u vranë, vajzat e reja u shtruan në spital nga ekspozimi ndaj sulmeve me gaz toksik, tetë persona u ekzekutuan dhe shumë u dënuan me burgime të gjata. Një mision faktmbledhës i OKB-së, së fundmi arriti në përfundimin se krimet e zbuluara vërtet përbëjnë “krime kundër njerëzimit”.

Këngëtari iranian, fitues i çmimeve Grammy, Shervin Hajipour – kënga e të cilit Baraye (Për) u bë himni i protestave “Liria e jetës së grave” në vitet 2022-2023 – është ndër ata që u dënuan së fundmi me tre vjet burg. Tekstet e Hajipourit dolën nga postimet e iranianëve të zakonshëm të cilët i donin gjërat bazike – “… për të kërcyer në rrugë … për këtë ajër të ndotur … për elitat intelektuale të burgosura dhe për lirinë” – dhe u bënë virale gjatë protestave mbarëkombëtare. Historia e tij është emblemë e sakrificës heroike të iranianëve të panumërt, të cilëve u është shkatërruar jeta dhe mënyra e jetesës nga dora e ashpër e regjimit brutal.

Me autoritarizmin në rritje në mbarë botën, protestat tërhoqën vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare, duke stimuluar shpresat e ripërtërira se shteti iranian do t’ia hapte vendin kërkesave të grave, si dhe shoqërisë më të gjerë, për ndryshime sociale dhe politike. Aspirata më e madhe e pashprehur është se moderimi i tillë do të çonte në zbutjen ideologjike të Republikës Islamike dhe ndryshime në avancimin e programit bërthamor, në qëndrimin antiamerikan dhe mbështetjen për grupet luftarake në gjithë Lindjen e Mesme.

Dy libra të rinj i bëjnë nder lëvizjes së protestave të viteve 2022-23: Çfarë duan iranianët nga historiani Arash Azizi, si dhe vepra me shumë autorë, Gruaja, jeta, liria – që është koleksion tregimesh në stilin e romanit grafik, i redaktuar nga Marjane Satrapi. Satrapi, autore e romanit të mirënjohur grafik autobiografik, Persepolisi (2000), ofron vizualizim të gjallë të protestave dhe të goditjes pasuese të qeverisë. Azizi, ndërkohë, merr një qasje më të gjerë për të treguar se iranianët kanë kohë që protestojnë në favor të reformës. Të dy librat pretendojnë se ndryshimi politik ose revolucionar në Iran është i pashmangshëm, megjithëse i pamundur të parashikohet.

Çfarë duan iranianët ka qasje historike, duke hedhur dritë mbi shtresat e lëvizjes së larmishme të protestës së vendit e cila, që nga revolucioni iranian i vitit 1979, i ka rrënjët në aktivizmin formal, fushatat e organizuara, bojkotet dhe rezistencën e zakonshme të përditshme. Duke kaluar përtej qasjes tradicionale të rishikimit të raundeve të kaluara të protestave – Lëvizja studentore e vitit 1999, Lëvizja e Gjelbër 2009 dhe protestat ekonomike të viteve 2017 dhe 2019 – thjerrëza tematike e Azizit ia ofron lexuesit një mbivendosje të qasshme dhe gjithëpërfshirëse të aktivizmit popullor të udhëhequr nga heronjtë e përditshëm që lëngojnë në burgjet e Iranit ose që mbushin varrezat e tij.

Çdo kapitull ka temën e protestës – duke filluar nga paqja, të drejtat e grave, çështjet e punës, mjedisi, liria e fesë dhe e shprehjes dhe refugjatët afganë – për të thurur historinë e këtyre lëvizjeve, aspiratat publike prapa tyre dhe reagimin shtypës të qeverisë .

“Por, ideologët nuk bëjnë revolucione. Njerëzit e zakonshëm – po”, shkruan Azizi, historian që jeton në ShBA. Lëvizjet e fundit protestuese në Iran, argumenton ai, janë pjesë e një revolucioni të ri për të cilin ai shpreson, por kërkon njohje të historisë dhe veprim bashkëpunues për të ndërtuar mbi sakrificat e së kaluarës.

Secilës temë i jepet ndjesia personale, përmes emrave dhe historive të heronjve dhe martirëve të 45 vjetëve të protestës dhe më gjerë. Disa janë të mirënjohur, si fituesja e çmimit Nobel për Paqe më 2023, Narges Mohammadi, dhe avokati iranian Nasrin Sotoudeh – që të dy të burgosur. Të tjerët janë emrat Niloufar Bayani dhe Sepideh Kashani, të arrestuar për aktivizëm mjedisor në vitin 2018, si dhe Sahar Khodayari e cila e dogji veten për të protestuar kundër ndalimit të grave nga stadiumet, si dhe sindikalisti Ali Nejati. Azizi gjithashtu i kushton hapësirë Nika Shahkaramit dhe Sarina Esmailzadehit që u vranë nga forcat e sigurisë në vitin 2022.

Në anën tjetër, koleksioni i Satrapit ofron një përzierje të perspektivave – përkitazi me rezistencën iraniane dhe goditjet e qeverisë. Nëpërmjet vizualizimit të guximshëm të protestave dhe represionit politik, Satrapi (e cila jeton në Paris) dhe bashkëpunëtorët e saj Farid Vahidi, Abbas Milani dhe Jean-Pierre Perrin, synojnë të frymëzojnë audiencën brenda dhe jashtë Iranit dhe të shtojnë solidaritetin me ata në vend. Ndërkohë që vetëm kopjet që shiten ilegalisht do të arrijnë në Iran, kjo është dëshmia e gjallë dhe e dhimbshme e tyre për zhgënjimin e thellë popullor që ka depërtuar anembanë Iranit dhe për shpresën që e shoqëron atë.

Në këtë përkthim të rrjedhshëm nga Una Dimitrijevic, janë ilustrimet ku kontribuojnë 17 artistë që përshkruajnë ngjarjet rreth vdekjes së Mahsa Aminit dhe protestat që pasuan. Ashtu si Azizi, nxjerrin në pah rolin e heronjve të përditshëm – protestues dhe të burgosur. Për më tepër, vizualizojnë se si slogani “Liria e jetës së grave” u frymëzua nga aktivizmi kurd i cili e sheh dinjitetin dhe përfshirjen e grave si thelbësore për lirinë më të gjerë. Megjithëse revolucioni i vitit 1979 solli përmbysje të të drejtave të grave në Iran, gratë iraniane mbeten shumë të arsimuara dhe, pavarësisht politikës përjashtuese të qeverisë, janë aktive në gjithë shoqërinë.

Puna e tyre bashkon historitë mbi normat patriarkale dhe natyrën e tiranisë së regjimit, duke filluar nga censura te kontrolli autoritar e deri te dhuna dhe torturat në burgun famëkeq Evin në Teheran – ku mbahej, mes shumë të tjerëve, Nazanin Zaghari Ratcliffe me shtetësi të dyfishtë britaniko-iraniane. Ato tregojnë gjithashtu se si sistemi vepron për të ndarë opozitën dhe duke krijuar kulturë frike përmes survejimit, poshtërimit dhe frikësimit.

Vizatimet rrëqethëse të Ali Khameneit – liderit suprem të Iranit – nga Mana dhe Touka Neyestanit, tregojnë për rolin e tij të qartë në sistemimin e represionit. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike shfaqet si roja e tij pretoriane. Një kapitull tjetër është i mbushur me përshkrime të kufizuara të historisë iraniane, grafika për festimin e vitit të ri iranian – dhe përmban një përbërje interesante të iranianëve të famshëm në mbarë botën.

Këto rrëfime nuk rrjedhin gjithmonë nga njëri te tjetri. Por, së bashku hedhin dritë mbi natyrën e larmishme, dinamike të rezistencës iraniane, kontradiktat sociale rreth besimit dhe dëshirës kolektive për një Iran më të mirë. Kapitulli i fundit i titulluar Dhe pastaj?, synon të ndërtojë këtë dëshirë duke vizualizuar bisedën e autorëve se çfarë do të sjellë e ardhmja e Iranit. Ata arrijnë në përfundimin, si Azizi, se ndryshimi politik, nëse jo revolucioni, është i pashmangshëm.

Një aspekt në librin e Satrapit është roli i diasporës pothuajse pesëmilionëshe, afërsisht shtatë përqindëshi i numrit të përgjithshëm të iranianëve, e cila luajti një rol të rëndësishëm në protestat e fundit.

Në përpjekjen unike për solidaritet më të gjerë, protestat ndërkombëtare u organizuan në mbarë botën, nga Toronto në Sidnei dhe Berlin, duke befasuar udhëheqjen iraniane. Udhëheqësit botërorë dënuan shtypjen e qeverisë së Iranit dhe vendosën sanksione ndaj elitës së tij politike.

Figurat e vetemëruara të opozitës në mërgim, u përpoqën shkurtimisht për unitet, madje duke shpallur një kartë të parimeve demokratike – për t’iu shmangur pastaj këtyre vlerave dhe për t’u kthyer në modelet alarmante të konkurrencës dhe sulmeve. Diaspora, për shkak të ndarjeve ideologjike, demografike dhe gjeografike, sigurisht që nuk është ende e gatshme të mbështesë protestuesit, siç duhet, dhe as nuk ka arritur të paraqesë një vizion demokratik për të ardhmen.

Ky unitet i kufizuar i diasporës, së bashku me goditjet e ashpra dhe të vazhdueshme të shtetit, parashikojnë një pamje më të errët në horizont. Pavarësisht krizës të qartë të legjitimitetit, establishmenti politik iranian vazhdon të mbështetet në represionin shtrëngues për të mbrojtur sistemin, duke mbetur kokëfortë ndaj ndryshimit. Në vend që të shihet se mbështet thirrjen popullore për të liberalizuar kodin islamik të veshjes, Parlamenti i Iranit shtoi projektligjin për hixhabin dhe për dëlirësinë që synon të penalizojë sfiduesit.

Nuk është çudi që në zgjedhjet parlamentare dhe për Asamblenë e Ekspertëve të Iranit, në mars, ishte pjesëmarrja më e ulët – prej 41 përqind – në gjithë historinë e Republikës Islamike. Megjithatë, sistemi mbetet i preokupuar me mbijetesën nga sanksionet e shtuara ekonomike dhe mbështetjen e grupeve të rezistencës në gjithë Lindjen e Mesme. Vazhdimi i pashmangshëm klerik i liderit suprem Ali Khamenei, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se tri dekada, sigurisht që do të jetë pika kryesore e kthesës në horizont – për Iranin dhe për popullin e tij.

Të dy librat na tregojnë se protestat iraniane janë pjesë e një vale më të madhe të ndryshimit politik – nëse jo transformimit – të Republikës Islamike. Kur kjo të ndodhë, do të jetë i rëndësishëm ndikimi në shoqërinë iraniane dhe në mbarë Lindjen e Mesme ku Republika Islamike ka qenë forcë destabilizuese.

Ajo që është e pasigurt është nëse ai ndryshim do të sjellë një Iran demokratik apo një version të ri të një Irani autokratik. Teksa Azizi sugjeron se “kërkesa iraniane për normalitet dhe demokraci”, e parë në kryengritjen e vitit 2022, i kundërvihet prirjes së shtuar autoritare globale, ai dhe Satrapi janë të paqartë se si iranianët do të ecin para. Duke u mbështetur te historia dinamike e Iranit, e drejtuar nga protestat, sigurisht që mund të jetë e sigurt se në mungesë të reformave politike, ekonomike apo sociale, më shumë trazira janë në lojë.

Megjithatë, për ta përkthyer veprimin e tillë në realitet më efektiv, iranianët duhet të reflektojnë jo vetëm mbi sakrificën e heronjve dhe martirëve të kaluar, por edhe mbi mënyrën se si t’i bashkojnë nismat e tyre të ndryshme të aktivizmit – në një platformë kolektive për veprim. “Si gjithmonë me revolucionet, beteja e vërtetë fillon nesër”, përfundon Azizi. Në realitet, bashkëpunimi duhet të fillojë që sot. /Telegrafi/

 

Exit mobile version