Site icon Telegrafi

Sven-Goran Eriksson tregon se si u befasua kur Mbretëresha Elizabeth II i zbuloi futbollistin e saj të preferuar

Trajneri i njohur, Sven-Goran Eriksson u befasua nga ajo që Mbretëresha Elizabeth II e zbuloi, duke ia treguar futbollistin e saj të preferuar gjatë një dreke speciale gjatë kohës sa drejtonte Kombëtaren e Anglisë.

Suedezi ishte në krye të Anglisë për pesë vjet midis viteve 2001 dhe 2006 – duke menaxhuar një skuadër që u quajt “Gjenerata e Artë”.

Gjatë mandatit të tij, Eriksson përfundoi duke marrë pjesë në një pritje mbretërore nga Mbretëresha Elizabeth II dhe ajo i tregoi atij se ishte një tifozë e madhe e ish-sulmuesit Michael Owen.

Menaxheri i njohur suedez priste që Mbretëresha të zgjidhte David Beckham duke qenë se ai ishte kapiteni dhe ylli më i madh i ekipit kombëtar.

Por në vend të kësaj, Mbretëreshës Elizabeth II i pëlqeu më shumë Owen, i cili fitoi Topin e Artë në vitin 2001 pas një viti plot shkëlqim për Liverpoolin.

“Gjenerata e artë” e Anglisë së Erikssonit

“Isha i ftuar në drekë me Mbretëreshën me rreth 10 persona të tjerë. Në një moment të caktuar, e pyeta nëse i pëlqente futbolli. Ajo tha nuk i pëlqente aq”, ka thënë fillimisht Eriksson duke folur në podcastin ‘Sacked in the Morning’.

“E pyeta për lojtarin ose ekipin e saj të preferuar. Mendova se do të thoshte Beckham”.

“Michael Owen është lojtari im i preferuar”, tha ajo. E pyeta pse dhe ajo tha: “Ai duket shumë i pastër”. Kjo ishte përgjigja. E mora dhe nuk vazhduam me atë diskutim”, përfundoi ish-trajneri i Anglisë.

Owen shënoi një gol të paharrueshëm individual kundër Argjentinës në vitin 1998 dhe gjeti rrjetën në 89 paraqitje për vendin e tij.

Goli i tij i fundit erdhi kundër Rusisë në një ndeshje kualifikuese për Euro 2008 në Wembley në vitin 2007. /Telegrafi/

Exit mobile version