Gjiganti bankar UBS është pajtuar të blinte bankën rivale Credit Suisse për më shumë se 3 miliardë euro, një marrëveshje e nxitur nga autoritetet zvicerane.
Credit Suisse ishte përpjekur të rimëkëmbej nga skandalet, humbjet dhe paditë, por aksionet e saj ranë javën e shkuar për shkak të pasigurisë se mund të prekej nga kriza bankare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Autoritetet u përpoqën gjatë gjithë fundjavës të shpëtonin nga falimentimi këtë bankë, një prej institucioneve më të rëndësishme financiare në botë dhe bisedimet u përmbyllen me marrëveshjen që UBS të blinte për mbi 3 miliardë euro rivalin e saj si edhe të merrte përsipër humbjet e bankës prej më shumë se 5 miliardë euro.
Disa ditë para shitjes, në një përpjekje për t’i shpëtuar falimentimit, Credit Suisse mori një hua prej 54 miliardë dollarësh nga Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) për të përmirësuar likuiditetin dhe besimin e investitorëve, në një kohë që aksionet e saj ranë në nivel rekord, të ndikuara nga falimentimi i dy bankave në SHBA, që nxiti shqetësime për një efekt domino edhe tek banka të tjera në botë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Banka me qendër në Cyrih, u bë kështu banka e parë e madhe në botë të cilës iu dha mbështetje emergjente financiare që nga kriza e vitit 2008.
Problemet e Credit Suisse shkaktuan rënie të aksioneve bankare në Evropë pasi investitori i saj më i madh Saudi National Bank njoftoi se nuk mund t’i ofronte më mbështetje financiare për shkak të kufizimeve rregullatore.
Në shkurt të 2023-së, Credit Suisse raportoi një humbje neto prej më shumë se 7 miliardë euro për vitin 2022, humbja më e madhe që nga kriza financiare e vitit 2008 dhe paralajmëroi për humbje të mëdha edhe për vitin 2023.
Banka u përball me një rritje të tërheqjes së depozitave në tremujorin e katërt të 2022. Transferimi i depozitave kapi shifrën e më shumë se 100 miliardë euro, por banka tha se situata po përmirësohej.
Në qershor 2022, banka u shpall fajtore se kishte dështuar të pengonte pastrimin e parave nga një trafikant bullgar droge. Sipas gjykatës, banka kishte mangësi në mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave kundër pastrimit të parave. Banka Credit Suisse tha se do të apelojë vendimin.
Një gjykatë e Bermudës vendosi në mars të vitit 2022 që ish-kryeministri gjeorgjian Bidzina Ivanishvili dhe familja e tij duhej të kompensohej me më shumë se 500 milionë euro nga dega lokale e bankës Credit Suisse.
Gjykata tha se Ivanishvili dhe familja e tij duhet të kompensoheshin për dëmet e shkaktuara si rezultat i një mashtrimi afatgjatë të kryer nga një ish-këshilltar i bankës Credit Suisse, Pascale Lescaudron.
Lescaudron u dënua nga një gjykatë zvicerane në vitin 2018 për falsifikimin e nënshkrimeve të ish-klientëve, përfshirë atë të Ivanishvilit, gjatë një periudhe tetë vjeçare. Banka ka thënë se pret që kjo çështje, e cila është në apel, t’i kushtojë bankës rreth 600 milionë dollarë.
Credit Suisse humbi 5.5 miliardë dollarë kur fondi amerikan Archegos Capital Management, pjesë e bankës, falimentoi në mars të vitit 2021. Investimet e fondit në aksione të disa firmave teknologjike dështuan dhe vlera e tij ra ndjeshëm.
Një raport i pavarur për incidentin kritikoi sjelljen e bankës, duke thënë se humbjet e saj ishin rezultat i një dështimi të menaxhimit dhe kontrollit të investimeve.
Banka u detyrua të ngrinte 10 miliardë dollarë në fondet e financimit të zinxhirit të furnizimit në mars 2021 kur financuesi britanik Greensill Capital falimentoi pasi humbi mbulimin e sigurimit për borxhin e lëshuar kundrejt kredive të dhëna për kompanitë.
Rregullatorët zviceranë e kanë qortuar Credit Suisse për dështime “serioze” në trajtimin e biznesit shumë miliardë dollarësh me Greensill.
Aksionerët e bankës hodhën poshtë një propozim të bordit të bankës për të mos i mbajtur përgjegjës drejtuesit e bankës për gabimet e vitit 2020, duke nxjerrë kështu në pah zemërimin e investitorëve për gabimet e kushtueshme të bankës.
Shefi ekzekutiv i Credit Suisseit, Tidjane Thiam u detyrua të largohej në mars 2020 pasi një hetim zbuloi se banka kishte punësuar detektivë privatë, për të përgjuar ish-shefin e Menaxhimit të Pasurive, Iqbal Kahn pasi ai u largua për një post tjetër te rivali i vjetër i bankës UBS.
Rregullatori financiar i Zvicrës tha se Credit Suisse kishte mashtruar në lidhje me shkallën e përgjimit. Rregullatori tha se banka kishte planifikuar shtatë operacione të ndryshme përgjimi midis vitit 2016 dhe 2019 dhe kreu shumicën e tyre.
Në përgjigje, banka tha se e dënonte spiunimin dhe kishte ndërmarrë hapa “vendimtarë” për të përmirësuar drejtimin e bankës dhe respektimin e zbatimit të rregullave. /Telegrafi/