Java e 20-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar rikthimin në formë të Shkëndijës dhe Shkupit, ndërsa kampionët në fuqi, Struga Trim Lum, po kalojnë një periudhë krize me dy disfata radhazi, njofton Telegrafi.
Shkëndija e eTetovës ka regjistruar fitoren e dytë që kur nisi pjesa e dytë e kampionatit, duke triumfuar në një përballje direkte ndaj Sileksit. Skuadra tetovare duket se po e gjen ritmin dhe me këtë rezultat ka marrë një epërsi prej tri pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Rabotniçkit. Forma e mirë në këto javë të para është sinjal i qartë se kuqezinjtë kanë ambicie të fitojnë titullin kampion.
Njëjtë si Shkëndija, edhe FC Shkupi ka vazhduar serinë pozitive, duke marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Breras. Ky është suksesi i dytë radhazi për bardhekaltërit, të cilët po tregojnë një stabilitet të dukshëm në pjesën e dytë të sezonit.
Në anën tjetër, Struga Trim Lum, kampionët në fuqi, po kalojnë një moment të vështirë. Pas humbjes javën e kaluar nga Gostivari, ata u mposhtën edhe në shtëpi nga Vardari. Dy humbjet radhazi kanë lënë Strugën pas në luftën për kreun dhe klubi tashmë është përballur me një tjetër goditje – dorëheqjen e trajnerit Qatip Osmani. Kjo situatë e ndërlikuar ka lënë një pikëpyetje të madhe mbi vazhdimësinë e ekipit në mbrojtje të titullit.
Gostivari, një nga ekipet me ambicie të mëdha këtë sezon, nuk ka arritur të tregojë konsistencë. Pas fitores ndaj Strugës javën e kaluar, këtë herë u ndal në një barazim pa gola ndaj Besës, duke humbur terren në garën për pozitat e para. Pavarësisht pritshmërive të larta, ekipi ende po kërkon stabilitetin në rezultate.
Voska Sport, e cila e nisi fuqishëm fazën e dytë me një fitore ndaj Besës, këtë javë nuk ia doli të përsërisë suksesin. Ata u mposhtën minimalisht nga Rabotniçki në Shkup dhe duke humbur pikë të vlefshme në garën për të ikur nga pjesa e poshtme e tabelës.
Ndërkohë, Besa e Dobërdollit është në krizë të thellë. Pas humbjes javën e kaluar ndaj Voska Sportit, këtë javë arriti vetëm një barazim pa gola ndaj Gostivarit dhe tani ka prekur fundin e tabelës
Në përgjithësi, kjo javë ka sjellë konfirmimin e formës në rritje të Shkëndijës dhe Shkupit, krizën e kampionëve të Strugës dhe luhatjet e ekipeve si Gostivari dhe Voska Sport, ndërsa Besa vazhdon të mbetet në kërkim të një kthese të madhe në rezultatet e saj. /Telegrafi/
Rezultatet e javës së 20-të: Shkëndija – Sileksi 4-2, Besa – Gostivari 0-0, Brera – Shkupi, Struga – Vardari 0-2, Rabotniçki – Voska Sport 1-0 dhe Tikveshi – Pelisteri 1-2.