Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
A e mbani mend kur thamë që Jeta e zezë ka rëndësi [Black Lives Matter]? Nuk e kishim seriozisht. Kjo është e qartë tani, ndërsa bota shikon një luftë që po vret dhjetëra mijëra njerëz, që ka zhvendosur më shumë se 10 milionë dhe që kërcënon të gllabërojë 13 milionë të tjerë përmes urisë – dhe pothuajse nuk i kushton fare vëmendje. Shumica e këtyre njerëzve janë të zinj dhe është mëse e dukshme që, për një botë indiferente, jeta e tyre nuk ka aspak rëndësi.
Mos u ndje keq nëse ende nuk e ke kuptuar për cilin konflikt dhe projekt të spastrimit etnik po flas. Me disa përjashtime të vlefshme, është pothuajse i pavërejtur në televizion, në radio apo në gazeta. Shumica e politikanëve as nuk e përmendin. Nuk ka demonstrata masive në rrugë, nuk ka hashtage në mediat sociale. Në vend të kësaj, lufta në Sudan është jashtë syrit dhe jashtë mendjes – për shkak se dimë pak për Afrikën dhe shumë më tepër për të tjerët.
Konflikti është i tmerrshëm që nga prilli i vitit 2023, kështu që nuk ka munguar koha për ta vënë re. As përmasa epike nuk mungon. Përkundrazi, organizatat e ndihmës thonë se Sudani po përballet me “krizën më të rëndë humanitare në botë”. Vuajtja nuk është e ndërlikuar apo abstrakte, por prekëse dhe e mbushur me atë lloj tmerri që zakonisht do të tërhiqte vëmendjen globale.
Merrni për shembull dëshminë e një prej atyre miliona njerëzve që kanë ikur nga Sudani për në Çad – të një gruaje të re me emrin Maryam Suleiman. Ajo i tregoi New York Times-it për ditën kur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë [FMSh] – versioni i ri i Xhanxhavidit, milicisë arabe përgjegjëse për masakrën e Darfurit dy dekada më parë – u futën në fshatin e saj. Burrat e armatosur rreshtuan burrat dhe djemtë, ndërsa udhëheqësi i tyre deklaroi: “Nuk duam të shohim asnjë njeri të zi. Nuk duam të shohim as qese të zeza plehrash”. Më pas qëlloi një gomar të zi, për të sinjalizuar qëllimin e tij. Pas kësaj, burrat e FMSh-së filluan të ekzekutonin të gjithë meshkujt e zinj mbi moshën 10 vjeç, përfshirë pesë vëllezërit e Maryamit dhe disa të vegjël. Një foshnjë njëditëshe u hodh përtokë dhe u vra, ndërsa një djalë i vogël u hodh në një pellg dhe u mbyt. Dhe pastaj, “ata përdhunuan shumë, shumë vajza”. I quanin “skllave” dhe u thanë: “Nuk ka vend për ju njerëzit e zinj në Sudan.”
Si është e mundur, pra, që kjo përpjekje e nisur 20 vjet më parë për të përfunduar shkatërrimin e një popullate, nuk është një nga çështjet kryesore të kohës sonë, që të zërë faqet e para të gazetave dhe të lajmeve të transmetuara, për të shkaktuar protesta të zjarrta? Unë fola me Kate Fergusonin, nga organizata Qasjet ndaj Mbrojtjes [Protection Approaches], e cila po bën gjithçka që mundet për të tërhequr vëmendjen e politikanëve ndaj kësaj lufte të egër. Por është një luftë e vështirë.
Nuk ka as një vlerësim të përafërt të numrit të viktimave – shifrat shkojnë deri në 150 mijë ose më shumë – sepse askush nuk i numëron të gjithë të vdekurit. Në këtë luftë civile, nuk ka asnjë mekanizëm shtetëror zyrtar, as ndonjë Ministri të Shëndetësisë për të publikuar shifra ditore. As OJQ-të ndërkombëtare nuk mund ta bëjnë këtë sepse, thotë Ferguson, “askush nuk ka ekipe të mëdha në terren”. Grupet lokale bëjnë më të mirën, por “bota nuk po i dëgjon ata”. Kjo vlen edhe për mediat, ku për shembull, mbulimi i katastrofës që është lufta Izrael-Hamas ka qenë shumë më i gjerë sesa mbulimi i dhunës në Sudan. (Dhe, nuk e përjashtoj veten time: kam shkruar dhjetëra herë për të parën dhe vetëm tani për këtë të fundit.) Me disa katastrofa që po zhvillohen në botë, ka shumë pak hapësirë për këtë.
Megjithatë, gjithë kjo më shumë e komplikon sesa e jep përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje. Është e vërtetë që ka vuajtje të pafundme që meritojnë vëmendjen, nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme, dhe që vëmendja jonë është e kufizuar. Por, asgjë nga kjo nuk shpjegon pse duhet të jetë katastrofa në Sudan ajo që po anashkalohet.
Ferguson pyet veten nëse ekziston ndjesia se Darfuri duhej të ishte “mbyllur” 20 vjet më parë dhe se shumë nga të famshmit dhe të tjerët që patën një qëndrim atëherë, janë lodhur nga mundësia e ballafaqimit me të njëjtën gjë përsëri. Është gjithashtu e qartë se natyra e konfliktit në Sudan, një luftë civile, do të thotë se nuk ka një qeveri të vetme, nuk ka një figurë si Volodymyr Zelenskyy pas të cilit të rreshtohen të huajt.
Kam frikë se faktorët më të vegjël janë në lojë, duke filluar nga fakti se kjo është një luftë në Afrikë. Sigurisht, në formë të padeklaruar dhe ndoshta të pavetëdijshme, është mendimi se kjo thjesht është ajo që ndodh në një vend që për shekuj të tërë ka ekzistuar në imagjinatën perëndimore si “kontinenti i errët”. Në heshtjen e Perëndimit, ka një pëshpëritje të asaj që, në një kontekst tjetër, George W. Bush dikur e quajti “paragjykimi i lehtë i pritshmërive të ulëta”. Si të thuash, redaktorët e lajmeve dhe ministrat e Jashtëm, shumë prej tyre në heshtje thonë: “Është Afrikë. Çfarë tjetër prisni?”
Por, ndërsa kjo mund të shpjegojë mungesën e vëmendjes së mediave dhe politikanëve, nuk na tregon plotësisht pse aktivistët dhe progresistët kanë qenë kaq të ngathët. Të njëjtët njerëz që dolën në rrugë kur George Floyd u vra në Mineapolis, mezi kanë thënë një fjalë për vrasjet e organizuara të dhjetëra mijëra burrave dhe grave të zinj në Sudan.
A mund të ndodhë që progresisti perëndimor nuk e di saktësisht kë duhet të mbështesë? Si FMSh-ja ashtu edhe Forcat e Armatosura të Sudanit [FAS] janë fajtorë për krime të tmerrshme dhe nuk ka ndonjë strukturë të thjeshtë narrative dhe të njohur në të cilën mund të futet ky konflikt. Shumëkush në të majtën e sotme e ka organizuar botën, të kaluarën dhe të tashmen, në dy kategori të qarta. Ka të shtypur dhe shtypës, ka të kolonizuar dhe kolonizatorë. Në disa konflikte duket e lehtë të etiketosh çdo palë – megjithëse gabimisht – dhe të mbështesësh ose të kundërshtosh në përputhje me rrethanat. Nuk ke nevojë as të mendosh. Por, çfarë duhet të bësh kur e mira dhe e keqja nuk janë të ndara qartë, kur një konflikt nuk është, qoftë fjalë për fjalë apo në mënyrë metaforike, bardhë e zi?
Përballë kësaj dileme, është më e lehtë thjesht të shpallësh se gjithçka është shumë e ndërlikuar dhe të kthesh kokën diku tjetër. Shumëkush në të majtën e bëri këtë gjatë luftës civile në Siri. Disa u mbështetën në udhëzuesin e tyre të menjëhershëm e të përdorur shpesh për konfliktet ndërkombëtare – mbështesin cilëndo palë që kundërshtohet nga SHBA-ja – por, kjo i çoi ata në një terren të vështirë. Të tjerët preferuan të prisnin, edhe pse më shumë se 600 mijë njerëz u vranë.
Është një dëshmi tjetër se, kur bëhet fjalë për pikëpamjen për botën, “anti-kolonializmi” i vrazhdë është një lente tmerrësisht e turbullt. Funksionon vetëm nëse mendon se planeti ynë është i ndarë në të mirë dhe të këqij, në vend që të kuptosh se disa përplasje vendosin dy shkaqe të thjeshta kundër njëri-tjetrit, ndërsa të tjerat përfshijnë përplasjen e të dy llojeve të ligësisë, ku secila pretendon se vepron në emër të të shtypurve.
Populli i Sudanit nuk duhet të kërkojë falje për faktin se tragjedia e tyre nuk i përshtatet versionit të moralit të tregimeve që shumë njerëz duket se dëshirojnë. Jemi ne ata që duhet t’u kërkojmë falje atyre, për injorimin e tyre në mjerimin e tyre – dhe për pretendimin se na ka ndier ndonjëherë. /Telegrafi/
Lexo po ashtu: Ukraina, Gaza dhe ngritja e gjeopolitikës së identitetit