Shumë njerëz të tjerë do të kishin vdekur gjatë të shtënave masive në shtetin amerikan të Indianas të dielën mbrëma, nëse nuk do të kishin qenë veprimet “heroike” të një kalimtari që ndaloi personin e armatosur, ka thënë policia.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, i dyshuari i armatosur rëndë vrau tre persona dhe plagosi dy të tjerë në një qendër tregtare pranë Indianapolis.
Dhe Elisjsha Dicken, 22 vjeç, i cili ishte në qendër tregtare me të dashurën e tij, nxori pistoletën dhe qëlloi për vdekje personin e armatosur.
Incidenti ka ringjallur debatin e Amerikës për pronësinë e armëve.
Bëhet fjalë për një sulm të fundit me armë ku një i dyshuar hapi zjarr me një pushkë qendrën tregtare Greenwood Park në qytetin e Greenwood.
I armatosuri kishte dy pushkë, një pistoletë dhe më shumë se 100 fishekë, tha policia.
Ai qëlloi 24 fishekë nga një prej pushkëve përpara se të vritej rreth dy minuta pas fillimit të sulmit.
Shefi i policisë së Greenwood, Jim Ison, tha të hënën se Dicken e kishte neutralizuar të armatosurin pothuajse që në fillim të sulmit.
Madje sipas tij, Dicken kishte treguar taktika “të afta” dhe “të shëndosha” për të qëlluar “në drejtim të personit të armatosur me një pistoletë nga një distancë e madhe”, pavarësisht se nuk kishte pasur asnjë trajnim.
Dicken – i cili mbante në mënyrë të ligjshme një pistoletë të fshehur – fillimisht u prangos dhe u mor në pyetje nga policia, përpara se versioni i tij i ngjarjeve të konfirmohej nga pamjet e kamerave të sigurisë.
“Shumë më shumë njerëz do të kishin vdekur nëse një qytetar i armatosur i përgjegjshëm nuk do të ndërmerrte një veprim të tillë shumë shpejt”, citohet të ketë thënë Ison.
“Unë do të them se veprimet e tij nuk ishin asgjë më pak se heroike”, shtoi shefi i policisë.
Sulmuesi u identifikua si një banor vendas 20-vjeçar, i cili kohët e fundit kishte humbur punën në një magazinë.
Mbrojtësit e të drejtave të armëve e konsideruan rastin si një shembull se pse është e rëndësishme posedimi i armëve nga qytetarët që i binden ligjit. /Telegrafi/