LAJMI I FUNDIT:

Si mund të fitojë Bideni, në luftën energjetike me Rusinë?

Si mund të fitojë Bideni, në luftën energjetike me Rusinë?

Nga: Kevin Johnson (veteran i Luftës në Irak dhe drejtor i bordit të Fondit të Veprimit për Mbrojtje të Mjedisit) dhe Mark Ruffalo (aktor dhe ambientalist) / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com

Teksa me luftën në Ukrainë vazhdojnë të rriten tensionet energjetike në Evropë, amerikanët po e ndiejnë efektin e kësaj në shtëpi. Gjatë muajit të kaluar Rusia i mbylli furnizimet me gaz natyror për Poloninë dhe për Bullgarinë, ndërsa Bashkimi Evropian kohët e fundit propozoi ndalimin e importeve të naftës ruse. Ndërkohë, vetëm gjatë javës e kaluar, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në ShBA tregoi se çmimet e gazit u rritën me 44 për qind (në bazë të parregulluar) në 12 muajt e kaluar, deri në prill, dhe mesatarja kombëtare aktualisht është duke lëvizur te rreth 4,52 dollarë për gallon.

Është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin po synon ta ketë si armë të veten varësinë e Evropës nga karburantet fosile të shtetit të tij, për ta penguar kështu mbështetjen për Ukrainën. Ky moment duhet të shërbejë si thirrje zgjimi për të pranuar se varësia jonë e madhe nga lëndët djegëse fosile është e papajtueshme me interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve tanë evropianë.


Kjo është arsyeja pse është i domosdoshëm kalimi i shpejtë drejt energjisë së pastër.

Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Biden duhet t’i përdorë fuqitë e veta emergjente të garantuara sipas Aktit të Mbrojtjes për Prodhim (DPA), për ta shtuar prodhimin dhe instalimin e energjisë së pastër me ritmin dhe nivelin e ngjashëm me prodhimin e armatimit ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, kësaj here nuk do të jenë bombat, aeroplanët apo cisternat që na duhen për t’u zhvilluar, por prodhimi i pompave të nxehtësisë, diellore, të erës dhe të teknologjive tjera të energjisë së pastër.

DPA-ja ia jep presidentit kompetencat e gjera për ta mobilizuar ekonominë amerikane, përfshirë sektorin privat, për t’i prodhuar të mirat vendimtare dhe infrastrukturën e nevojshme për mbrojtjen kombëtare. Kjo përfshin ndërtimin dhe, nëse është e nevojshme, transformimin e sistemit energjetik të ShBA-së. Në fakt, DPA-ja e njeh në mënyrë eksplicite pavarësinë e energjisë së pastër si diçka vendimtare për mbrojtjen tonë kombëtare. E drejton presidentit “në masën maksimale të mundshme, se furnizimet e brendshme të energjisë duhet të shtohen përmes mbështetjes në burimet e rinovueshme të energjisë (përfshirë burimet diellore, gjeotermale, të erës dhe të biomasës), teknologjitë më efikase të ruajtjes dhe shpërndarjes së energjisë dhe masave të ruajtjes së energjisë”.

Tranzicioni i energjisë së pastër sigurisht se do të marrë kohë – pa marrë parasysh se çka. Një analizë e kohëve të fundit nga UC Berkeley tregoi se Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë në masën 90 për qind të energjisë elektrike të pastër dhe pa karbon, deri në vitin 2035. Të tjerë sugjerojnë vitin 2050. Shpejtësia e tranzicionit tonë varet kryesisht nga ajo se sa qeveria jonë, bizneset dhe populli amerikan vendosin që përfundimisht t’i shtojnë investimet për energji të pastër. Përdorimi i DPA-së do të ndihmojë në prioritizimin e këtij tranzicioni dhe do të na çojë atje më shpejt sesa ritmi ynë aktual.

Përdorimi i DPA-së nga Presidenti Biden nuk do të ishte as befasues dhe as i paprecedentë. Ish-presidenti Trump e përdori atë për ta rritur prodhimin e pajisjeve mbrojtëse personale dhe të ventilatorëve gjatë pandemisë së koronavirusit. Presidenti Biden e përdori për ta shtuar prodhimin e furnizimeve të nevojshme për vaksinat. Dhe, këtë vit e përdori për t’i rritur lëndët e para të nevojshme për automjetet elektrike dhe për ruajtjen e energjisë. Ky ishte hapi i parë vendimtar, por Biden tani duhet të shkojë më tej duke u thirre te DPA-ja jo vetëm për të ndërtuar automjete elektrike dhe bateri, por edhe panele diellore në çati, turbina me erë, impiante të baticave dhe gjeotermale, pompa nxehtësie dhe ngrohës elektrikë të ujit dhe komponentë të ngjashëm për ta përditësuar rrjetin tonë të energjisë.

Alternativa është mbështetja e madhe te lëndët djegëse fosile e cila gjë e rrezikon sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare duke i përshpejtuar emergjencat klimatike. Në tetor 2021, Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së e publikoi Analizën e Riskut të Klimës, duke i identifikuar ndryshimet klimatike si me “ndikime të rëndësishme” për sigurinë kombëtare të ShBA-së. Madje e shtoi mundësinë e “dështimit të shtetit” nëse klima ndikon në theksimin e kushteve ekonomike dhe sociale. Vazhdimi dhe rritja e varësisë nga karburantet fosile veçse krijon më shumë mundësi për kundërshtarët si Rusia për të fituar ndikim politik ose avantazh ushtarak, thuhet në raport.

Duke e përdorur DPA-në për ta përshpejtuar inovacionin teknologjik dhe për të na çuar drejt pavarësisë së energjisë së pastër, Bideni mund ta mbrojë sigurinë kombëtare dhe t’i kufizojë kundërgoditjet e makinerisë ruse për çmimet e karburanteve fosile. Energjia e pastër amerikanëve do t’ju japë më shumë zgjedhje për mënyrën se si e fuqizojmë jetën dhe bizneset tona dhe do të na mbrojë nga ndikimet në rritje të emergjencës klimatike.

Përshpejtimi i energjisë së pastër do të krijojë gjithashtu vende pune, në të gjithë shtetin. Për të ndërtuar, instaluar dhe mirëmbajtur infrastrukturën tonë të energjisë së pastër, Shtetet e Bashkuara do të duhet të rekrutojnë, trajnojnë dhe punësojnë qindra mijëra punëtorë shtesë.

Shtetet e Bashkuara kanë trashëgimi të gjatë për ta udhëhequr botën nëpër kohë krizash, me inovacione të guximshme. Ne, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, mund të dalim fitimtarë nga kjo luftë duke e shfrytëzuar fuqinë e diellit dhe të erës, të ujit dhe të baticave tona, madje edhe të vetë tokës. E dimë se është e mundur dhe është koha që Presidenti Biden të prijë në këtë rrugë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori