LAJMI I FUNDIT:

Stefanovici, shuplakë Qeverisë!

Vizita e Borko Stefanovicit ka nxjerrë në pah mentalitetin qeverisës jo shtetformues të Qeverisë së tanishme të Kosovës. Realisht kjo vizitë do të ishte krejt në suaza të normales po të ishte bërë në harmoni me realitetin e krijuar, që nga 17 shkurti i 2008, konkretisht po të ishte njohur Pavarësia e Kosovës nga Serbia. Përderisa kjo e fundit nuk ka ndodhur, dhe vetë kryenegoaciatori serb deklaron se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe po bisedohet për një “zgjidhje të statusit të Kosovës brenda Serbisë”, është një gabim fatal dhe këndvështrim miop që Qeveria e Kosovës të organizoj pritje për kryenegociatorin serb.

Bisedimet janë vlerë e shoqërisë dhe mundësi e vetme për të zgjidhur problemet, por me Serbinë gjërat janë më ndryshe për shkak të së kaluarës. Ky shtet fqinjë përveç vrasjeve e shkatërrimeve, edhe sot ka pretendime territoriale dhe ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Atëherë si mund të flitet për bisedime siç i quajnë zyrtarët tanë “produktive”? Ky nuk mund të quhet asgjë më shumë përveç marketing politik para bashkësisë ndërkombëtare, kinse ne jemi properëndimor, evropian të civilizuar etj , por fatkeqësisht e vërteta është ndryshe pasi këta njerëz që na udhëheqin nuk kane vizion, thjeshtë i bëjnë gjerat tani për tani si t’ju vije rasti. Kemi të bëjmë me një qeveri te Zanzibareve.


Negociatat e filluara me Serbin nuk kanë sjellë dhe s’mund të sjellin rezultate, derisa edhe atje të mos ndryshohet mentaliteti, e të pranohet realiteti se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, se kjo e fundit duhet të tregojë për fatin e qindra e qindra te zhdukurve, të heq pretendimet për territoret e Kosovës dhe të kërkoj falje për krimet e bëra ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në të kundërtën vetëm do të vazhdoj ky raport në mes të Kosovës dhe Serbisë pa asnjë ndryshim.

Ne si shoqëri nuk jemi kundër ndonjë vizite të kujtdo, por në këtë rast kushtet ende nuk janë pjekur dhe ashiqare Serbia është po ajo qe ka qenë edhe gjatë viteve 98-99, vetëm se tani në krye te saj nuk është një Millosheviq i çmendur, por një Tadiq “dhelpra dinake”.

Ajo që ra në sy gjatë kësaj vizite ishte protesta e VETEVENDOSJES!, e cila ishte shprehja e frustrimit të popullit me rrjedhat politike të kësaj Qeverie, pasi ato ekonomike, arsimore e shëndetësore vetëm po shihen. Ajo qe me erdhi keq ishte ofendimet dhe lëndimet ndaj policëve të Kosovës, të cilët janë të detyruar të reagojnë, dhe fatkeqësisht pati të lënduar si nga protestuesit dhe nga policët, ndërsa Bosset po fshiheshin pas xhipave të shtrenjtë.

Tradicionalisht ne shqiptarët jemi dalë të humbur nga bisedimet me vendet të cilat na kanë pushtuar dhe duan të na pushtojnë prapë, andaj duhet të marrim mësim nga e kaluara, që edhe në të ardhmen nipat tanë të mos na mallkojnë, e historia të mos na gjykojë. Është koha të mendojmë për veten tonë dhe, si popull të mbrojmë trojet dhe të drejtën tonë. Duhet të ndryshojmë këtë kahje që po na çon kjo qeveri. Kjo bëhet duke u mbështetur në të drejtat tona, si dhe në miqësinë e përhershme me SHBA, por edhe fqinjësi të mirë. Megjithatë Serbia duhet të jetë e para të bëj hapin e pajtimit, duke kërkuar falje, pasi ajo ishte agresori dhe ne viktima. Ndërsa Qeveria e Kosovës duhet të hap sytë dhe t’i kthej ata nga populli jo vetëm kur duhet për të marrë votat, por mbi te gjitha kur duhet mbrohet e drejta politike dhe historike e tyre.