Ambasadorë, ministra, diplomatë e shumë mysafirë të tjerë vendorë e të huaj u mblodhën të enjten mbrëma në Prishtinë, për të shënuar 60-vjetorin e pavarësisë së Maltës, një shtet ky i cili përkrah fuqishëm Kosovën që nga viti 1999.
Nën organizimin e ambasadores jorezidente të Maltës në Kosovë Juliana Scerri Ferrante dhe konsullit të nderit të Maltës në Prishtinë, Remzi Ejupi, të enjten është shënuar 60-vjetori i pavarësisë së Maltës.
Kjo festë ka mbledhur ambasadorë, ministra, diplomatë e shumë mysafirë të tjerë nga Kosova dhe Malta.
Konsulli i nderit të Maltës në Kosovë, Remzi Ejupi, u shpreh i nderuar që për herë të parë në këtë cilësi ka organizuar një festë kaq të rëndësishme për shtetin maltez.
“Qeveria malteze më ka dhënë nderin të jem Konsulli i parë i Nderit i Maltës në Kosovë dhe, për këtë, jam shumë mirënjohës dhe i siguroj qytetarët maltezë që jetojnë këtu dhe ata që do të vizitojnë, se do të ofroj të gjithë ndihmën që ata kërkojnë”, u shpreh Ejupi para të pranishmeve.
“Ndërsa qëndroj në dispozicion të popullit maltez për çdo ndihmë që mund të jap, do të siguroj gjithashtu se do të përpiqem, në konsultim me ambasadorin Scerri Ferrante, të vazhdoj të forcoj marrëdhëniet dypalëshe midis të dy vendeve dhe të bëj gjithçka që mundem për të përmirësuar lidhjet me fluturime, veçanërisht në sezonin e verës”, tha Ejupi.
Në fjalën e saj, ambasadorja Scerri Ferrante tregoi një historik të shkurtër të rrugëtimit të pavarësisë së Maltës, derisa u shpreh e nderuar që është ambasadore në Kosovë.
“Është e rëndësishme për ne të vazhdojmë të marrim pjesë në forume e nisma ndërkombëtare, në mënyrë që, së bashku, të mundë të luftojmë sfidat e përbashkëta dhe çështjet me interes global. Në këtë pikë unë konfirmoj mbështetje e Maltës për Kosovën në vazhdimin e programit të saj të reformave”.
“Madje, për herë të parë, edhe Malta ka një Konsull Nderi këtu në Prishtinë dhe falë Remzi Ejupit, të gjithë shtetasve maltezë që banojnë dhe vizitojnë Kosovën mund t’u ofrohet ndihmë në rast nevoje”, tha ambasadorja.
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila vlerësoi se marrëdhëniet mes Maltës dhe Kosovës janë në nivel të lartë, ndërsa tha se janë duke u angazhuar të vazhdohet thellimi i bashkëpunimit në shumë fusha.
“Gjatë këtyre ditëve është në vizitë te ne edhe ministri i Drejtësisë së Maltës, me të cilin jemi takuar dhe jemi dakorduar të marrim praktikat më të mira që të fuqizojmë bashkëpunimin. Kemi gatishmërinë dhe vullnetin për të bashkëpunuar me Maltën”, tha Haxhiu.
Po ashtu edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama uroi Maltën për 60-vjetorin e pavarësisë, ndërsa theksoi bashkëpunimin që ka kryeqyteti ynë me Maltën.
“Prishtina është në ndërlidhshmëri të mrekullueshme me Maltën, ne kemi bërë edhe binjakëzimin me Cospicuan, që është një komunë e mrekullueshme në Maltë. Sot këtu diskutuam edhe për mundësitë tjera për të nisur një linjë direkte mes Prishtinës dhe Maltës, për t’u mundësuar qytetarëve tanë dhe atyre maltezë që të udhëtojnë mes shteteve, të krijojmë një angazhim më të madh në aspektin e turizmit, artit dhe shumë elementeve të tjera që na ndërlidhin”, tha Rama.