LAJMI I FUNDIT:

Si ndikon pushteti në personalitetin e atij që e ushtron?

Si ndikon pushteti në personalitetin e atij që e ushtron?
Ilustrim

Në kulmin e krizës dhe manifestimeve publike të protestës, kur e pyetën për çështjen e shtrenjtimit të çmimeve të karburantit, ministre Bora tha se vetë ajo është e detyruar të shkojë në punë me makinë, kurse për qytetarin e thjeshtë është normale të ecë në këmbë sepse kështu i bën mirë edhe mjedisit.

Komentet e bëra nëpër rrjetet sociale ishin tepër negative. Në fakt, ministrja nuk ka as interesin më të vogël që deklarimet e saj të priten keq. Përgjigjja që dha ishte larg cinizmit dhe dukej e sinqertë, madje ajo dukej e habitur se si mund të vihej në dyshim logjika e deklarimit të saj.

Në të njëjtat ujëra ishte edhe ministre Belinda. Natyrshëm, ajo u kërkoi qytetarëve të ecin më shumë në këmbë dhe shumëkush u revoltua. Edhe ajo foli me thjeshtësi, pa asnjë sforcim dhe nuk u duk as se bënte demagogji, as se gënjente, por po jepte një opsion të gjetur mir;. Edhe për Belindën plasën memet, duke i dhënë madje titullin e Maria Antonetës.


Pavarësisht tendencës negativiste të krahasimit, fakti tregon se koncepte si të Belindës kanë ekzistuar historikisht, madje në familje mbretërish. Njëlloj si Bora, edhe Belinda nuk ka interes politik të bëjë figurë të keqe në publik, ndaj dhe secila prej tyre e peshon fjalën para se ta nxjerrë dhe po ashtu kanë bindjen e brendshme se po thonë diçka që u takon ta thonë në këtë mënyrë, përfshi edhe arrogancën.

Radha e deklarimeve të ngjashme vazhdon me Edonën nga Shkodra që e ngre kryeministrin në rangun e Zeusit. Edhe Edona, pa dyshim, është një femër e mençur dhe plotësisht e ndërgjegjshme se nuk ka lënë as nam e as nuk ka bërë gomarllëk me atë që tha. As me propozimin për ta kthyer kryeministrin në monark. Ajo foli për një situatë në vendin tonë, duke dhënë vizionin e saj politik dhe profilin e atij që mund të zgjidhte përfundimisht ngërçin e prapambetjes së vendit. Kjo edhe për faktin se shefi mund t’i priste gjuhën nëse do t’i stononte ligjërimi që ajo mbajti. Nga ana tjetër, Edona dëshmoi që thënia dikur e Elisës se kryeministri është vetë Skënderbeu, nuk paska qenë lajthitje individuale për t’u vënë në lojë. Në fund të fundit, secili nga personazhet e mësipërm ka nivel intelektual të lartë dhe me përgjegjësi publike.

Ndërsa, kryeministri, nga ana e tij, shprehu një lloj përbuzjeje për personat që manifestojnë kundër rritjes së çmimeve në vend. Në kushtet kur ai punon realisht pa pushim për të mirën e vendit dhe të popullatës, i duket e habitshme që ka të pakënaqur të cilët ngrihen në protesta, ndaj dhe përbuzja e tij është e merituar. Në fund të fundit, ai është kryeministri i vendit dhe nuk ka objektiv t’u bëjë dëm njerëzve të vendit të tij.

Dikush mund të thotë me plot të drejtë se atëherë janë të pakënaqurit ata që e kanë gabim në gjykimet e tyre. Jo, as kjo nuk ndodh!

Gjithë kontradikta shkaktohet nga sindroma Hubris apo “sëmundja e pushtetit” siç perifrazohet aktualisht. Me simptomat që shfaqen në veprimet e pushtetarëve në vendin tonë, duket se Hubris ka karakter epidemie. Nga psikanalistët konsiderohet si çrregullim i personalitetit, por jo sëmundje mendore, e lidhur pazgjidhmërisht me pushtetin i cili mbetet përherë kushti paraprak. Kur pushteti kalon, sindroma zbutet.

Personaliteti i individit të kapur nga Hubris karakterizon në mënyrë drastike shefat e qeverive. Në psikanalizë flitet për sindromën Hubris kur reagimi i qeveritarit ndaj pushtetit që ushtron, karakterizohet nga “narcizmi, arroganca, vetëmburrja, egoizmi, përbuzja, kur gënjen, kur manipulon”.

Sipas psikanalistit Bertran Zhilo, sindroma Hubris është e njohur që në kohën e Greqisë së Zeusit dhe ka kuptimin e zmadhimit të diçkaje, tejkalimit të masës, kryeneçësi së tepruar. Madje, si për koincidencë me Edonën, në letërsinë e Greqisë antike, krahasimi që një i vdekshëm mund t’i bënte vetes me perëndite e pavdekshme, ishte simptoma më e dukshme e sindromës Hubris.

Gjithmonë, sipas psikanalistit të mësipërm, pushtetari i prekur nga sindroma ka ndjesinë e të qenurit i pathyeshëm dhe i plotfuqishëm. “Ai tejkalon gjithë kufijtë e së pranueshmes në perceptimin që ka për veten e tij dhe për të tjerët. Dëshmon mbivlerësim për veten dhe nënvleftësim të përhershëm për gjithë të tjerët. Shpesh ai shfaq edhe shenja perversiteti. Perversi nuk e konsideron ‘tjetrin’ si dikush tjetër, ‘tjetri’ për të ekziston veçse në formën e një mjeti që mund të përdoret ose dëmtohet sipas dëshirës”. Tjetri perceptohet si një zgjatim i vetvetes dhe që me të, mund të bësh ç’të duash.

A ka simptoma sindroma Hubris dhe cilat mund të jenë ato? Sipas mjekut britanik Dawen, ato janë gjithsej 14, por në tërësi, edhe vetëm tre prej tyre janë të mjaftueshme për t’u konsideruar i prekur prej saj. Madje, çuditërisht, përveç pushtetarëve, simptomat duken me shumicë edhe radhë opozitarësh që nuk kanë qeverisur ndonjëherë. Pra, kemi pushtetarë që kanë shumë më shumë se tre simptomat e mjaftueshme të sindromës. Cilat, pra, janë ato?

Perceptim narcizist për ta parë botën si një arenë për të ushtruar pushtetin në kërkim të lavdisë. Pasion pa limite për formën dhe dukjen. Për diçka që bën, ka tendencë ta ekzaltojë duke e paraqitur me fjalë e gjeste sikur të jetë vetë Mesia. Vendos shenjën e barazimit të pikëpamjeve dhe interesave të vetes me ato të fateve të kombit. Besim i tepruar në gjykimet personale dhe përbuzje të të tjerëve. Tendencë për t’i dhënë përparësi “vizionit” të zgjedhur nga vetë ai, çka shmang marrjen në konsideratë të aspekteve praktike, vlerësimin e kostove dhe pasojave të padëshirueshme. Shpall inkompetencën për të mos mbajtur asnjëherë përgjegjësi kur gjërat shkojnë keq sepse një besim i tepruar te vetvetja e ka çuar në mënjanimin e ingranazheve të shtetit. Ka bindjen se në vend të të qenurit përgjegjës para opinionit publik, gjykatës së vetme që i përgjigjet është ajo e historisë.

Humbje e kontaktit me realitetin. Siç u tha më sipër, sindroma zbutet me largimin nga pushteti, por edhe nëse gjatë ushtrimit të tij, rrethi i ngushtë i personit mban qëndrime kritike ndaj qëndrimeve që reflekton. Por, duket qartë që Edona dhe Elisa po bëjnë të kundërtën. Me elozhet e tyre hubriste, e kanë ekzaltuar akoma më shumë Kryeministrin, duke ia shtuar simptomat dhe rrezikuar mbarë popullatën e vendit. Kjo, sepse në kontekste të tilla teprimi, psikanalistët thonë se disa simptoma të sindromës Hubris mund të kthehen në klinike. Kurse Bora me Belindën, më shumë se të kapura nga sindroma, duket se imitojnë shefin. Në ditët tona, Presidenti rus Putin konsiderohet si i prekur thellë nga sindroma Hubris.

Në trend

Më shumë
Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Kronika e Zezë
Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar  nga “Fundjavë Ndryshe”

Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar nga “Fundjavë Ndryshe”

Magazina
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Magazina
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Lajme
Në vitin 2014, ajo tronditi Evropën me fitoren në 'Eurovision', si duket sot Conchita Wurst?

Në vitin 2014, ajo tronditi Evropën me fitoren në 'Eurovision', si duket sot Conchita Wurst?

Magazina
Publikohen pamjet: A po luante Real Madridi me më shumë se një kundërshtar ndaj Espanyolit?

Publikohen pamjet: A po luante Real Madridi me më shumë se një kundërshtar ndaj Espanyolit?

La Liga
Kalo në kategori