Skandal financiar në Kamerun: FBI nis hetime ndaj Samuel Eto'o-s

Anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kamerunit (FECAFOOT) dhe zyrtarë të tjerë të futbollit kamerunas kanë paraqitur një padi penale në Shtetet e Bashkuara, drejtuar Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, për zhdukjen e një shume të konsiderueshme parash.
Sipas mediave kamerunase, bëhet fjalë për 600,000 dollarë, të cilat ishin destinuar për federatën pas një ndeshjeje miqësore ndërmjet Kamerunit dhe Meksikës, e zhvilluar në San Diego, në qershor të vitit 2023.
Kjo shumë korrespondonte me tarifën e pjesëmarrjes së paguar nga kompania amerikane Soccer United Marketing, por asnjëherë nuk u transferua zyrtarisht në llogaritë e federatës. Mungojnë provat e pagesës dhe deklaratat tatimore përkatëse.
Përballë kësaj situate, organizatoret e ndeshjes dhe Federata Meksikane e Futbollit janë njoftuar zyrtarisht për të ofruar sqarime.
Në padinë e paraqitur, ngrihen akuza serioze për mashtrim përmes komunikimeve elektronike, pastrim parash, evazion fiskal dhe konspiracion kriminal, ndërsa kërkohet një hetim i plotë në bazë të legjislacionit amerikan.
Edhe pse në dokumentin zyrtar nuk përmendet drejtpërdrejt Samuel Eto’o, i cili është president i FECAFOOT, pozita dhe roli i tij në menaxhimin financiar të federatës e vendosin automatikisht në qendër të përgjegjësisë.
Nëse parregullsitë konfirmohen, Eto’o mund të bëhet objekt hetimi nga FBI-ja, një zhvillim që do të shënonte një precedent të rëndësishëm në futbollin afrikan, me implikime serioze ligjore dhe diplomatike në nivel ndërkombëtar. /Telegrafi/



















































