Burbuqe Nushi Latifi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ka folur për sigurinë e ujit në shishet e plastikes.

Ajo tha se plastika është një problem global dhe se mikroplastikat që krijohen në këtë proces paraqesin rrezik shumë më të madh sesa shumica e kontaminimeve të tjera.




"Një shtet të fortë e mban kontrolli. Sa i përket shishes së plastikës, është problem global. Plastika është e padegradueshme, dhe çka është më e keqja, nuk e dimë prej çkafit është bërë”, theksoi Latifi.

Ajo shtoi se edhe pse jo të gjitha llojet e plastikës shkaktojnë mikroplastika, ato që e bëjnë këtë, mund të jenë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Pikërisht për këtë arsye, sipas saj, fokusi i shumë ekspertëve ndërkombëtarë të ujit është tani tek mikroplastikat.

Një tjetër çështje shqetësuese që ajo theksoi është mënyra e ruajtjes së ujit në shishe plastike.

"Edhe nëse uji futet në plastikë, ai duhet të ruhet në ambiente të ftohta dhe të errëta. Por kur shkon nëpër dyqane, e gjen shishen të ekspozuar para dyqanit, nën rrezet e diellit”, shtoi ajo.

Latifi shpjegoi më tej se uji nuk është thjesht H₂O, por përmban edhe baktere të ndryshme dhe elementë si hekuri që i nevojiten trupit.

“Në kushte të pafavorshme të ruajtjes, këto substanca mund të krijojnë shtresa të gjelbra në brendësi të shishes, duke favorizuar rritjen e baktereve mezofile dhe madje edhe të algave. Ka baktere apatogjene që janë të domosdoshme, njësoj si bakteret fermentuese që e bëjnë qumështin kos. Por kur uji ekspozohet ndaj dritës dhe nxehtësisë, fillojnë procese të ndryshme që mund të çojnë në kontaminim serioz”, theksoi ajo.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com