Site icon Telegrafi

Shoqëria civile: Ministria e Drejtësisë nuk ka legjitimitet ta shtyjë përpara konkursin për noterët, procesi të kthehet në pikën zero

Gjashtë organizata të shoqërisë civile, të premten, kanë reaguar kundër vazhdimit të procesit për zgjedhjen e Noterëve, sipas konkursit publik të shpallur nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas OJQ-ve, procesi në fjalë nuk mund të shtyhet përpara, pas rrethanave të reja të krijuara me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe komprometimit të këtij procesi në publik, duke shtuar se është i papranueshëm vazhdimi i këtij procesi në kohën kur gjatë javës së ardhshme pritet të merret vendim për shpërndarjen e kuvendit.

Përmes këtij reagimi, OJQ-të në fjalë kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë ri-shikimin e vendimit për konkursin publik të noterëve, duke kthyer atë në pikën zero për ta vazhduar tutje një qeveri, e cila ka legjitimitet.

Lexo po ashtu Ministria e Drejtësisë hap konkursin për noterët e rinj

Reagimi i plotë

Ne – organizatat e shoqërisë civile (OSHC) – reagojmë kundër vazhdimit të procesit për zgjedhjen e Noterëve, sipas konkursit publik të shpallur nga Ministria e Drejtësisë (MD).

Ne vlerësojmë rëndësinë e përmbylljes së procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të noterëve të rinj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, drejt përmirësimit të qasjes në drejtësi për qytetarët e Kosovës, por konsiderojmë se ky proces nuk mund të shtyhet përpara pas rrethanave të reja të krijuara me dorëheqjen e Kryeministrit dhe komprometimit të këtij procesi në publik.

Si OSHC, ia rikujtojmë MD-së se nga data 19 korrik 2019, qeveria aktuale është në largim – pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj – dhe parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, përcaktojnë që Qeveritë në largim nuk kanë legjitimitet të marrin vendime për udhëheqjen e proceseve të rëndësishme, sikurse është rasti konkret me procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.

Po ashtu është i papranueshëm vazhdimi i këtij procesi në kohën kur gjatë javës së ardhshme pritet të merret vendim për shpërndarjen e kuvendit. Në këtë rast, ngutia e kësaj ministrie për të finalizuar këtë proces me integritet të kontestuar në sytë e publikut dhe kandidatëve që nuk kanë kaluar është e papranueshme. Për më tepër, kjo fazë finale e procesit është duke u përcjell me mungesë transparence që si rezultat humb legjitimitetin e procesit në tërësi.

Rikujtojmë se rreth provimit të noterisë është zhvilluar një debat i gjerë publik me akuza të ndërsjella rreth mënyrës së udhëheqjes së këtij procesi dhe përzgjedhjes së kandidatëve të suksesshëm, prandaj ne – OSHC-të – vlerësojmë se ky proces është i komprometuar në publik dhe si i tillë nuk mund të vazhdojë tutje por duhet të kthehet në pikën zero. Për këtë arsye i bëjmë thirrje Prokurorit të Shtetit që hetimet lidhur me këtë proces të zhvillohen në mënyrë të pavarur, paanshme dhe efikase. Komprometimi në publik i procesit të noterëve dhe mungesa e legjitimitetit të Qeverisë në largim për të marr vendime në interes të përgjithshëm, e zbehin besimin e publikut në këtë proces të përzgjedhjes së noterëve të rinj, të cilët duhet t’i shërbejnë qytetarit, ndërkohë që besimi i qytetarit në integritetin e këtij procesi nuk ekziston.

Në këtë drejtim, si organizata të shoqërisë civile që monitorojmë dhe japim kontribut të vazhdueshëm në ngritjen e standardeve të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, ftojmë Ministrinë e Drejtësisë të reflektoj mbi situatën e krijuar dhe të ri-shikoj vendimin për konkursin publik të noterëve, duke kthyer atë në pikën zero për ta vazhduar tutje një qeveri, e cila ka legjitimitet.

Organizatat e shoqërisë civile:

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti Columbus
Grupi për Studime Juridike e Politike
Iniciativa për Progres (INPO)
Lëvizja Fol
Instituti EPIK

Exit mobile version