Nga pista në rutinën e përditshme: Efekti është joshës, por aspak i ekzagjeruar, mjaftueshëm dramatik për të theksuar shikimin

Pas sfilatës spektakolare të Ralph Lauren me të cilën u hap Java e Modës në Nju Jork, markat nisën të paraqesin koleksionet e tyre për pranverë/verë 2026. Teksa reflektorët ishin të drejtuar mbi koleksionet dhe siluetat që paralajmërojnë çfarë do të veshim sezonin e ardhshëm, frymëzimi i vërtetë për sektorin e bukurisë fshihej pas skene. ‘Backstage’, edhe këtë vit, ishte mbretëria e kreativitetit, ndërsa një trend grimi na tërhoqi veçanërisht vëmendjen dhe, duke gjykuar nga reagimet, do të jetë i paevitueshëm që këtë vjeshtë. Bëhet fjalë për një interpretim të dukjes klasike smoky eyes – këtë herë në versionin kafe dhe të zezë klasike, të cilin e vumë re në sfilatën e brendit Grace Ling.


Smoky eyes modern

Ndryshe nga pamja klasike, e rëndë e smoky eyes që dominoi fillimin e viteve 2000, versioni i ri është më i butë, më elegant dhe përputhet në mënyrë të përkryer me frymën e vjeshtës. Në sfilatën e Grace Ling, modelet mbanin një kombinim të toneve të ngrohta kafe dhe hijeve të zeza mat, të vendosura në mënyrë që të dukeshin si të shpërndara natyrshëm, jo me forma të mprehta e të përcaktuara. Efekti është joshës, por aspak i ekzagjeruar, mjaftueshëm dramatik për të theksuar shikimin, por edhe mjaftueshëm i butë që të mund të vishet edhe jashtë daljeve të mbrëmjes, transmeton Telegrafi.

Truket ‘backstage’ që do t’i adoptojmë

Artistët e grimit përdorën formula kremozë, që përzihen lehtë me gishta ose me furça të buta, duke krijuar më thjesht efektin difuz rreth syve. Në vend të eyeliner-it të rëndë, u përdorën lapsa që më pas u shpërndanë, ndërsa maskara u aplikua lehtë, në një shtresë të hollë, pothuajse të padukshme, në mënyrë që qerpikët të dukeshin natyralë, por sërish të theksuar. Ky efekt i lehtë u pa edhe te lëkura: një bazë e pastër, me një shkëlqyes të lehtë dhe buzë në tonet nude. Sepse fokusi është ekskluzivisht te sytë, dhe kjo është ajo që e bën këtë version të smoky eyes modern edhe jashtë pasarelave apo daljeve të natës.

Ky grim mund të kombinohet me një bluzë të bardhë bazike dhe xhinse, bashkë me çizme kauboj ose mokasina nga lëkura e kthyer. Gjithashtu, një xhaketë të madhe prej lëkure të kthyer është e duhura e sezonit.


/Telegrafi/