LAJMI I FUNDIT:

Shkodran Tolaj: ”Artistët kanë përgjegjësinë të inspirojnë dhe të ruajnë identitetin kulturor”

Shkodran Tolaj: ”Artistët kanë përgjegjësinë të inspirojnë dhe të ruajnë identitetin kulturor”

Intervistë ekskluzive me Shkodran Tolaj, emër i mirënjohur i muzikës serioze dhe jo vetëm, një nga zërat e fuqishëm të këngës shqipe. Tenor, kantautor, tekstërshkrues e artist i merituar

Intervistoi: PhD. Dashnim Hebibi

”Po punoj me Edmond Zhulalin për një projekt të madh, ndërsa një këngë për Skënderbeun, kompozimi i fundit i Përparim Tomçinit, është gati për publikim. Gjithashtu, po përgatitem për një koncert të madh në Suedi në nder të Pavarësisë së Shqipërisë dhe shumë projekte të tjera që do të zbulojmë me kohë”, na tha ndër të tjera z. Tolaj.


Përshëndetje shumë i nderuar z. Tolaj! Kemi nderin që t’ju urojmë një vit të mbarë me të gjitha të mirat për ju dhe familjen! Sigurisht, keni bërë llogaritë e vitit 2024. Cili është rezultati?

Faleminderit për urimet! Kam kënaqësinë të jem pjesë e kësaj interviste. Çdo vit është unik e 2024 nuk bën përjashtim. Ky vit nisi me udhëtime jashtë vendit, projekte të bukura muzikore dhe një koncert të suksesshëm në Stamboll. Ndërkohë, megjithëse duhej të festonim 5 vjetorin e Ansamblit Shtetëror Shqiptar, ku isha zgjedhur drejtues me mandat deri më 2027, për fat të keq, shkarkimi im u bë në mënyrë arbitrare. Pavarësisht sfidave, besoj se momentet e tilla na bëjnë më të fortë dhe më të denjë. Ato janë provë e karakterit dhe profesionalizmit tonë.

Meqë jemi në fillim të vitit 2025, si profesionist i edukatës muzikore, si i vlerësoni programet festive të fundvitit në televizione? Sidomos kur dihet që disa na lodhin me shund dhe kiç.

Jam shprehur shpesh: “A ka mbetur ndonjë redaktor muzike në televizionet tona, apo jemi vetëm improvizues?” Televizionet shtetërore janë të detyruara të sjellin risi dhe të mbështesin vlerat artistike. Fatkeqësisht, shumë shikues ndjehen të zhgënjyer. E ndërsa privatët kanë lirinë e tyre, mediumet publike kanë detyrimin të promovojnë artin dhe kulturën. Pa një drejtim të mirëfilltë, rrezikojmë të humbim pasurinë tonë artistike.

Ku qëndron faji që antivlerat po e gjejnë tregun dhe përfitime të majme?

Degjenerimi i vlerave nisi pas vitit 2002, kur shpërthimi i mediumeve online dhe mungesa e kontrollit krijuan hapësirë për gjithçka. Fjala publike humbi peshën dhe seriozitetin. Sot, këngë e tekste, pa asnjë standard, shfaqen lirshëm, duke përmbysur vlerat estetike, kulturore dhe etike.

”Shteti ka mekanizma për të kontrolluar atë që transmetohet”

A mendoni se duhet një ligj për kontrollin e asaj që i servohet publikut? Dikur, jo kushdo, mund të publikonte një këngë apo produksion.

Pa diskutim, duhet një rregullore e rreptë për mediumet. Shteti ka mekanizma për të kontrolluar atë që transmetohet dhe për të licencuar më mirë mediumet. Marrëdhënia mes mediumit dhe publikut duhet të rregullohet, por kjo kërkon personel ekspertësh, që përfshin juristë dhe artistë profesionistë. Vetëm kështu mund të rivendosim standardet e duhura.

Këngëtarë me dy vargje dhe ato të mbushura me banalitet. Komenti juaj?

Për këtë fenomen nuk ke shumë çfarë të thuash. Është për të ardhur keq të shohësh sharje, fyerje dhe revoltë të shndërruara në art, me melodi të varfra dhe kriza të dukshme të identitetit kulturor dhe krijimtarisë.

Keni përvojë të gjatë në skenën muzikore klasike dhe keni vepruar për më shumë se një dekadë në Gjermani. Si e përjetoni jetën muzikore të diasporës?

Diaspora, fatkeqësisht, ka për çdo fundjavë pseudo-këngëtarë. Në Maqedoni të Veriut, jeta muzikore është më e varfër, krahasuar me Prishtinën apo Tiranën. Megjithatë, gjatë drejtimit tim në Ansamblin Shtetëror, arritëm suksese të jashtëzakonshme, duke promovuar folklorin dhe kulturën shqiptare. Sot raporti mes artistëve dhe mediumeve ka ndryshuar: dikur mediumet paguanin artistët, ndërsa sot pseudokëngëtarët paguajnë për të qenë në ekran.

Keni bashkëpunuar me Filarmoninë Orso të Gjermanisë dhe keni realizuar projekte madhore. Pse u larguat nga Gjermania?

Dy vite pas martesës sonë i kaluam mes udhëtimeve dhe jetës paralele midis Gjermanisë dhe Kosovës. Ishte një sfidë e madhe dhe bashkë me Besianën vendosëm të ndërtonim jetën në atdhe. Nga viti 2012, kam mbajtur lidhje të ngushta me kolegët dhe projektet për diasporën, por e kam ndërtuar jetën time artistike në Kosovë. Atdheu është gjithmonë vendi ku mund të japësh më të mirën për kulturën dhe shoqërinë tënde.

Gazetat gjermane ju kanë vlerësuar si një vokal i madh dhe i rrallë. Keni projekte të reja për vitin 2025?

Po, kam disa projekte emocionuese për këtë vit. Po punoj me Edmond Zhulalin për një projekt të madh, ndërsa një këngë për Skënderbeun, kompozimi i fundit i Përparim Tomçinit, është gati për publikim. Gjithashtu, po përgatitem për një koncert të madh në Suedi në nder të Pavarësisë së Shqipërisë dhe shumë projekte të tjera që do të zbulojmë me kohë.

Jeni fitues i shumë çmimeve të rëndësishme. Cili është suksesi juaj më i madh deri më tani?

Çdo çmim ka peshën e vet, por veçoj çmimin “Nexhmije Pagarusha” në Festivalin “Kënga ime” dhe çmimin e parë në 30-vjetorin e Festivalit “Zambaku i Prizrenit”. Sukses për mua është edhe kulturimi i brezave të rinj. Bashkë me Besianën kemi ngritur dy festivale dhe shkolla private të muzikës që kanë lënë gjurmë të rëndësishme.

Mesazhi juaj për artdashësit dhe të rinjtë që synojnë artin?

Punoni me dashuri dhe përkushtim. Besoni në vlerat e mirëfillta dhe mos u ndikoni nga antivlerat. Artistët kanë përgjegjësinë të inspirojnë dhe të ruajnë identitetin kulturor. Kultura jonë është një pasuri që duhet mbrojtur dhe zhvilluar me krenari dhe përkushtim! /helveticALforum