Shtëpia e Bardhë publikon foton e Donald Trump me Al, muskuloz si hero filmash

Llogaria Zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në X ka postuar një imazh të presidentit të SHBA-së Donald Trump të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (Al).
Ai e përshkruan atë si një kalorës Jedi nga seria e filmave Star Wars - me një shpatë të kuqe, trup muskulor dhe mantel të errët.
Në sfond shihen dy flamuj amerikanë dhe shqiponja, përcjell Telegrafi.
Në postim thuhet: "Gëzuar 4 majin të gjithëve, duke përfshirë të çmendurit radikalë të majtë që po përpiqen kaq shumë të rikthejnë në galaktikën tonë Lordët Sith, vrasësit, bosët e drogës, të burgosurit e rrezikshëm dhe anëtarët famëkeq të bandës MS-13. Ju nuk jeni rebelë - ju jeni Perandoria.”
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Shtëpia e Bardhë publikon imazhe të krijuara nga AI të presidentit Trump në role simbolike.
Pak ditë më parë, profili zyrtar i Shtëpisë së Bardhë publikoi një foto të presidentit si Papë.
Postimi tërhoqi kritika nga Konferenca Katolike e New Yorkut e cila tha se ishte një tallje e fesë.
Ish-kryeministri italian Matteo Renzi gjithashtu tha në atë kohë se imazhe të tilla "fyen besimtarët dhe institucionet".
Shtëpia e Bardhë nuk komentoi drejtpërdrejt kritikat në atë kohë, por në vend të kësaj njoftoi se presidenti Trump mori pjesë personalisht në funeralin e Papa Françeskut në Itali dhe se ai është një "avokat i fortë për lirinë fetare". /Telegrafi/







































