Shtatë mënyrat se si Amerika mund të fitojë armëpushimin dhe t’i japë fund luftës

Trumpi duhet të ndërmarrë veprime vendimtare për të siguruar paqen rajonale dhe një fitore në zgjedhjet afatmesme.
Nga: John Feehery / Al Jazeera
Përkthimi: Telegrafi.com
Ishte kërkesë e tepërt që zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, të arrinte një marrëveshje paqeje me përfaqësuesit e Republikës Islamike të Iranit, menjëherë pas takimit të parë të drejtpërdrejtë - në më shumë se një dekadë - midis dy palëve.
Por, nuk është e tepërt të kërkohet që palët ndërluftuese të respektojnë armëpushimin dhe që negociatorët të rikthehen në tryezë për një raund të dytë bisedimesh.
Për momentin, kemi ende një armëpushim. Pyetja mbetet: A mund ta fitojë Amerika atë?
Për presidentin Donald Trump, kjo pyetje është ekzistenciale. Nëse votuesit perceptojnë se ShBA-ja e humbi luftën kundër Iranit, republikanët do të humbasin Kongresin dhe presidenti do të jetë nën presion të madh politik në dy vitet e fundit të mandatit të tij.
Nëse, nga ana tjetër, votuesit perceptojnë se ky konflikt me Iranin ia vlejti dhe jeta i kthehet normales deri në verë, atëherë republikanët kanë një shans më të mirë për të dalë në barazim në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.
Çfarë do të duhej bërë që ShBA-ja të fitonte armëpushimin dhe, eventualisht, të arrinte një marrëveshje paqeje?
Së pari, Ngushtica e Hormuzit duhet të jetë e hapur për të gjithë transportin detar. Ky duhet të jetë objektivi numër një për administratën Trump pasi është e vetmja gjë që ka ndikimin më të madh në ekonominë globale dhe, më e rëndësishmja, për publikun vendas në çmimin e naftës. Planifikuesit e politikave në Shtëpinë e Bardhë nuk e vlerësuan si duhet mënyrën se si Irani mund të merrte kontrollin e kësaj ngushtice kyçe në tregtinë ndërkombëtare, por tani po e vlerësojnë këtë.
Së dyti, ShBA-ja duhet të rrisë presionin e brendshëm mbi regjimin iranian. Ndalimi i bombardimeve është një mënyrë e mirë për ta bërë këtë. Garda Revolucionare Islamike është dobësuar ndjeshëm nga sulmet e përbashkëta ShBA-Izrael. Komuniteti ynë i inteligjencës duhet të bëjë gjithçka që mundet për të forcuar lëvizjen protestuese iraniane, duke i pajisur me armë dhe burime. Bombardimi i urave dhe rafinerive të naftës do të kishte qenë gabim i madh nga ana e amerikanëve, sepse do ta kishte bërë punën shumë më të vështirë për kryengritësit - brenda vendit - që të organizonin çdo lloj opozite.
Së treti, ShBA-ja duhet të riparojë marrëdhëniet me aleatët e saj tradicionalë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Iranin. Rusia dhe Kina i shohin tensionet brenda NATO-s dhe gëzohen për këtë. Bota më e bashkuar perëndimore është thelbësore, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbajtjen e hapur të Ngushticës së Hormuzit.
Së katërti, administrata Trump duhet të përmirësojë mënyrën e komunikimit. Tani për tani, ShBA-ja është thellësisht e ndarë kur bëhet fjalë për këtë luftë. Madje edhe elementët e bazës politike të Trumpit janë thellësisht skeptikë ndaj fushatës. E kuptoj motivimin pas retorikës maksimaliste të presidentit, por ka disa pasoja negative përpjekja për të bindur kundërshtarët se je një i çmendur që mund të vendosë gishtin mbi buton.
Aleatët tanë u frikësuan, populli amerikan u shqetësua, Papa u trondit. Madje, edhe disa nga mbështetësit më të mëdhenj politikë të presidentit kërkuan largimin e tij përmes Amendamentit të 25-të të Kushtetutës së ShBA-së, që parashikon zëvendësimin e presidentit në detyrë për shkak paaftësie. Mesazhet nga Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, nuk ishin më të mira. Ta quash këtë një tjetër kryqëzatë të krishterë nuk është e dobishme për objektivat tona afatgjata në rajon.
Së pesti, presidenti duhet të paraqesë një pamje të asaj se çfarë do të thotë paqja për popullin iranian dhe për rajonin në përgjithësi dhe më pas t’ua shesë atë atyre. Ajo që po ndodh me Venezuelën është shembull i përkryer i asaj që mund të ndodhë me Iranin. Ne ia hoqëm “kokën” qeverisë atje, por pjesa tjetër e trupit politik është ende kryesisht në vend. Nuk kemi nevojë për një ndryshim total të regjimit. Kemi nevojë për një ndryshim total të qëndrimit të regjimit aktual.
Së gjashti, presidenti duhet të përcaktojë qartë se çfarë presim nga një marrëveshje e qëndrueshme paqeje dhe çfarë na duhet nga regjimi iranian. Gjëja e parë që na duhet është paqja e vërtetë. Mjaft me financimin e terrorizmit, me përfaqësues terroristë dhe me luftën e pafund kundër Izraelit. Paqja do të thotë paqe. Programi bërthamor nuk duhet të kthehet kurrë në armë bërthamore.
Së shtati, presidenti duhet të sigurojë që objektivat e Izraelit të jenë të përputhshme me tonat. Kjo do të kërkonte disa biseda të drejtpërdrejta midis Trumpin dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Qartazi, kryeministri izraelit ia paraqiti Trumpit një tablo të gabuar kur i tha se kjo do të ishte një luftë e shpejtë që do të rrëzonte regjimin iranian me një kosto relativisht të ulët. Kjo nuk ka ndodhur.
E kuptoj se izraelitët janë të lodhur nga dërgimi i raketave drejt tyre nga ana e Hezbollahut. Por, lufta e përhershme duket të jetë komponent kyç i fushatës politike të Netanyahut, dhe kjo thjesht nuk funksionon më për popullin amerikan.
ShBA-ja dhe Izraeli duhet të jenë në të njëjtën linjë për sa u përket objektivave të tyre, sidomos tani që jemi në një pauzë të luftimeve. Kjo është kritike për të fituar këtë armëpushim. /Telegrafi/




















































