Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po rinumëron të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Ky vendim, sipas KQZ-së, erdhi pasi janë shikuar videot nga kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë ngritur dyshime se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë shënuar në mënyrë të saktë në platformën zyrtare të KQZ-së.


Një problematikë këtu ka qenë se KQZ ka parë vetëm pamjet nga kamerat ku shihet fletëvotimi por jo edhe monitori i komisionerit i cili i ka vendosur votat në sistem.

Rrjedhimisht, ndryshimet janë vërejtur pasi që përmes pamjeve të fletëvotimeve KQZ ka numëruar me dorë votat e një vendvotimi dhe pas mbledhjes së tyre, janë krahasuar me të dhënat në sistem për atë vendvotim e tek pastaj janë vërejtur dallimet.

Lidhur me këtë proces, për KALLXO.com është deklaruar zyrtari për operacione zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Shkëlqim Rexha.

- YouTube www.youtube.com

Ai ka bërë të ditur se dyshimet kanë lindur pasi janë analizuar video-incizime të numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit.

“Sipas video-incizimeve që kemi marrë nga Qendrat Komunale të Numërimit, kemi parë se votat e kandidatëve nuk janë shënuar në mënyrë të saktë nga ajo që është pasqyruar në platformën e KQZ-së” – ka thënë Rexha.

Shkelqim Rexha – Zyrtar për Operacione Zgjedhore në KQZ/ Foto: Kallxo.com

i ka sqaruar se pas shqyrtimit të këtyre incizimeve, sekretariati i KQZ-së ka bërë rekomandim për verifikim të mëtejmë, duke çuar në vendimin për rinumërim.

“Ne si Sekretariat kemi bërë një rekomandim dhe KQZ-ja ka marrë vendim që të shkojmë me rinumërim fillimisht të 2 për qind të vendvotimeve, në mënyrë që t’i verifikojmë edhe një herë se a janë shënuar votat e kandidatëve në mënyrë të saktë” – ka deklaruar Rexha.

Sipas Rexhës, gjatë krahasimit të rezultateve të fletëvotimeve me të dhënat e hedhura në platformën e KQZ-së, janë konstatuar mospërputhje të qarta.

“E kemi bërë një krahasim të rezultateve dhe kemi parë që është një shënim i pasaktë i votave që kanë qenë në fletëvotim dhe atyre që janë në platformë. Pra, votat nuk janë përputhur” – ka theksuar ai.

Komisionerë partie në QKN, staf i KQZ-së në rinumërim

Një nga dallimet kryesore mes numërimit fillestar dhe procesit të rinumërimit, sipas Rexhës, është përbërja e ekipeve që kryejnë numërimin.

“Në Qendrat Komunale të Numërimit kanë qenë komisionerë të nominuar nga subjektet politike, të emëruar nga KQZ-ja, ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve procesin e realizojnë persona të rekrutuar drejtpërdrejt nga KQZ-ja” – ka sqaruar Rexha.

Ai ka shtuar se procesi i rinumërimit është i monitoruar vazhdimisht nga vëzhgues të subjekteve politike, organizatave dhe mediave, përmes ekraneve që pasqyrojnë çdo veprim në kohë reale.

Edhe pse KQZ-ja nuk ka marrë ankesa direkte nga vëzhguesit gjatë numërimit fillestar, Rexha ka theksuar rëndësinë e rolit të tyre gjatë rinumërimit.

“Vëzhguesit luajnë rol kyç. Nëse vërejnë ndonjë pasaktësi, reagojnë dhe punonjësi ynë është i obliguar ta ndalë procesin dhe ta verifikojë sërish votën,” ka thënë ai.

Si zhvillohet procesi i rinumërimit?

Rexha ka shpjeguar në detaje edhe procedurën e rinumërimit, duke theksuar se ajo është pothuajse identike me atë të QKN-së.

“Të gjitha fletëvotimet nxirren nga kutia, verifikohet subjekti politik, vlefshmëria e fletëvotimit, vula, dhe më pas bëhen llogaritjet në formularin e rezultateve. Numri i fletëvotimeve duhet të përputhet me numrin e nënshkrimeve dhe me fletëvotimet e pavlefshme e të vlefshme” – ka sqaruar Rexha.

Ai ka bërë të ditur se çdo fletëvotim vendoset një nga një në sistem dhe nuk ka grumbullim të votave.

“Fletëvotimet vendosen një nga një për secilin kandidat, për secilën fletë veç e veç. Kjo bëhet për të garantuar saktësi më të madhe” – ka shtuar ai.

Dy forma të manipulimit të dyshuar

Sipas raportit preliminar të sekretariatit të KQZ-së janë identifikuar dy forma të pasaktësive gjatë numërimit.

“Në disa raste është hequr një votë nga një kandidat dhe i është shtuar një kandidati tjetër, ndërsa në raste të tjera janë shtuar vota për kandidatë që fare nuk kanë qenë të shënuar në fletëvotim” – ka deklaruar Rexha.

Nga të dhënat preliminare, komuna e Prizrenit rezulton të ketë numrin më të madh të pasaktësive në shënimin e votave të kandidatëve.

“Prizreni ka numrin më të madh të rasteve ku votat e kandidatëve nuk janë shënuar në mënyrë të rregullt. Kjo ka ndodhur në masë të madhe në shumë kuti të votimit” – ka thënë Rexha.

Në komunat e tjera, sipas tij, pasaktësitë janë shfaqur në mënyrë të izoluar.

“Në komuna të tjera, ndryshimet janë vërejtur vetëm në disa kuti të caktuara dhe jo në të gjitha tavolinat e numërimit” – ka përfunduar Rexha.

Vonesa në certifikim dhe pritja për raportin përfundimtar

KQZ-ja ka bërë të ditur se raporti përfundimtar do të hartohet vetëm pasi të përfundojë rinumërimi i të gjitha 2 mijë e 557 kutive të votimit. Deri atëherë, procesi i certifikimit të rezultateve mbetet i pezulluar, duke shtyrë edhe afatet për formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve për deputetë në nivel vendi ka ardhur pas dyshimeve serioze për pasaktësi dhe manipulim gjatë procesit të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Ky proces përfshin gjithsej 2 mijë e 557 vendvotime në tërë Kosovën dhe pritet të shkaktojë vonesa në certifikimin e rezultateve zgjedhore, duke ndikuar rrjedhimisht edhe në formimin e institucioneve të reja.

Janë përfunduar mbi 50% e vendvotimeve të cilat iu nënshtruan procesit të rinumërimit, në bazë të përditësimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orët e mesditës 23.01.2026.

KQZ ka bërë të ditur se procesi veçse është përmbyllur plotësisht në 19 komuna.

Rinumërimi ka përfunduar në Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Viti, Zveçan, Vushtrri, Junik, Malishevë, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillugë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Për shkak të manipulimit me vota në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, mbi 100 komisionerë të partive te ndryshme që janë thirrur për intervistim në lidhje me manipulimin e votave në Prizren.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 19.01.2026, ka vendosur për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komuna, si dhe për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren.

Rinumërimi i votave ka shkaktuar ndryshime drastike në listat e kandidatëve, veçanërisht brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku disa kandidatë kanë humbur qindra, e madje edhe mijëra vota.

Krejt kjo pritet të sjellë vonesa në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht formimin e institucioneve të reja.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sipas KQZ-së, ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i atyre që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit ishte 77,086.

Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 qendra të votimit, ndërsa ky proces jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Sipas të dhënave të KQZ-së, në 29 përfaqësi diplomatike patën të drejtë vote 19,187 votues.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 20.11.2025, pasi ky institucion nuk arriti të zgjedhë Qeverinë, ndonëse zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 09.02.2025.

Si rrjedhojë, e para e shtetit e shpalli 28 dhjetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.