Policia e Kosovës (PK) nuk ka arritur të identifikojë asnjërin prej sulmuesve të Zyrës së Presidentit të Kosovës, ku të shtunën u gjuajt me gurë dhe koktej molotovi.

Dështimi i organeve të rendit që të zbulojnë shkaktarët e këtij sulmi, por edhe sulmeve tjera, ka bërë që partitë në pushtet këto akte t’i ndërlidhen me veprimet politike të opozitës, shkruan sot Koha Ditore.


Të shtunën në orët e hershme të mëngjesit nga persona të maskuar është sulmuar objekti i Kuvendit të Kosovës, ku cak kanë qenë zyrat e Presidencës, përcjell koha.net. Fillimisht dyshohet se me gurë është thyer xhami i dritares dhe më pas është tentuar të hidhet shishja e molotovit.

Sipas versionit të policisë, shishja ka goditur murin ku shihet edhe një sipërfaqe e nxirë rreth tij me rastin e thyerjes së shishes.

Megjithëse objekti i Kuvendit vëzhgohet nga kamerat e sigurisë dhe ka prezencë të policisë 24 orë, nuk ka ende asnjë të dyshuar për këtë rast.