Shfaqet premiera e serialit “Bëje Tënden” - informim mbi sfidat dhe zgjidhjet pronësore në Kosovë

E premtja mbrëma solli një ngjarje të veçantë për organizatë njo qeveritare Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC).
Në një atmosferë të ngrohtë e plot energji, u shfaq episodi i parë i serialit vendor “Bëje Tënden”, pjesë e fushatës vetëdijesuese për të drejtat pronësore “Bëje Tënden Regjistroje Pronën!” – një produkt i veçantë i prodhuar në kuadër të kësaj fushate.
Para shumë pjesëmarrësve dhe partnerëve të projektit, bartësve të institucioneve dhe aktorëve, u prezantua ky projekt televiziv që synon të trajtojë dhe informojë për sfidat që qytetarët e Kosovës hasin gjatë procesit të trashëgimisë dhe regjistrimit së pronës.
Seriali televiziv është realizuar nga ATRC, përmes projektit PIAKOS dhe ështërealizuar nga kasta më e mirë e aktorëve vendor.Në këtë serial të përbërë prej 6 episodave, shfaqet realiteti i shoqërisë kosovare kurbëhet fjalë për çështjet pronësore, duke trajtuar në secilin episod tema të ndryshme qëlidhen ngushtë me objektivat e fushatës për vetëdijesim qytetar.
Ngjarja u hap me fjalën e drejtorit ekzekutiv ATRC-së Kushtrim Kaloshi, i cili e vlerësoi serialin si një vlerë të shtuar për shoqërinë kosovare, duke theksuar rëndësinë që bart projekti në ndërgjegjësimin publik për të drejtat pronësore.
Kushtrim Kaloshi – Drejtor Ekzekutiv i ATRC-së
“Dua ti falenderoj organizatat tona partnere të cilat e kanë pasë barrën kryesore të aktiviteteve në teren kryesisht të aktiviteteve për ndërgjegjësimin dhe vetdijësimin publik. Janë kontaktuar mbi 6 mijë e 500 familje derë më derë, janë ofruar mbi 1 mijë e 500 këshilla juridike falas si dhe janë përkrahur financiarisht mbi 400 familje për ta regjistruar pronën.” theksoi drejtori i ATRC-së.

Për iniciativën e serialit foli edhe Odeta Naks, menaxhere e projektit PIAKOS, e cila tha se këtë serial e sheh si një kontribut të rëndësishëm në rritjen e vetëdijes qytetare për të drejtat pronësore dhe barazinë gjinore.
Odeta Naks – Menaxhere e Projektit PIAKOS
“Edhe pse ky serial me 6 episode ka aspektin e tij edukativ unë mendoj qëkasta e aktorëve ka bërë një punë të mrekullueshme për të përcjellur mesazhet që janë midis artistikes dhe juridikës. Secili nga episodët e ka një temë të veçantë që mund të jetë çështje e divorcit, trashëgimie apo edhe e legalizimit të pronës.” - potencoi në fund të fjalimit të saj Naks.

Ndërkaq producenti i serialit “Bëje Tënden” Fisnik Ademi derisa përmendi pjesën e xhirimit të episodeve, potencoi faktin që nga ky projekt kanë mësuar shumë edhe ata si aktorë.
“Edhe ne si artistë kemi mësu shumë gjatë kësaj periudhe kryesisht për pronat edhe jemi vetdijësu sado pak edhe ne. Kemi has në shumë informata që nuk i kemi ditë edhe jemi mundu me provu me qenë sa më origjinal edhe sa ma të kapshëm për publikun. Të gjitha temat që ne i kemi trajtu janë tema që ne i kemi dëgju nëpër familjet tona.”- përfundoi Ademi.

Premiera e serialit “Bëje Tënden” u prit me interesim nga të pranishmit, ku episodi i parë u transmetua të shtunën më 15 nëntor, kurse episodet e tjera të serialit do të transmetohen çdo të shtunë nga ora 22:00 në televizionin Tëvë1.
Fushata “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën!” ka në qendër të saj vetëdijësimin qytetar për rëndësinë që ka regjistrimi dhe legalizimi i pronës, informimi i të rinjëve për të drejtat pronësore që iu takojnë me ligj, ofrimi i ndihmës juridike falas për familjet që i plotësojnë kriteret e përcaktuara si dhe të drejtat pronësore të grave në bashkëpronësi.
Përmes aktiviteteve informuese, materialeve promovuese dhe tashmë edhe serialit televiziv “Bëje Tënden”, fushata synon të frymëzojë qytetarët që të ndërmarrin veprime konkrete për regjistrimin ligjor të pronës së tyre, duke e bërë këtë proces jo vetëm një detyrim ligjor por edhe një akt përgjegjësie dhe barazie në familje e shoqëri.












































