LAJMI I FUNDIT:

Simboli i marrëdhënies komplekse franko-italiane

Simboli i marrëdhënies komplekse franko-italiane

Leonardo da Vinçi është italian, francezët nuk mund të kenë gjithçka… Kjo polemikë e ardhur nga Italia në lidhje me festimin nga Franca të 500-vjetorit të vdekjes së Leonardo Da Vinçit dëshmon për një marrëdhënie komplekse në arte, mes vlerësimeve dhe rivalitetit.

Gjithçka duket se po shkon siç ishte parashikuar pas marrëveshjes së arritur vitin e kaluar mes qeverisë franceze dhe asaj italiane ku parashikohej që Italia t’i jepte hua pikturat e Leonardo da Vinçit (1452-1519), Muzeut të Luvrit, për një ekspozitë të madhe në vjeshtë, në kujtim të 500-vjetorit të vdekjes së gjeniut të Rilindjes. Në të kundërt, ishte rënë dakord që Luvri t’i jepte veprat e Rafaelit (1483-1520) një muzeu në Romë, për një ekspozitë që do të organizohet vitin e ardhshëm për të kujtuar sërish 500-vjetorin e vdekjes së këtij mjeshtri të madh të pikturës.

Pa dyshim që ishte zëvendëssekretarja e re e shtetit italian për Kulturën, Lucia Borgonzoni, e cila ka vendosur t’i rikthehet kushteve të marrëveshjes franko-italiane, duke i gjykuar “të papërfytyrueshme”.


“Leonardo është italian, ai vetëm vdiq në Francë (…) Dhënia hua e këtyre pikturave tek Luvri, do e linte Italinë jashtë një evenimenti kulturor madhor”, deklaroi Borgonzoni, anëtare e Ligës, partia e ekstremit të djathtë që erdhi në pushtet qershorin e kaluar.

“Në respekt në autonomisë së muzeve, interesi kombëtar nuk mund të lihet në vend të dytë. Francezët nuk mund të kenë gjithçka”, shtoi ministrja që mendon se gjithçka duhet të bisedohet sërish.

Shumë larg një anekdote, kjo përleshje e fundit franko-italiane tregon gjithashtu për marrëdhënien komplekse, për shkak të afërsisë latine dhe arrogancës që shoqëron dy kombet prej shekujsh.

Tematikë e përsëritur tek italianët, “arroganca franceze” është shfaqur sërish në zemër të tensioneve të fundit diplomatike mes dy vendeve mbi çështjen e emigrantëve.

“Në fushën kulturore, ashtu si edhe në të tjera, rivaliteti mes atyre që i quajmë motrat latine është i pashmangshëm”, shpjegon Jean Yves Fretigne, bashkautor i “Franca dhe Italia: Historia e dy kombeve motra” (Armand Colin, 2016, bashkë me Gilles Bertrand dhe Alessandro Giacone).

“Në njërën anë është Italia që pretendon se është motra e madhe sepse ajo është, bashkë me Romën, gjeneza e artit perëndimor, dhe në anën tjetër Franca që ka një ndjenjë superioriteti përballë fqinjës së saj, duke preferuar që të kthehet kryesisht nga Gjermania ose, në ndonjë epokë, edhe nga Anglia”, thekson historiani.

Për sa i përket fushatave napoleonike gjatë të cilave qindra vepra arti iu morën Italisë për të mbushur muzetë franceze, duke filluar nga Luvri, ato i kanë lënë italianëve ndjesinë se janë bastisur. Një ndjesi e fuqishme kjo që ushqen edhe sot një numër të lartë fjalësh, si ato në lidhje me të famshme “Xhokonda” të Leonardo Da Vinçit që thuhet se edhe ajo është vjedhur nga Bonaparti.

Megjithatë, mendohet se këtë vepër ia ka shitur artisti mbretit Fransua I i cili e kishte ftuar të qëndronte në kështjellën e tij në Ambauz në vitet e fundit të jetës.

“Në atë kohë ai që ishte një simbol i miqësisë franko-italiane, Da Vinçi është sot qendra e një polemike artistike për të ardhur keq”, shprehet me keqardhje Jean Yves Fretigne.

Për Eike Schmidt, drejtor i muzeut “Galleria degli Uffizi” në Firence, ku ruhen tre piktura të Leonardos, “në radhë duhet të jetë mbrojtja e veprave, para çdo konsiderate tjetër, kryesisht politike, mbi vendimin për t’i dhënë hua apo jo”. /Franck Iovene/atsh/