Gjithkush e di historinë tragjike se si vdiqën fëmijët e çiftit Goebbels: në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, në bunkerin e Hitlerit në Berlin, teksa Armata e Kuqe futej në kryeqytetin gjerman, Magda Goebbels kishte helmuar gjashtë fëmijët e tyre (Helga, Hildegard, Helmut, Holdine, Hedwig dhe Heidrun) Cyanide) me cianid, e pastaj ajo dhe burri i saj Josoph – Ministri nazist i Propagandës – vriten së bashku. Fjala është për një nga shembujt më të tmerrshëm të fanatizmit nazist, ku dashuria ndaj fëmijëve nuk vlente asgjë në raport me dashurin e Adolf Hitlerit dhe Rajhut të Tretë që po jepte shpirt.

Ajo çfarë publiku i gjerë nuk e di saktësisht është se Magda Goebbels, para martesës së saj me Josephin, ishte e martuar me Gunther Quandtin, me të cilin u njoh si 17-vjeçare. Quandt u bë një sipërmarrës dhe investitor i pasur, ndërsa ishte një nga pronarët e kompanisë Varta, aksionar në BMW dhe Daimler Benz. Magda, me burrin Quandt, më 1922 kishte lindur djalin e parë Harald, por martesa e tyre përfundoi në divorc më 1929. Magda Quandt dy vjet më vonë është martuar me Joseph Goebbelsin, e në ndërkohë u bë mikeshë e ngushtë e Hitlerit dhe naziste e zjarrtë, ideologji së cilës kjo i qëndroi besnike deri në vdekje.


I vetmi fëmijë i Magdas që ka mbijetuar ishte Harald Quandt, pra thjeshtri i Goebbelsit, i cili në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte arrestuar në Libi. Atëherë, Haraldi 23-vjeçar ishte oficer i Luftwaffes (aviacionit luftarak gjerman), ndërsa si i burgosur kupton për vdekjen e vëllezërve dhe motrave, si dhe për vetëvrasjen e nënës dhe njerkut. Shumë shpejtë pas kësaj, ai pranon një letër të shkruar me dorë, nga nëna e tij Magda, me këtë përmbajtje: "Djali im i dashur! Për gjashtë ditë rresht gjendemi në bunkerin e Fuhrerit, babai, vëllezërit, motrat tuaja dhe unë. Kemi vendosur që jetëve tona nacional-socialiste t’ua japim fundin e vetëm të mundshëm të ndershëm. Harald, biri im i dashur, unë dua të ta them edhe një herë atë që e kam mësuar në jetë: bëhu luajal! Luajal ndaj vetes, luajal ndaj kombit dhe luajal ndaj vendit tënd”.

Më 1947, Harald Quandt u lirua nga robëria, dhe shtatë vjet më vonë, me gjysmë-vëllain e tij Herbert, trashëgon pasurinë e perandorisë industriale të babait Guenther, i cili u pasurua edhe më shumë duke prodhuar raketa kundërajrore për Raihun e Tetë, si dhe armët Mauser. Vëllezërit Harald dhe Herbert kanë vdekur dekada më parë, por trashëgimia e tyre ka mbijetuar dhe është rritur ndjeshëm. Pasardhësit e tyre sot janë në mesin e njerëzve më të pasur në Gjermani.

Veja e Herbertit, 86-vjeçarja Johanna Quandt, dhe fëmijët e tyre Susanne Klatten dhe Stefan Quandt, janë në mesin e aksionarëve më të mëdhenj të BMW-së, pra miliarderë. Të njëjti fat e kanë edhe fëmijët thjeshtrit të Goebellsit, Haraldit, pra katër vajzat e tij: Catherine Geller-Herr (61 vjeçe), Gabriele Quandt (60), Anette-Maj-Angelika Thies (58) dhe 50-vjeçarja Colleen-Bettina Rosenblat-Mo, të cilat pas vdekjes së nënës së tyre Inge, më 1976, kanë trashëguar 1.5 miliardë marka të atëhershme.

Ato para motrat Quant i kanë investuar me mend përmes kompanisë së emëruar sipas babait, Harald Quandt Holding, ndërsa kanë qëndruar larg syve të publikut. Sot pasuria e tyre vlerësohet të jetë së paku gjashtë miliardë dollarë. Për këtë storie të Bloombergut, si dhe për prejardhjen e tyre familjare, ato kanë refuzuar të japin deklarata. /Telegrafi/