Skandali seksual i viteve 1970 që çoi në një gjyq dramatik

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Një marrëdhënie e paligjshme homoseksuale, një komplot i dështuar dhe një qen i vrarë ishin në zemër të asaj që shtypi britanik e quajti "gjyqi i shekullit". Në qendër ishte Jeremy Thorpe: udhëheqës i Partisë Liberale, një shtyllë e shtetit dhe politikani i parë britanik që u gjykua për komplot dhe nxitje për vrasje. Historia doli në dritë më 29 janar 1976, kur gjatë një seance gjyqësore, ish-i dashuri i tij Norman Scott bërtiti: “Po ndiqem gjithë kohës prej njerëzve për shkak të marrëdhënies sime seksuale me Jeremy Thorpein”. Dyshja u portretizua në dramën e BBC-së të vitit 2018, Një skandal shumë anglez [A Very English Scandal] nga Hugh Grant (në rolin e Thorpeit) dhe Ben Whishaw (në rolin e Scottit). Zbulimi bombastik i Scotti ishte akti i parë i një drame ligjore, më të çuditshme sesa trillimi, detajet e së cilës do të bëheshin gjithnjë e më të habitshme.
Lexo po ashtu: Skandali seksual i viteve '60 që tronditi politikën britanike
Thorpe ishte shkolluar në Kolegjin elitist Eton, ku u kishte thënë miqve se dy ëndrrat e tij më të mëdha në jetë ishin të bëhej kryeministër dhe të martohej me princeshën Margaret. Për një adoleshent të privilegjuar dhe me lidhje të fuqishme, asnjëra nga këto fantazi nuk dukej shumë e paarritshme. Më vonë, si student juridiku në Universitetin e Oksfordit, ai la përshtypje si për veshjet ekstravagante në stilin e Epokës Eduardiane, ashtu edhe për talentin si debatues karizmatik. Pas diplomimit, u bë avokat dhe prezantues televiziv, por ambicia e tij politike vazhdoi të ziente. Si imitues i lindur dhe njeri me prirje skenike, në vitin 1959 u zgjodh deputet liberal në moshën 30-vjeçare.
Me këtë pedigre, ai dukej i destinuar për majat e politikës, por pas fasadës publike ishte fshehtas homoseksual, në një kohë kur homoseksualiteti mashkullor ishte i paligjshëm. Përveç dënimeve të rënda ligjore para se ligji të ndryshonte në vitin 1967, dëshpërimi moral i shoqërisë i linte ata, që bënin jetë të fshehtë, të cenueshëm ndaj shantazhit. Për një aspirant për kryeministër, pasojat e një ekspozimi do të ishin shkatërrimtare. Por, Thorpe e donte rrezikun dhe kishte një sërë marrëdhëniesh të shkurtra dhe të rastësishme. Në verën e vitit 1961, ai u njoh me një model të ri me origjinë të thjeshtë, të cilin nuk do të mund ta linte mënjanë.
Duke u kthyer pas në vitin 1977, Norman Scott i tregoi BBC‑së se si u takuan për herë të parë, “fjalë për fjalë mbi një derë stalle”. Në atë kohë, Scotti përdorte emrin Norman Josiffe dhe ishte i punësuar për t’u kujdesur për kuajt e një kalorësi profesionist. Ai tha se Thorpe “dukej si një njeri i ngrohtë” dhe ata filluan të takoheshin rregullisht. Me Scottin gjithmonë pa para dhe që luftonte me probleme të shëndetit mendor, ata formonin një çift të çuditshëm. Kur Scotti u arrestua për dyshime për vjedhje në dyqan, Thorpe foli në mbrojtje të tij para detektivëve. Ai i dha Scottit qasje në llogaritë në dyqanet luksoze të rrobave në Londër dhe e prezantoi me miqtë e tij të pasur. Ndërsa Thorpe e kishte hedhur poshtë çdo korrespondencë mes tyre, letrat e tij të përzemërta, por komprometuese, u ruajtën me kujdes dhe u mbajtën si prova nga Scotti.
Për ironi, Scotti gjithnjë e më i paqëndrueshëm ishte ai që i dha fund marrëdhënies. Ai tha: “I thashë këtij miku tonë të përbashkët se do ta ndaloja gjithë këtë punë. Nuk e dija si, por ishte tepër për mua. Nuk mund ta përballoja. Do ta shkatërroja atë dhe veten time”. I vetëm dhe pranë dëshpërimit, ai filloi të fliste hapur për vrasjen e Thorpeit dhe më pas për vetëvrasjen e tij. Një mik i shqetësuar kontaktoi policinë. Në intervistat me policët, Scotti e inkriminoi veten duke pranuar se kishte qenë në një marrëdhënie me Thorpein. Jo vetëm kaq, por ai kishte edhe gjurmë të shkruara për ta vërtetuar. Por, kush do ta besonte këtë njeri në dukje të paqëndrueshëm që bënte këto pretendime të çuditshme për një figurë kaq të shquar?
Skandale seksi dhe spiunazhi
Doli se shërbimet e sigurisë tashmë kishin dosje konfidenciale që përshkruanin jetën private të komprometuar të Thorpeit, por asnjë nga akuzat nuk u hetua zyrtarisht. Në një dokumentar radiofonik të vitit 2014, reporteri i çështjeve aktuale të BBC‑së, Tom Mangold, vuri në dukje se, më shumë se një mbulesë, gjithë mosveprimi ishte “i bazuar në mirëkuptime të heshtura dhe supozime të nënkuptuara të qenësishme në shoqërinë britanike” të asaj kohe. Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, Britania po tronditej nga një seri skandalesh seksi dhe spiunazhi. Kishte tashmë rastin e John Vassallit, një nëpunës civil homoseksual që kishte nxjerrë sekrete shtetërore britanike te sovjetikët nën kërcënimin e shantazhit. Menjëherë pas kësaj erdhi afera e ministrit të Luftës, John Profumo - me Christine Keelerin, një modele e re që kishte njëkohësisht lidhje me një spiun rus. Gjëja e fundit që establishmenti britanik dëshironte ishte një tjetër skandal, këtë herë që përfshinte një yll parlamentar në ngritje.
Scotti nuk u dekurajua nga ky bllokim institucional dhe i shkroi nënës së Thorpeit. “Mendova se ajo dinte për marrëdhënien tonë”, këmbënguli më vonë Scotti për BBC‑në. Edhe pse nuk ishte një letër shantazhi, ajo përmbante nënkuptime që e tmerruan Thorpein kur ai e mori letrën pa u dorëzuar. Letra ishte provë se Scotti po kalonte nga një bezdisje në një kërcënim. Thorpe u rrëfye te miku dhe kolegu i tij deputet liberal, Peter Bessell, i cili pranoi të takonte Scottin dhe “të përpiqej t’i zgjidhte vështirësitë e tij”. Në vitin 1967, pas vetëm tetë vjetësh në Parlament, Thorpe u bë udhëheqës i partisë, duke premtuar ta kthente Partinë Liberale në një forcë radikale dhe novatore. U bë më e rëndësishme se kurrë të sigurohej që Scotti të heshtte. Besselli organizoi t’i paguhej një pagesë e vogël javore dhe u përpoq t’i gjente një punë. Por, Scotti nuk u kënaq.

Të dy burrat kishin jetë të ndërlikuara personale. Thorpe u martua me Caroline Allpassin në vitin 1968 dhe patën një djalë. Ajo u vra në një aksident automobilistik pak pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1970. Në vitin 1973, ai u martua me Marion Steinin, e njohur edhe si Kontesha e Hervudit, një pianiste koncertesh, me origjinë austriake, e cila do t’i qëndronte besnike deri në fund. Scotti u martua me Sue Myersin në vitin 1969; ata patën një djalë, por u ndanë shpejt më pas.
Teksa Thorpe vazhdonte të lulëzonte në karrierën e tij publike, më shumë se 10 vjet pas lidhjes së tyre Scotti vazhdonte të bluante mendime dhe të shqetësonte këdo që ishte gati të dëgjonte historinë e tij. Akuzat përfundimisht arritën në zyrën e deputetit liberal, Emlyn Hooson, i cili, ndryshe nga Besselli, u shqetësua sa për të informuar kolegët e lartë. Një hetim i brendshëm partiak përfundoi se çështja kundër Thorpeit nuk ishte e dëshmuar. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit 1974, një bashkëpunëtor i Thorpeit i pagoi Scottit 2 500 paundë për t’i dorëzuar ato letra bezdisëse që përmbanin kaq shumë prova fajësuese. Ato zgjedhje do të ishin kulmi i karrierës politike të Thorpeit. Partia e tij fitoi mjaft vende sa për një moment dukej se ai mund të bëhej ministër në një qeveri koalicioni - por, marrëveshja nuk u arrit.
Një komplot i kurdisur
Ato pëshpëritje për Thorpein nuk u zhdukën. Nëse ideja lindi nga bisedat e kota mes Thorpeit dhe miqve të tij apo nga një diskutim më ogurzi, u përgatit një komplot, të paktën për ta frikësuar Scottin. Bashkëpunëtorët e Thorpeit kontaktuan Andrew Newtonin, një pilot aeroplani me sjellje të dyshimta dhe një vrasës joprofesional me pagesë. Newtoni u miqësua me Scottin në tetor 1975 duke pretenduar se ishte detektiv privat i punësuar për ta mbrojtur nga dikush që planifikonte ta vriste. Ai e bindi Scottin që besonte të bënte një udhëtim natën për në fshat. Newtoni mori me vete një armë, ndërsa Scotti qenushen e tij të quajtur Rinka.
Kur ndaluan në një pjesë të izoluar rruge, qeni u hodh jashtë makinës. Scotti tha në vitin 1977: “Ajo po lehte dhe kërcente. Dhe, pastaj ai thjesht e qëlloi. Dhe, unë, pastaj ... u përpoqa ta sillja sërish në jetë. U përkula dhe ai tha: ‘Tani është radha jote’”. Scotti e shikoi me mosbesim teksa Newtoni qëndronte duke u dridhur para dritave të makinës me armën në duar. “E drejtoi kah unë ... dhe papritmas kuptova se do të më qëllonte edhe mua”, tha Scotti. Por, arma u bllokua dhe Scotti mbijetoi për ta treguar historinë. Newtoni përfundoi duke u dënuar me dy vjet burg. Në gjyqin e tij, ai pretendoi se Scotti e kishte shantazhuar me një fotografi nudo.
Tre muaj pas kësaj përvoje tmerruese, Scotti u paraqit në gjykatë për një akuzë të vogël mashtrimi me ndihmat sociale. Aty, më 29 janar 1976, ai bërtiti për “marrëdhënien time seksuale me Jeremy Thorpein”. Për shkak se Scotti e bëri pretendimin e tij në një seancë të hapur gjyqësore, gazetarët ishin të mbrojtur nga ligjet për shpifje dhe ishin të lirë të raportonin akuzën e tij. Afera Thorpe më në fund hyri në domenin publik.
Thorpe bëri një mohim të menjëhershëm, por në maj gjërat u përkeqësuan kur Peter Bessell, miku i tij dikur besnik në Partinë Liberale, vendosi të tregonte gjithçka. “U zhvendosëm nga një zonë e mbulimit të jetës private të dikujt, në një zonë ku tani po mbulohej një tentativë vrasjeje”, i tha më vonë Besselli emisionit Panorama të BBC‑së. Ndërsa historia doli jashtë kontrollit të tij, Thorpe pranoi t’i lejonte Sunday Times-it të botonte një letër të përzemërt që ai i kishte shkruar Scottit në vitin 1962. Edhe pse qëndrimet më liberale shoqërore të një dekade tjetër mund t’i kishin lejuar Thorpeit të vazhdonte luftën, ai vendosi të jepte dorëheqjen si udhëheqës partie.
Historia mori një kthesë tjetër në tetor 1977, kur London Evening News publikoi titullin sensacional: “U punësova për të vrarë Scottin”. Sapo kishte dalë nga burgu, Newtoni hoqi dorë nga mbrojtja e tij për shantazh dhe tani pretendonte se ishte paguar me 5 000 paundë si pjesë e asaj që gazeta e përshkroi si një “komplot ogurzi që përfshinte një mbështetës të shquar liberal”. Nëntë muaj të tjerë hetimesh policore çuan në akuzimin e Thorpeit dhe tre bashkëpunëtorëve për komplot për të vrarë Scottin. Shtypi e quajti “gjyqi i shekullit”. Me kërkesë të Thorpeit, ai u shty për tetë ditë që ai të mund të luftonte për vendin e tij parlamentar në zgjedhjet e përgjithshme të majit 1979. Ai huqi keq.
Në fund të gjyqit, gjyqtari mbajti atë që Tom Mangold i Panorama‑s së BBC‑së e përshkroi si “një nga fjalimet më tronditëse dhe të njëanshme përmbledhëse drejtuar një jurie”. Gjykatësi Cantley tha se, për shkak se tre dëshmitarët kryesorë të akuzës kishin arritur marrëveshje fitimprurëse për të shitur historitë e tyre në shtyp pas dënimit, dëshmitë e tyre ishin komprometuar. Besselli, tha gjyqtari, ishte “një hipokrit”, ndërsa Newtoni ishte “një kloun, dëshmitar i rremë dhe pothuajse me siguri një mashtrues”. Sa për Scottin, ai u përshkrua si “kriminel, mashtrues, shpërdorues, ankues dhe parazit”.

Në anën tjetër, Thorpe u përshkrua si “një figurë kombëtare me një dosje shumë të shquar publike”. Në përmbledhjen e tij, e përqeshur në mënyrë të paharrueshme nga komediani Peter Cook, gjyqtari i udhëzoi anëtarët e jurisë se, nëse ka ndonjë dyshim të arsyeshëm që Thorpe kishte planifikuar të vriste Scottin, ata duhej ta shpallnin të pafajshëm. Vendimi ishte: i pafajshëm. Duke folur më vonë, me bashkëshorten e tij të patundur Marion që i rrinte pranë, Thorpe tha: “Gjithmonë kam këmbëngulur se isha i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj meje, dhe verdiktin e jurisë, pas një hetimi të gjatë dhe të kujdesshëm prej tyre, e konsideroj plotësisht të drejtë dhe një shfajësim të plotë”.
Pas gjyqit, Scotti u tërhoq nga vëmendja publike. Në vitin 2022, në moshën 82‑vjeçare, ai botoi autobiografinë e tij të titulluar Një ikonë aksidentale [An Accidental Icon]. Sa për Thorpein, ai u tërhoq nga jeta publike duke ruajtur pafajësinë e tij deri në fund. Ai vdiq në vitin 2014. Në një intervistë për Guardian-in në vitin 2008, Thorpe reflektoi mbi aferën: “Nëse do të ndodhte tani, mendoj se ... publiku do të ishte më i mirëkuptueshëm. Atëherë ata ishin shumë të shqetësuar nga kjo. Ajo cenonte sistemin e tyre të vlerave”. /Telegrafi/


















































