Spitali i Përgjithshëm furnizon Njësinë e Dializës me 45 karrige moderne

Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka realizuar një investim të ri në kuadër të përmirësimit të kushteve për pacientët, duke furnizuar Njësinë e Dializës me 45 karrige moderne për dializë.
Sipas njoftimit të spitalit, karriget e reja janë të dizajnuara për të ofruar komoditet, siguri dhe funksionalitet më të lartë gjatë trajtimit, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimin e përvojës së pacientëve.
Ky investim, po ashtu, synon të krijojë kushte më të mira pune për stafin mjekësor dhe infermieror, duke lehtësuar procesin e trajtimit dhe kujdesit ndaj pacientëve që i nënshtrohen dializës.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është shprehur edhe falënderim i veçantë për stafin e Njësisë së Dializës, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj pacientëve.
Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë me investime konkrete në shërbim të pacientëve dhe shëndetit publik. /Telegrafi/

















































