“Superman" rikthehet fuqishëm - filmi i ri mbledh 200 milionë euro në fundjavën e parë

Filmi më i ri i Warner Bros, “Superman”, ka debutuar me sukses të madh në kinematë amerikane dhe ndërkombëtare, duke shënuar një fillim të fuqishëm për epokën e re të super-heronjve të DC Comics në ekranin e madh.
Gjatë fundjavës së hapjes, filmi ka arkëtuar 110 milionë euro në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, ndërsa në tregjet ndërkombëtare ka grumbulluar 90 milionë euro, duke çuar totalin global në 200 milionë euro, sipas të dhënave të konfirmuara nga Warner Bros të dielën.
Ky film përfaqëson një rilindje të françizës së Supermanit, një nga figurat më ikonike të botës, që u shfaq për herë të parë në vitin 1938. Në këtë version të ri, rolin e luan aktori David Corenswet, i cili për herë të parë merr përsipër këtë karakter legjendar.
Suksesi ose dështimi i këtij filmi shihet si vendimtar për të ardhmen e studios Warner Bros dhe të degës së saj të specializuar, DC Studios. Megjithëse DC ka në portofol emra të mëdhenj si “Batman” dhe “Wonder Woman”, ndër vite nuk ka arritur të rivalizojë fuqinë tregtare të Marvel-it dhe sukseset e tij nën ombrellën e Disney-t.
Filmi i ri është shkruar dhe drejtuar nga James Gunn, i njohur më parë për trilogjinë e suksesshme të “Guardians of the Galaxy” në Marvel.
Gunn u emërua bashkëdrejtor i DC Studios në vitin 2022, së bashku me producentin Peter Safran, me qëllimin për të reformuar dhe rilindur universin kinematografik të DC-së.
Me një nisje kaq të fortë dhe interes të lartë nga publiku, “Superman” pritet të jetë një ndër shtyllat kryesore në rindërtimin e botës së DC-së në ekranin e madh dhe të japë tonin për filmat e ardhshëm që do të ndjekin këtë linjë të re kreative. /Telegrafi/












































