Shqiptarisht.com - platforma që po krijon fjalët e reja të gjuhës shqipe

Shqiptarisht është platforma e parë ku shqiptarët mund të krijojnë dhe përzgjedhin fjalë të reja shqipe për shprehjet e huaja që përdorim çdo ditë.
E realizuar nga Karrota, kjo hapësirë vjen si një nismë bashkëpunuese për t’i dhënë gjuhës sonë atë që i ka munguar prej vitesh: mundësinë për t’u pasuruar me ritmin e kohës.
Ne sot përdorim një përzierje të madhe shprehjesh nga anglishtja, italishtja, gjermanishtja e turqishtja shpesh sepse shqipja nuk ka ofruar zëvendësim. Madje edhe për një mjet të thjeshtë si “kaçavida” ende nuk ka një formë të vetme që përdoret njësoj nga të gjithë. Ky boshllëk bëhet edhe më i madh në teknologji, makina dhe fjalorin modern, ku terma si default, startup apo plugin futen drejtpërdrejt, pa një alternativë shqipe.
Me Shqiptarisht, kushdo mund të shtojë një shprehje të huaj, të propozojë një fjalë shqipe apo të votojë alternativën më të mirë, duke kontribuar në një fjalor bashkëkohor që nesër mund të shndërrohet edhe në standard.
Si mund të kontribuosh?
Shumë thjesht:
• Fut shprehjet e huaja që përdorim çdo ditë.
• Propozo një fjalë shqipe për to.
• Voto fjalët më të mira.
• Ndihmo në ndërtimin e një fjalori të ri, të përbashkët.
Kjo ide ka lindur që në vitin 2003 dhe sot, më në fund, është bërë realitet me synimin e vetëm për ta pasuruar gjuhën shqipe në mënyrë të hapur dhe bashkëpunuese.
Kurrë nuk është vonë - dhe tani kemi një vend ku mund ta bëjmë këtë bashkë.


















































