Artroza e kërdhokullave dhe e gjunjëve është ndër sëmundjet më të shpeshta degjenerative të nyjeve dhe shpesh shkakton dhimbje dhe kufizim të lëvizjes. Trajtimi modern ortopedik përfshin masa parandaluese, terapi konservative dhe, në rastet e avancuara, zëvendësimin e nyjës me implant artificial për të rikthyer funksionin dhe cilësinë e jetës së pacientit

Prof. Ass. Dr. Skender Ukaj
Specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë
📞 Kontakt: 044 603 609


Artroza e kërdhokullës dhe e gjurit është një nga problemet më të shpeshta që prek pacientët e moshës së mesme dhe të avancuar. Kjo sëmundje degjenerative shkaktohet nga konsumimi i kërcit, i cili shërben si mbrojtëse midis kockave. Kur kjo shtresë hollohet, lëvizja shkakton fërkim, duke sjellë dhimbje të vazhdueshme, vështirësi në ecje dhe kufizim të aktiviteteve të përditshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për një lodhje të moshës; artroza është një proces që, nëse nuk trajtohet në kohë, mund të çojë në deformime të dukshme të nyjeve dhe humbje të pavarësisë për të kryer punët më të thjeshta të përditshme.

Artroza e kërdhokullës

Nyja e kërdhokullës është një nga nyjat më të mëdha dhe më të lëvizshme të trupit. Ajo mundëson lëvizjen e gjymtyrëve të poshtme dhe i siguron trupit stabilitet dhe ekuilibër. Me kalimin e kohës, strukturat që e formojnë këtë nyje mund të dëmtohen, ndërsa traumat mund të shkaktojnë humbje të stabilitetit të saj. Shkaqet më të shpeshta të dhimbjes dhe paqëndrueshmërisë janë osteoartriti, artriti reumatoid dhe dëmtimet traumatike. Në disa raste, furnizimi me gjak i kokës së femurit mund të zvogëlohet si pasojë e traumave ose proceseve inflamatore, duke çuar në nekrozë aseptike.

Zhvillimi i artrozës së kërdhokullës lidhet me disa faktorë rreziku. Mosha e avancuar është ndër më të rëndësishmet, pasi kërcit artikular i zvogëlohet gradualisht elasticiteti dhe rezistenca. Mbipesha dhe obeziteti rrisin ngarkesën mekanike mbi nyje dhe përshpejtojnë konsumimin e tyre. Dëmtimet e mëparshme të kërdhokullës, si frakturat ose luksacionet, mund të kontribuojnë në zhvillimin e hershëm të artrozës. Faktorë të tjerë përfshijnë deformimet e lindura të kërdhokullës, mbingarkesën e përsëritur gjatë punës ose aktiviteteve sportive, predispozicionin gjenetik dhe disa sëmundje metabolike ose inflamatore.

Cilat janë shenjat e artrozës së gjurit?

Simptomat e artrozës së gjurit zhvillohen ngadalë dhe përkeqësohen me kalimin e kohës. Shenjat më të shpeshta janë dhimbja, ku nyja e prekur dhemb gjatë aktivitetit ose pas tij; ngurtësia, e cila shfaqet më së shpeshti pas zgjimit në mëngjes ose pas një periudhe pasiviteti; ndjeshmëria e nyjes ndaj një presioni të lehtë mbi të ose rreth saj; kufizimi i lëvizjes, kur nyja nuk mund të lëvizë në amplitudë të plotë; ndjesia e fërkimit gjatë lëvizjes, shpesh e shoqëruar me kërcitje dhe krisje; daljet kockore që në radiografi mund të shfaqen si një “tepricë kockore”, e cila duket si gjemb ose majë kockore rreth nyjes së prekur; si dhe ënjtja me lëng në nyje, që shfaqet si pasojë e inflamacionit të indeve të buta brenda dhe përreth saj.

Disa gjendje mund ta rrisin rrezikun për zhvillimin e artrozës së gjurit. Mosha është një nga faktorët kryesorë, pasi rreziku rritet me avancimin e saj. Gratë janë më të prira për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, edhe pse arsyeja nuk është plotësisht e qartë. Obeziteti është gjithashtu një faktor i rëndësishëm, sepse pesha e tepërt rrit ndjeshëm ngarkesën mbi nyjet e mëdha, si kërdhokullat dhe gjunjët, ndërsa indi dhjamor prodhon proteina që mund të shkaktojnë inflamacion të dëmshëm brenda dhe përreth nyjes. Dëmtimet e nyjes, përfshirë lëndimet sportive dhe dëmtimet e tjera, mund ta rrisin rrezikun për artrozë, madje edhe kur janë të vjetra dhe duket se janë shëruar. Mbingarkesa e përsëritur e nyjes nga puna ose nga sporti mund të çojë gjithashtu në zhvillimin e saj. Te disa njerëz ekziston edhe prirje gjenetike. Gjithashtu, disa sëmundje metabolike, si diabeti ose gjendjet me tepricë hekuri në organizëm (hemokromatoza), mund ta rrisin rrezikun për zhvillimin e artrozës.

Trajtimi pa operim

Trajtimi i artrozës sot nuk fillon menjëherë me operim. Parimi në ortopedi është që nyja natyrale të ruhet për aq kohë sa është e mundur. Në shumicën e rasteve trajtimi fillon me metoda konservative, ku përfshihen medikamentet kundër dhimbjes dhe inflamacionit, fizioterapia dhe përshtatja e aktiviteteve të përditshme. Një rol të rëndësishëm në vitet e fundit kanë edhe injeksionet intraartikulare, të cilat aplikohen direkt në nyje.


Acidi hialuronik përdoret për të përmirësuar lubrifikimin e nyjës dhe për të ulur dhimbjen, ndërsa kortikosteroidet ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit në faza të caktuara të sëmundjes. Në disa raste përdoren edhe terapi biologjike. Këto metoda nuk e shërojnë plotësisht artrozën, por mund të lehtësojnë ndjeshëm simptomat dhe shpesh e shtyjnë për vite të tëra nevojën për operim.

Parandalimi – thelbësor për mbrojtjen e nyjeve

Shumë raste të përkeqësimit të artrozës mund të ngadalësohen përmes masave të thjeshta parandaluese. Mbajtja e një peshe trupore të përshtatshme është ndër faktorët më të rëndësishëm, pasi çdo kilogram shtesë rrit ndjeshëm ngarkesën mbi gjunjë dhe kërdhokulla. Aktiviteti fizik i rregullt, si ecja, noti apo ushtrimet për forcimin e muskujve përreth nyjeve, ndihmon në ruajtjen e stabilitetit dhe funksionit të tyre. Po ashtu, trajtimi në kohë i deformimeve të boshtit të gjymtyrëve apo i dëmtimeve sportive mund të parandalojë zhvillimin e hershëm të artrozës.

Kur bëhet i domosdoshëm operimi?

Operacioni me vendosjen e endoprotezës totale të kërdhokullës ose të gjurit rekomandohet atëherë kur dhimbja është e vazhdueshme, lëvizja e nyjës është shumë e kufizuar dhe trajtimet tjera nuk japin më rezultat. Kur trajtimet konservative, si medikamentet, fizioterapia dhe rehabilitimi, nuk japin rezultat dhe ndryshimet degjenerative janë të avancuara, mund të jetë i nevojshëm trajtimi kirurgjik me zëvendësimin total të nyjës, i njohur si artroplastika e kërdhokullës ose e gjurit.

Këto ndërhyrje rekomandohen kur dhimbja dhe kufizimi i lëvizjes ndikojnë seriozisht në aktivitetet e përditshme, si ecja, ngjitja e shkallëve apo ngritja nga shtrati. Nuk ekziston kufizim absolut i moshës për këto operacione; vendimi merret kryesisht mbi bazën e intensitetit të dhimbjes dhe shkallës së kufizimit funksional.

Falë zhvillimeve të kirurgjisë ortopedike dhe implantëve modernë, ndërhyrjet për zëvendësimin e nyjeve sot japin rezultate shumë të mira. Shumica e pacientëve pas rehabilitimit rikthehen në aktivitetet e tyre të zakonshme dhe në një jetë më aktive. Sot qëllimi i trajtimit nuk është vetëm zëvendësimi i nyjës së dëmtuar, por rikthimi i funksionit, lëvizshmërisë dhe pavarësisë së pacientit në jetën e përditshme. /Telegrafi/