LAJMI I FUNDIT:

Si rrallëherë në Rripin e Gazës – shpërthejnë protestat kundër Hamasit

Si rrallëherë në Rripin e Gazës – shpërthejnë protestat kundër Hamasit

Me sulme ajrore të vazhdueshme, uri dhe pa ndihma në horizont, njerëzit në Gaza po dalin në rrugë – të zemëruar, të dëshpëruar dhe të tradhtuar.

Gjendja humanitare po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Familjet mbesin pa ushqim, ujë të pijshëm dhe ilaçe, ndërsa spitalet po shterojnë nga mungesa e energjisë elektrike dhe furnizimeve mjekësore. Për shumë njerëz, çdo ditë është një luftë për mbijetesë.

Në këtë situatë të pashpresë, protesta spontane po shpërthejnë në të gjithë Rripin e Gazës, raportojnë mediat e huaja. Nga kampet e refugjatëve te rrugët kryesore të qyteteve, qindra njerëz po guxojnë të ngrenë zërin e tyre, duke shprehur zemërimin dhe zhgënjimin e thellë.


Dhe për herë të parë pas shumë kohësh, zemërimi nuk drejtohet vetëm ndaj Izraelit – por edhe ndaj Hamasit. Banorët po kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit e tyre, të cilët akuzohen për dështimin në mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj popullsisë.

Sloganet e protestuesve dëgjohen fuqishëm “Po për paqe, Jo për Hamasin!”.

Ata i fajësojnë të dyja palët për ferrin në të cilin po jetojnë, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellë ndihma humanitare.

Por, reagimi i Hamasit ka qenë i ashpër. Forcat e tyre janë përplasur me protestuesit, duke kryer arrestime gjersa përdorën forcën për të shpërndarë turmat. Dëshmitarët raportojnë për rrahje dhe përpjekje për të heshtur zërat e kundërshtimit.

Ndërsa Gaza përjeton shkatërrim të pandalshëm nga bombardimet, tani përballet edhe me një krizë të brendshme. Për shumë njerëz, ndjenja e tradhtisë dhe braktisjes është më e rëndë se frika nga lufta. /Telegrafi/